Një muaj paraburgim për të miturin që dyshohet se vrau rreshterin Lika në Kaçanik

nga Xh M

Gjykata Themelore në Ferizaj ia ka caktuar një muaj paraburgim një të mituri për vrasjen e policit Muhamed Lika në Kaçanik më 1 prill.

Gjyqtari i procedurës paraprake ka pranuar kërkesën e prokurorit të shtetit për të caktuar masën e paraburgimit prej një muaji.

I mituri dyshohet se në bashkëkryerje me madhorët H.B., R.M., V.Ç., E.L., Sh.K. dhe D.G., me dashje e me përgatitje paraprake ka privuar nga jeta rreshterin policor Lika.

I mituri dyshohet se ka shkuar nga prapa dhe e ka qëlluar me armë zjarri rreshterin policor, ndërsa ai kishte hyrë në objektin banesor. Në vendin e ngjarjes ishin gjetur disa gëzhoja. I mituri kishte ikur më pas në drejtim të një lokali.

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamenti për të Mitur – Shabi Idrizi, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se më datë 1 prill 2025 rreth orës 23:00 në Kaçanik, përkatësisht në hyrje të një ndërtese, i mituri në bashkëkryerje me madhorët H.B., R.M., V.Ç., E.L., Sh.K. dhe D.G., me dashje dhe me përgatitje paraprake ka privuar nga jeta tani të ndjerin zyrtarin policorë – Rreshter M.L., me detyrë në Stacionin Policorë në Kaçanik, në atë mënyrë që viktima pas përfundimit të orarit të punës në ora 22:53, rrugës për në banesën e tij ku i njëjti ishte përcjellur në vazhdimësi nga madhorët deri tek hyrja e banesës së tij, ku pasi që hynë në objektin e banesës ku ai ka jetuar, duke u ngjitur shkallave, i mituri i shkon nga mbrapa dhe pasi që viktima hynë në objektin banesor, pas tij hyn edhe i mituri ku me të takuar të ndjerin ka shtënë në drejtim të tij me armë zjarri. Në vendin e ngjarjes janë gjetur katër gërzhoja të kalibrit 9.19 mm dhe nga plagët e marra viktima M.L., në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kaçanik nga ekipet mjekësore është konstatuar vdekja e tij, e cila ka ardhur si pasojë e plagëve të marra nga predhat e armës së zjarrit, e pastaj i mituri pas kryerjes së vrasjes ikë nga vendi i ngjarjes në drejtim të një lokali, ku bashkohet me të pandehurin R.M., i cili kishte qenë duke e pritur dhe së bashku largohen përmes një rruge të qytetit ku ishin duke vrapuar i mituri dhe i pandehuri dëgjohet një zë duke i thënë “Bravo ik”, paraprakisht nga pamjet e kamerave vërehet i mituri së bashku me të pandehurin R.M. dhe V.Ç., dhe lëvizjet e të pandehurve tjerë, ndërsa pas vrasjes i pandehuri D., ka ndihmuar të miturin të largohet nga vendi i ngjarjes kurse i pandehuri H.B., rreth 14 minuta mbrapa vrasjes vjen në vendin e ngjarjes ndërsa pas 2 minutave largohet.”

Ndryshe, sot Policia e Kosovës i ka arrestuar shtatë persona të dyshuar për “planifikimin dhe kryerjen e vrasjes” së rreshterit Muhamed Lika, e cila besohet se u krye për motive që ndërlidhen me punën e tij zyrtare, thanë autoritetet të hënën.

Muhamed Lika u vra natën e 1 prillit në shkallët e ndërtesës ku jeton, derisa po kthehej në banesën e tij nga puna.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çerkini, thanë gjatë një konference për media në Ferizaj se dyshimet e para janë se motivet e vrasjes kanë të bëjnë me punën e rreshterit si zyrtar policor.

“Dyshimet e tona të deritanishme janë se vrasja e rreshterit tonë ka ndodhur për shkak të detyrës së tij zyrtare. Megjithatë, motivet do të qartësohen edhe pas intervistimit të personave të dyshimtë dhe pas ekzaminimit të dëshmive të gjetura. Kjo mbetet të vërtetohet”, tha Hoxha.

Në mesin e të arrestuarve është edhe një ish-pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), si dhe një 18-vjeçar, tregoi Hoxha.

Hoxha dhe Çerkini nuk treguan emrat e të arrestuarve, por thanë se disa prej tyre kanë të kaluar kriminale dhe se Lika kishte punuar në zgjidhjen e disa rasteve ku ata dyshoheshin për vepra penale.

“Disa nga të arrestuarit kanë pasur të kaluar kriminale dhe kanë qenë të arrestuar në të kaluarën për raste në lidhje me prirje ekstremiste”, tha Hoxha.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More