Tetovë, 13 janar – Një vajzë gjashtë vjeçare nga Tetova e humbi jetën pasi u godit nga një automjet si këmbësor rreth orës 18 në bulevardin “Video Smilevski-Bato” në Tetovë, njoftoi policia e Tetovës. Vajza u përplas nga një automjet folksvagen golf i drejtuar prej një 30 vjeçari nga fshati Falishe.
“Vajza ka marrë lëndime të rënda trupore nga goditja, nga të cilat ka humbur jetën pasi u transferua në Spitalin Klinik të Tetovës. Shoferi pjesëmarrës në aksident është siguruar për procedurë të mëtejshme”, informon zëdhënësi Marjan Josifoski.
Në vijim është ekspertiza që e drejton prokurori publik, ndërsa ka marrë pjesë edhe një ekip i SPB Tetovë.