Agjencia Zhurnal.mk
Opinion

Nuk është kompliment nëse tjetrin e shqetëson

Nga: Rilind Dauti

Me gjithë ato OJQ me mision të ngjashëm ose shumë abstrakt, është një freskim i vërtetë që disa zonjusha të reja shkupjane e paskan krijuar një shoqatë rinore me emrin Fishkëllima Youth Initiative, që ka për qëllim luftimin e një dukurie shumë konkrete dhe të prekshme: ngacmimet e vajzave në rrugë.

Kjo çështje më intereson shumë sepse njëherë kam qenë dëshmitar i një rasti të tillë të tmerrshëm. Një ditë dimri me borë dhe akull, që të mos rezikoj rëshqitje dhe rrëzim, isha duke e pritur babain tim ta sjellë veturën nga një vendparkim paksa më i largët te parkingu i lagjes ku jetoj. Duke e pritur tim et, në një stacion autobusi e pashë dhe dëgjova se si një mashkull idiot i foli një vajze të re që ishte duke ecur për punët e veta. Fillimisht i tha diçka që tash s’po më kujtohet, por pastaj ia tha një fjalë të neveritshme: “pse s’përgjigjesh be kurvo!”. Duke mos qenë bodibillder e as ekspert i arteve marciale, nuk guxoja ta marr drejtësinë në dorën time, por rasti në fjalë më mbeti përgjithmonë në kujtesë dhe ndikoi që të jem i vetëdijshëm për seriozititetin e problemit që përbëjnë ngacmimet e vajzave në rrugë.
Për të qenë realë, ngjarja e lartpërmendur me fjalor të vrazhdë përbën shembullin më ekstrem të dukurisë në fjalë, sepse në shumicën e rasteve gjërat që iu thuhen vajzave në rrugë mvishen gjoja si komplimente: “oj kukllo”, “qenke shumë e mirë”, “oj bukuroshe”, “qesh pak”, “o llokum”, “shumë mirë të rikan teshat”,… Por nuk ka asnjë vajzë që ndjehet mirë nga këto fjalë, që e fascinojnë këto fjalë, dhe të përfundojë në martesë me djalin që i jep këto “komplimente”. Përkundrazi: këto fjalë vajzat i neverisin dhe i bëjnë të dëshirojnë që asnjëherë tjetër mos të kalojnë afër djalit që i ka shprehur ato.

Absurditeti i ngacmimit të vajzave në rrugë qëndron te pritjet joreale prej tyre: si mundet dikush të mendojë që një vajzë e denjë do ta ndërprente të ecurin dhe do të niste bisedë me një të huaj të rëndomtë vetëm për shkak të një “komplimenti” banal?! Por me gjithë pasuksesin e këtyre fjalëve për ta tërhequr një femër, shumë meshkuj të rinjë vazhdojnë me ngacmime në rrugë, ndërsa kjo ka efekte të qarta negative në mirëqenien psikike dhe ndjenjën e sigurisë së vajzave. Shpeshherë ngacmimi nuk mbetet vetëm në karakter verbal por eskalon edhe në gjëra më serioze si ndjekja (ang. stalking) e një vajze në një distancë të gjatë rrugore.

Dukuria e ngacmimit të vajzave përmes hedhjes së fjalëve ka përmasa globale dhe ekziston që qindra vjet, por historikisht shqiptarët janë dalluar nga të tjerët me atë që femra ka qenë totalisht imune nga kjo dukuri. Në të kaluarën ka patur shumë të huaj që kanë udhëtuar nëpër Shqipëri (fjalën e kam para v. 1913 kur me Shqipëri nënkuptohej një territor dyfish më i madh se ai që njihet sot zyrtarisht), ndërsa përshtypjet nga këto udhëtime i kanë shkruar në letër, qoftë për nevoja private për t’ia dërguar familjes, qoftë si reportazhe që i kanë botuar në shtypin e asaj kohe. Këto materiale sot ruhen nëpër arkive ndërsa dokumentet në fjalë janë të qasshme edhe nga interneti. Këto udhëpërshkrime janë një pasqyrë e rëndësishme e përditshmërisë së shqiptarëve në të kaluarën, dhe për të qenë transparent – përshkrimi i tyre mbi pozitën e grave është shumë negativ, por një nga gjërat e mira për të cilat kanë qenë dëshmitarë vizitorët e huaj është se në Shqipëri gratë ishin plotësisht të sigurta nga fjalët ngacmuese në rrugë! (Për dallim nga vendet tjera ku kjo ndodhte shpesh.) Që atëherë shqiptarët kanë kaluar nëpër ndryshime të shumta shoqërore dhe kulturore, edhe për të mirë edhe për të keq, kurse pa dyshim se një nga sjelljet më të këqija që i kemi importuar është pikërisht ngacmimi i vajzave në rrugë!

E pra, çfarë të bëhet për këtë problem? -Së pari ta pranojmë se ky problem ekziston dhe është një dukuri e keqe që është bërë përditshmëri, siç është bërë përditshmëri psh. ndotja masive e ajrit! Ndërkaq, pasi ta kuptojmë se e kemi një problem, të flasim për zgjidhjet e mundshme.

Gjithsesi që hapi i parë drejt zgjidhjes do të ishte edukimi i meshkujve që të mos e bëjnë më atë gjest të pahijshëm. Por vështirë se vetëm edukimi do të çonte në zvogëlim serioz të rasteve të ngacmimit, sepse sikur këto djem të kishin qenë njerëz që kuptojnë, fare nuk do t’ia kishin bërë një vajze të huaj diçka që nuk do të donte dikush t’ia bëjë motrës së tij.

Prandaj, duhet të shkohet përtej kësaj dhe ngacmimi i vajzave në rrugë të bëhet shkelje ligjore për të cilën paguhet gjobë! Më të përshtatshme për vendosjen e gjobës do të ishin autoritetet lokale kurse zbatimi i dënimit t’i bëhet obligim policisë komunale që është paraparë të formohet në programin e qeverisë aktuale. Por nuk do të kishte nevojë të dënohen shumë veta, mjafton të dalë zëri që dikujt (ose prindit të tij) i është djegur xhepi për ngacmim verbal të një vajze në rrugë dhe menjëherë do të binte numri i rasteve si rezultat i mekanizmit “frika i ruan vreshtat”.

Postime të ngjashme

Zhvillimi i (pa)barabartë rajonal në Maqedoni, Pollogu i lënë mbrapa

R Zh

Në udhëkryq apo në qarkore!

R Zh

Opinion Valon Salihu / Humori përçmues ndaj grupeve etnike nuk është shaka

R Zh

PËRJASHTOJENI NGA LETËRSIA, KONICËN!

Z H

Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga NATO

Z H

Vjosa Osmani, “gruaja e hekurt” që do të shkundë politikën shqiptare

Z H

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...