Agjencia Zhurnal.mk
Maqedoni

OKB dhe OBSH thirrje për drejtësi në periudhën e rimëkëmbjes nga pasojat e Kovid-19

 Shkup, 7 prill – Zhurnal – Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe agjencitë e saj simotra nga sistemi i Kombeve të Bashkuara me rastin e 7 Prillit, Ditës Botërore të Shëndetit, u bëjnë thirrje të gjithë liderëve dhe partnerëve ndërkombëtarë që të udhëhiqen nga parimet e gjithëpërfshirjes dhe drejtësisë gjatë hartimit të planeve për t’iu përgjigjur Kovid-19 dhe për rimëkëmbjen e pasojave nga pandemia, në mënyrë që të ndërtohet një botë më e drejtë dhe më e shëndetshme për të gjithë.

Nga Zyra e OBSH-së në Shkup njoftuan se pandemia me Kovid-19 nxori në dritë dallimet ekzistuese mes njerëzve sa i përket moshës, gjinisë, arsimit, punësimit, qasjes deri te uji i pastër dhe ajri i pastër dhe, gjithsesi, qasjes deri te mbrojtja shëndetësore dhe ajo sociale financiare. Këto padrejtësi, siç theksojnë, janë pengesa për një jetë më të shëndetshme dhe qasje më të mirë në shërbimet shëndetësore dhe dëmtojnë shoqëritë dhe ekonomitë tona.

“Pse Kovid-19 la pasoja më të rënda mbi disa njerëz të caktuar në krahasim me të tjerët? Gjërat janë të thjeshta: këta njerëz në të shumtën e rasteve kanë punë më të keqe, banim më joadekuat, jetojnë në bashkësi më të varfra dhe qasja deri te mbështetje sociale dhe mbrojtja shëndetësore është më e vështirë sesa e të tjerëve. Është koha që të gjithë të kenë shans të barabartë dhe të ngrihemi nga hiri i pandemisë në mënyrë që në të ardhmen qëllimi ynë të mos jetë thjesht të mbijetojmë, por të përparojmë”, shprehet në deklaratën me shkrim drejtori rajonal i OBSH-së për Evropë, dr. Hans Kluge.

Siç qëndron në kumtesën e Zyrës së OBSH-së në Shkup, Kovid-19 goditi rëndë të gjitha vendet, por ndikimi negativ mbi qytetarët në kuadër të një vendi ishte shpërndarë në mënyrë të pabarabartë. Shumë shpesh, siç theksohet, pasoja më të rënda pësuan pikërisht bashkësitë e rrezikuara, të cilat ishin më të ekspozuara ndaj sëmundjes dhe me qasje të vështirësuar deri te shërbimet cilësore shëndetësore. Si rezultat i kësaj situate, këto bashkësi janë nën rrezik më të madh nga shfaqja e pasojave negative si rezultat i masave që zbatohen për të ndalur përhapjen e pandemisë.

Sipas ministrit të Shëndetësisë Venko Filipçe, drejtësia për të gjithë sa i përket shëndetit është kusht themelor për zhvillimin e një vendi.

“Ministria e Shëndetësisë dhe e gjithë Qeveria punojnë pa u kursyer për të eleminuar gjithçka që do të thotë vuajtje të panevojshme të njerëzve, sëmundje që mund të shmangen dhe vdekje të parakohshme. Ne kemi rritur kapacitetin e sistemit shëndetësor për të siguruar kujdes për të sëmurët nga Kovid-19 dhe për të zbatuar aktivitete përkatëse anti-kovid në fushën e shëndetit publik, njëherësh duke ruajtur sigurimin e shërbimeve thelbësore shëndetësore. Qeveria menjëherë ndërmori aktivitete për të mbrojtur jetesën e shëndetshme, siç ishte ngrirja e çmimeve të artikujve themelorë ushqimore, ilaçet dhe produktet tjera, duke mbrojtur kështu vendet e punës dhe ekonominë”, transmeton porosinë e Filipçes në kumtesë Zyra e OBSH-së në Shkup.

Mesazhe të veçanta u dërguan gjithashtu nga Rosana Dudzak, Koordinatore e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Maqedoninë Veriore dhe Patricia Di Giovanni, Përfaqësuese e Fondit të Fëmijëve të Kombeve të Bashkuara (UNICEF) në Maqedoninë e Veriut.

“Në mes të njërës prej krizave më të mëdha shëndetësore në historinë më të re, në këtë Ditë Botërore të Shëndetit të gjithë duhet të falënderojmë sinqerisht mjekët, infermierët dhe teknikët mjekësorë, farmacistët, kuadrin administrativ në spitale dhe shumë punëtor të tjerë shëndetësorë të cilët punojnë pa u lodhur dhe shpëtojnë jetë të njerëzve. “Është detyra jonë të bëjmë çmos për të bërë jetë më të shëndetshme, të mbajmë maskë, të mbajmë higjienën dhe të mbajmë distancë nga njëri-tjetri në mënyrë që t’i japim fund pandemisë Kovid-19”, tha Duxhak.

Sipas Di Xhovanit, pandemia me Kovid-19 ka minuar shumë themele në të cilat mbështetet qasja e fëmijëve në kujdesin shëndetësor, arsimin dhe mbrojtjen e fëmijëve.

“Jemi dëshmitarë të një numri të reduktuar të shërbimeve për fëmijë në pjesën e diagnostifikimit, shërimit të sëmundjeve kronike dhe kujdesit primar shëndetësor për shkak të frikës së prindërve nga infektimi i mundshëm i fëmijëve me virus. Në nivel global, kufizimet e lëvizjes, karantinat, kalimi drejt mësimit në distancë dhe socializimi i reduktuar kanë ndikuar negativisht në shëndetin mendor të fëmijëve, gjë që është identifikuar si rrezik kryesor për shëndetin e fëmijëve që rezulton drejtpërdrejt nga pandemia. Ashtu siç qeveritë në të gjithë botën shpenzojnë miliarda dollarë për të shpëtuar ekonomitë e tyre, gjithashtu ekziston nevojë urgjente për të investuar te fëmijët për të parandaluar krizën shëndetësore të përshkallëzohet në krizë me të drejtat e fëmijëve”, tha Di Xhovani.

Shefja e zyrës së Fondit të Popullsisë të Kombeve të Bashkuara (UNFPA) Afërdita Shala Plavjanska tregon se nëse para pandemisë me KOVID-19 më shumë se gjysma e grave dhe vajzave në vend ishin viktima të një forme të dhunës, tani ky numër është edhe më i lartë.

Vesna Ivanoviq – Kastared, udhëheqëse/specialiste e programit në Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Barazi Gjinore dhe Fuqizimin e Grave (UNWomen) në Maqedoninë e Veriut, përsëri u bëri thirrje të gjithëve që të punojnë së bashku në mënyrë që çdo grua dhe vajzë të ndjehen të sigurt dhe të marrë shërbimin që i nevojitet për mirëqenien e saj!.

“Kovid-19 thelloi pabarazitë gjinore, duke vendosur një barrë edhe më të madhe në kurrizin e punëtoreve shëndetësore. Ato janë në vijën e frontit në luftën kundër virusit dhe të gjithë duhet t’u shprehim mirënjohje për kontributin e tyre që e japin dhe t’u shprehim mbështetje dhe falënderim”, porositi Ivanoviq-Kastared.

Siç thekson Zhihan Tavila, përfaqësuese e OBSH-së në Maqedoninë e Veriut, OBSH-ja është e përkushtuar në angazhimin që secili kudo mund të ushtrojë të drejtën e tyre për shëndet të mirë.

“Politikat e suksesshme kombëtare të zhvillimit janë ato që synojnë të tejkalojnë dallimet në shëndetin dhe që ndikojnë pozitivisht në shëndetin dhe mirëqenien. Nevojitet qasje e përbashkët me qasjet e harmonizuara multisektoriale për zgjidhjen e problemeve. Njëherësh, u bëjmë thirrje liderëve t’i kushtojnë vëmendje problemit me parregullsive në aspektin e shëndetit, si dhe të sigurojnë që të gjithë njerëzit të kenë qasje deri te shërbimet cilësore shëndetësore, atëherë kur dhe ku kanë nevojë për to”, shprehet  Tavila.

Politika e e OBSH-së për drejtësi në aspektin e shëndetit i përmend masat si vijon si fusha me potencialin më të madh për të sjellë dallim pozitiv, veçanërisht nëse zbatohen së bashku: uljen e barrës së pagesave nga xhepi për shërbimet shëndetësore, duke mundësuar në këtë mënyrë që mbrojtja shëndetësore të jetë e kapshme dhe e përballueshme në aspekt të çmimit për të gjithë, forcim të mbrojtjes sociale me qëllim që të ulen pabarazitë në të ardhura dhe të garantohet një niveli themelor i sigurisë së të ardhurave, rritjen e investimeve në banim cilësor dhe të përballueshëm në aspektin e çmimi dhe në lagje të sigurta përplot me energji jetësore, t’u ndihmohet në mënyrë proaktive njerëzit të gjejnë punë dinjitoze dhe të shëndetshme dhe të ulet papunësia, forcim të arsimit dhe mësimit të përjetshëm, duke marrë parasysh se përmirësimi i arsimimit letrar dhe numerik u ndihmon njerëzve të marrin përsipër kontrollin e jetës personale dhe rritje të pjesëmarrjes civile, ulje të kriminalitetit dhe krijim të lidhjeve sociale.

Fushata në Maqedoninë e Veriut lidhur me temën e sivjetshme të Ditës botërore të shëndetit do të zhvillohet gjatë gjithë vitit 2021 duke filluar nga sot, me ç’rast do të përdoren rrjetet sociale dhe takimet virtuale ku do të mund të dëgjohen dëshmi nga një numër i madh i mbështetësve të parimit të drejtësisë, në aspektin e shëndetit, qëndron në kumtesën.

Postime të ngjashme

Shkupjani privohet nga liria për kontrabandim të emigrantëve

R Zh

Regjistrimi në Diasporë dukshëm më i ulët se sa ai para vendimit për shtyrje, kush i dëshpëroi!

R Zh

Mungesa e vaksinave ndërpret edhe fushatën e ndërgjegjësimit për vaksinim

R Zh

Tridhjetë ditë paraburgim për gjashtë të arrestuarit për tregti të paligjshme me 200 kilogram marijuhanë

R Zh

Sot 46 viktima dhe 687 raste të reja me COVID-19 në Maqedoni

R Zh

Qeveria demanton Milloshoskin: Zaevi dhe Spasovski nuk u kanë dhënë pasaporta pjesëtarëve të ISIS-it

R Zh

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...