Shkup, 4 janar – Siguria dhe shëndeti gjatë punës paraqet një prej rregullave themelore të punëtorëve, që është përcaktuar si e tillë në kuadër të konventave të Organizatës ndërkombëtare të punës, në legjislaturën e Bashkimit Evropian, Deklaratën sociale Evropiane të Këshillit të Evropës, kurse e njëjta është garantuar si e drejtë edhe me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Por, praktika bie ndesh me këto parime të shkruara në letër ku vetëm nga sektori i ndërtimtarisë janë larguar rreth 12 mijë punëtorë gjatë vitit të kaluar, e ky fakt është shqetësues thonë nga sindikata e ndërtimtarisë. Punëtorët ende nuk janë në pozitën që duhet, ndonëse në vitin që lamë pas arritën një sukses duke nënshkruar marrëveshjen kolektive për të punësuarit në sektorin publik, sërish punëtorë të shumtë punojnë jashtë orarit dhe nuk u paguhen orët, shkruan Zhurnal.
Sektori i ndërtimtarisë në krizë, punëtorë të shumtë largohen –
Vetëm nga sektori i ndërtimtarisë janë larguar rreth 12 mijë punëtorë gjatë vitit të kaluar, e ky fakt është shqetësues thonë nga sindikata e ndërtimtarisë. Kryetari i kësaj sindikate Ivan Peshevski thotë se punëtorët ende nuk janë në pozitën që duhet, ndonëse në vitin që lamë pas arritën një sukses duke nënshkruar marrëveshjen kolektive për të punësuarit në sektorin publik.
“Pagat janë vazhdimisht në rritje, por për ne si përfaqësues të sindikatave mendojmë se ende nuk mjaftojnë për të mbajtur punëtorët, duke pasur parasysh se në sektorin e ndërtimit vitin e kaluar janë larguar rreth 12 mijë punëtorë dhe kjo është një fakt shkatërrues, për një shtet që aspiron për në Bashkimin Evropian. Thjesht t’i largojë punëtorët në perëndim për kushte më të mira dhe paga më të larta në vend që punëdhënësit dhe shteti t’i mbajë ata këtu”, tha Ivan Peshevski, për TV21 nga Sindikata e Ndërtimtarisë dhe Industrisë.
Kryetari i Sindikatës për Ndërtimtari dhe Industri Ivan Peshevski, thotë se sektori i ndërtimtarisë ka ndikimet më të këqija të jashtme dhe kushte të tilla pune që nuk respektohen siç duhet me mjete mbrojtëse personale.
“Për sa i përket sektorit privat, punëtorët në një pjesë të madhe të kompanive janë të ekspozuar ndaj presioneve të tmerrshme për shkak të kushteve të këqija të punës, mund të marrim ndërtimtarinë, industrinë e metaleve, agrokompleksin etj., ku në ditët intensive të ngjeshur atje vërtet punohet jashtë orarit dhe shumë orë te paregjistruara, ku raportojmë vazhdimisht në inspektoratin shtetëror të punës”, ka deklaruar Peshevski.
Më 17 nëntor, gjatë gërmimit për ndërtimin e një objekti, në rrugën “Pirinska” në Shkup ka humbur jetën një punëtor i cili drejtonte ekskavatorin. Pas hetimit të bërë nga Inspektorati i punës doli se gropa e ndërtimit nuk ishte i siguruar siç duhej dhe nuk janë ndërmarrë kushte të sigurta për punëtorët. Ky është rasti i fundit i vdekjes së një punëtori në vendin e punës, në fakt vetëm një nga 16 rastet të cilët ka evidentuar Inspektorati i punës për vitin 2023, ndërkaq numri i personave të lënduar për vitin që lamë pas gjatë kryerjes së punës është 2005.
Kjo flet që punëtorët në sektorin e ndërtimtarisë trajtohen sikur robër që përpos që nuk u paguhet mundi i tyre fizik nuk arrijnë dot të krijojnë kushte të sigurta pune. Pra, një punëtori në ndërtimtari i duhet të marr parasysh edhe rrezikun që mund t’i cenohet çdo ditë pune e drejta për të vazhduar për të jetuar.
Por për ministren e Punës dhe Politikës Sociale Mungesa e fuqisë punëtore është një sfidë e kohëve moderne –
Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, së bashku me drejtoreshën rajonale të Organizatës Ndërkombëtare të Punës për Evropën Qendrore dhe Lindore, Claire Harasti, hapën konferencën “Menaxhimi i mungesës së fuqisë punëtore në Ballkanin Perëndimor” organizuar nga Organizata Ndërkombëtare e Punës dhe OSBE-së.
“Mungesa e fuqisë punëtore është një sfidë e kohëve moderne dhe vjen si pasojë e disa faktorëve, si tranzicioni demografik, futja e teknologjive të reja, si dhe kushtet e punës.
Jemi dëshmitarë se në gjithnjë e më shumë vende, veçanërisht në Evropë, punëdhënësit raportojnë probleme me gjetjen dhe mbajtjen e fuqisë punëtore”, tha Trençevska.
Ajo theksoi se vendi ynë nuk është anashkaluar nga ky trend global dhe theksoi se nga njëra anë vendi përballet me papunësinë dhe pasivitetin e popullsisë, ndërsa nga ana tjetër çdo ditë shpallen vende të lira pune.
Por, po harron ministrja se në vendin tonë kanë qenë punëtorët por ja kushtëzuar të kenë libreza partiake për tu punësuar, ka pasur çmimore punësimi duke filluar nga 5.000 euro e sipër. Pastaj çështja e sigurisë në punë, pagesa në kohë të rregullt, trajtimi nga punëdhënësit gjitha këto janë vetëm një shtytje shtesë. Dhe, gjitha këto pengesa gjatë punësimit të të rinjve kanë ndikuar në shpërthimin e revoltës së tyre me largim nga vendi. Në fakt, keqbërja politike përzuri të rinjtë e punëtorët nga vendi e mos të relativizohet me sfidë të kohëve moderne. Kjo mund të vlejë për vendet tjera por jo edhe për Maqedoninë e Veriut. /Zhurnal.mk