Deputeti socialist Alban Xhelili u shpreh mirënjohjen qytetarëve durrrsakë për besimin në këto katër vite, duke e zgjedhur si zërin e tyre në Parlament. Ai nuk do të jetë në legjislaturën e re, por thotë se angazhimi i tij nuk ndalet këtu.
“Katër vite më parë më besuat një përgjegjësi të madhe: – Të isha zëri juaj në Parlament! Kam dhënë gjithçka që kam ditur dhe mundur për të përfaqësuar me ndershmëri interesat e njerëzve të zonës që më ka rritur dhe më ka formuar, për të shtyrë përpara ide e nisma që besoj se i bëjnë shoqërisë sonë nder dhe do i ndihmojnë në të ardhmen”, shkruan Xhelili.
Deputeti socialist thotë se ky “kapitull” i ri do të jetë për të një moment reflektimi e pikë kthese për të ecur më tej me më shumë përvojë, me më shumë besim në vlera dhe me më shumë qartësi për të ardhmen.
“Asnjëherë nuk kam bërë kompromis me vlerat e mia dhe gjithmonë kam qenë pranë atyre që kanë më pak mundësi, më pak zë, më pak mbështetje. Politika për mua ka qenë dhe mbetet shërbim. Jo profesion, jo karrierë, por një zgjedhje e vetëdijshme për të qenë aty ku mendoj se mund të bëj diferencë. Sot nuk largohem nga kjo rrugë. Përkundrazi”, vijon Alban Xhelili.
“Faleminderit të gjithë atyre që më kanë mbështetur, më kanë kritikuar, më kanë sfiduar e më kanë dhënë forcë të rritem. Faleminderit ekipit tim të pandalshëm, familjes sime që më ka qëndruar pranë, kolegëve të shumtë në këtë rrugëtim dhe mbi të gjitha njerëzve të zakonshëm që më kanë ndalur në rrugë për një fjalë të mirë apo për një hall që kërkonte zgjidhje”, përmbyll politikani socialist.