Shkup, 13 qershor – Një vit pas fillimit të mandatit të kësaj Qeverie përballen me një bilanc simbolik të realizimit të premtimeve, vetëm 13% e 139 masave të premtuara janë përmbushur, ndërsa 37% janë në proces, tregon raporti më i fundit i platformës së monitorimit “Kompas”. Ky është një sinjal alarmi për një administratë që nisi me ambicie të larta dhe me një dozë të madhe entuziazmi publik. Prandaj, udhëheqësitë e kësaj qeverie duhet të jenë më të vëmendshëm dhe përgjegjshëm kur bëhet fjalë në jetësimin e premtimeve të dhëna, shkruan Zhurnal.
Kur fjalët nuk mjaftojnë, qytetarët kërkojnë ritëm më të lartë dhe përgjegjësi konkrete –
Analiza e sektorëve kryesorë si arsimi, shëndetësia, politikat rinore dhe barazia gjinore, tregon qartë një dinamikë të ngadaltë dhe shpeshherë të fragmentuar të zbatimit të reformave. Edhe pse janë bërë disa përparime sidomos në arsimin fillor dhe të mesëm pamja e përgjithshme mbetet larg asaj që u premtua qytetarëve. Dhe kjo përbën një çështje serioze besueshmërie për institucionet publike.
Arsimi ritëm pozitiv, por i pabarabartë –
Nga gjithsej 37 masa të premtuara në arsim, janë përmbushur vetëm 9. Pjesa më e madhe e progresit është përqendruar në arsimin fillor dhe të mesëm, ndërsa arsimi i lartë dhe shkenca janë lënë pas dore. Dorina Gjorceva Mitrovska nga Qendra Maqedonase për Arsim Qytetar thekson se mungesa e një ligji të ri për arsimin e lartë po bllokon avancimin në këtë fushë, duke penguar hartimin dhe zbatimin e politikave afatgjata.
Kjo është shqetësuese për një vend që aspiron zhvillim të qëndrueshëm dhe integrim në Bashkimin Evropian. Edukimi universitar dhe kërkimi shkencor nuk mund të trajtohen si fusha dytësore ato janë thelbësore për formimin e kuadrove të rinj dhe për përballimin e sfidave të ekonomisë së dijes.
Shëndetësia në kërkim të reformave të thella –
Edhe më problematike paraqitet situata në shëndetësi, ku nga 31 masa të premtuara janë realizuar vetëm tri. Rindërtimi i spitaleve dhe modernizimi i qendrave shëndetësore janë në proces, por reformat strukturore si digjitalizimi i sistemit, forcimi i kujdesit shëndetësor primar dhe zgjidhja e mungesës së stafit mjekësor vazhdojnë të mbeten në fazën e planeve.
Kiril Soleski nga ADICD MLD paralajmëron se nëse nuk merren masa të qarta dhe konkrete për të mbajtur mjekët e rinj në vend, sistemi shëndetësor do të përballet me një krizë afatgjatë, që do të ndikojë direkt në cilësinë e shërbimeve për qytetarët.
Rinia dhe barazia gjinore premtime në letër, mungesë zbatimi –
Politikat rinore janë një tjetër fushë me rezultate zhgënjyese: nga 15 masa janë realizuar vetëm dy, ndërsa tetë janë ende në zhvillim. Më shqetësuese është se një nga premtimet më të rëndësishme kuponët prej 250 euro për 50 mijë studentë për pajisje elektronike nuk është përmbushur, siç thekson Risto Saveski nga MOF.
Ndërkohë, në fushën e barazisë gjinore dhe demografisë, ende nuk ka asnjë masë të përmbushur. Kjo përbën një dështim të thellë jo vetëm në aspektin e politikave sociale, por edhe në përmbushjen e standardeve minimale të të drejtave të njeriut dhe përfshirjes.
Qeveria duhet të punojë më shumë pritshmëritë janë të larta
Në një klimë politike ku qytetarët janë gjithnjë e më të vetëdijshëm për të drejtat dhe nevojat e tyre, mbështetja për qeverinë matet me rezultate konkrete, jo me retorikë. Pritshmëritë janë të larta dhe durimi është i kufizuar.
Institucionet nuk kanë më luksin të sillen sikur kanë kohë të pafundme – një vit është kohë e mjaftueshme për të vënë themele, për të miratuar ligje kyçe dhe për të dhënë rezultate të prekshme. Kur kjo nuk ndodh, atëherë besimi i publikut fillon të zbehet dhe e gjithë platforma politike vë në pikëpyetje legjitimitetin e saj.
Kujtojmë që, Qeveria duhet të trajtojë seriozisht gjetjet e shoqërisë civile dhe të reflektojë mbi faktin se vetëm 13% e përmbushjes nuk mund të justifikohet me sfida administrative. Ajo që kërkohet tani është vullnet politik, transparencë dhe përkushtim real për të zbatuar agjendën e shpallur. Qytetarët kanë votuar për ndryshim dhe për zhvillim, jo për premtime të stërzgjatura. Viti i dytë i mandatit duhet të jetë vit i reformave të thella, ritmit të përshpejtuar dhe komunikimit të ndershëm me publikun. Në të kundërtën, çdo statistikë e tillë do të jetë jo vetëm një raport, por një aktakuzë ndaj dështimit për të përmbushur besimin e dhënë. /Zhurnal.mk