Lëvizja Vetëvendosja, Partia Guxo dhe Alternativa nuk kanë bërë koalicion parazgjedhor për zgjedhjet e 9 shkurti, por këto subjekte politike kanë njoftuar se do të garojnë së bashku në procesin e ardhshëm zgjedhor.
“Duke u bazuar në partneritetin e mirë dhe të shëndoshë në mes partnerëve të koalicionit, Lëvizjes VETËVENDOSJE! Partisë Guxo dhe Partisë Alternativa, njoftojmë opinionin e gjerë, anëtarësinë tonë, mbështetësit tanë se koalicioni ynë formal i dëshiruar nga të tri partitë tona, nuk ka mundur të procedohet sot formalisht në KQZ, për shkak të afatit të shkurtër ligjor dhe pamundësisë së përmbushjes së disa detyrimeve statutare”, thuhet në komunikatën e publikuar nga LVV, transmeton Telegrafi.
Më tej thuhet se “ne jemi duke punuar intensivisht në hartimin e programit, me të cilin do të shpalosim së bashku ofertën tonë për qytetarët në zgjedhjet e rregullta parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt 2025”.
“Së bashku synojmë që me votën e qytetarëve të vazhdojmë partneritetin në qeverisjen e ardhshme si dhe punët e mira për Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Ndryshe, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi ka njoftuar se gjatë periudhës 15 ditore, nga 16 gushti deri më 30 gusht 2024, 12 parti politike kanë njoftuar se do të kërkojnë certifikim përmes koalicionit për pjesëmarrje në zgjedhje për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt të vitit 2025.