Onkologjia duhet të jetë në fokus të ministrit të ri të Shëndetësisë!

nga I.A

Shkup, 11 korrik – Krahas problemeve të shumta me të cilat përballet sektori i shëndetësisë, ardhja e një ministri të ri në krye të këtij institucioni është shpresë për të gjithë qytetarët pa dallim në veçanti për pacientët. Sepse, mjaftë është eksperimentuar me këtë sektor dhe kanë ndodhur skandale të natyrave të ndryshme, e më i rëndi ndër vite ka qenë shitja e ilaçeve dhe vdekja e pacienteve si pasojë e mungesës së ilaçrave. Prandaj, është e rendit që ministri i ri i Shëndetësisë, Arben Taravari, t’i kushtojë vëmendje të posaçme pacientëve të Onkologjisë, që të kenë terapi të mjaftueshme, shkruan Zhurnal.

Problemi me terapitë për të sëmurët me kancer duhet të zgjidhet sa më parë –

Pacientët, të cilët  trajtohen në Klinikën e Onkologjisë nuk ndjehen të sigurt dhe nuk po shohin se ministri i ri apo drejtori do të merret seriozisht e me përgjegjësi me nevojat e tyre. Para dyerve të klinikës ku pacientët presin për të marr ilaçin e shpëtimit, që të tre u prononcuan për Alsat se ka telashe, por asnjëri nuk dha afat se kur do të gjendet zgjidhje afatgjate për mijëra pacientë.

“Ai është problem i madh, ne jemi nga fundi me parapërgatitjet, kur dhe kujt duhet ti jepet terapia. Të jemi të sinqertë në disa raste duhet të shikohet në mënyrë racionale, nuk besoj se kolegët këtu japin terapi atje ku nuk duhet, po iu jepen pacientëve më në nevojë. Kur të kemi qëndrime të qarta ku do të dihet saktë kujt dhe kur duhet të jepet terapia, do të jetë shumë më e qartë. Shpresoj që për 1-2 muaj të sjellim një kornizë zyrtare për të gjitha terapitë që përdorën edhe në këtë klinikë”, tha Arben Taravari, Ministër i shëndetësisë.

“Kishte problem me njërin nga ilaçet, po punojmë të zgjidhim problemin dhe shpresoj që në një afat sa më të shpejtë do ta kemi edhe barin e munguar në klinikë. Terapia biologjike edhe më tej funksionon nga mjekët tanë onkologë, të cilët në mënyrë konzoliare vendosin për terapinë dhe mendoj se për të gjithë pacientët që ka indicie do ta marrin atë terapi biologjike”, u shpreh Igor Stojkovski, Drejtor i Klinikës së Onkologjisë për Alsat.

“Tani më kemi dy ditë që jemi në komunikim me udhëheqësin e klinikës për buxhetin dhe mungesën e të gjitha barërave. Ne do të bëjmë përpjekje maksimale që politikat shëndetësore dhe financimi të ecin së bashku. Posa të bëhet rebalanci i buxhetit do të përpiqemi të sigurojmë mjetet për terapitë në Onkologji, Hematologji dhe nëpër institucionet tjera shëndetësore ku ka mungesë të buxhetit”, theksoi Sasho Klekovski, Drejtor i Fondit shëndetësor, për Alsat.

Kujtojmë skandalin në Klinikën e Onkologjisë në Shkup –

Gazetaret Mulaçka e Simonovska zbulojnë detaje tjera mbi skandalin e Onkologjisë, gjëra që publiku deri më tani nuk i ka dëgjuar, madje as që ka mundur t’i paramendojë që mund të kishin ndodhur deri në atë nivel. Gazetarja Irena Mulaçka e cila e para zbuloi keqpërdorimet në Onkologji, në “Click Plus” TV21 tregon se si pacientëve në prag të vdekjes u është kërkuar ryshfet prej 1500 eurove, me qëllim që siç thotë, t’u zgjatet jeta edhe pak. Megjithatë siç zbulon Mulaçka, atyre pacientëve u është dhënë thjesht terapi kundër ënjtjes.

“Pacientë të cilët kanë qenë në fazë terminale para vdekjes, u është premtuar se nëse japin nga 1000 deri 1500 euro, në një farë mënyrë do u ndihmohet t’u vazhdohet jeta. Familjet normalisht, shpresa e fundit vdes, kanë vrapuar pas mjekut, u kanë dhënë para, mirëpo ai motrave të repartit u ka thënë se duhet të japin terapi të cilën e dinë gjysma e klinikës. Terapinë e dinë të gjithë por ajo që ka ndodhur nuk e tregon askush. Bëhet fjalë për “Manitol”, ilaç kundër ënjtjes. “Deksazon”, antibiotik dhe vitamin C”, sqaroi Irena Mulaçka, gazetare e “Fokus”.

Gazetarja Mirosllava Simonovska nga “Sloboden Peçat”, thotë se në “Ultra Sistemin” e Onkologjisë ende figurojnë si të gjallë pacientë të cilët kanë vdekur. Vërejtje ka edhe te buxheti i klinikës, për shkak se nuk i përmbushë nevojat e pacientëve.

“Dua të tregoj se kemi zbuluar se të gjithë pacientët, pavarësisht nëse kanë vdekur apo ende janë gjallë, në atë sistem figurojnë si të gjallë. Nuk ekziston mënyrë, dosja e pacientit në atë ultra sistem të mbyllet për shkak se ka vdekur. Reversi ndodh për shkak se buxheti bazë për blerjen e terapisë biologjike të cilën e jep ministria e shëndetësisë dhe fondi i shëndetësisë, është disa herë më i ulët se nevoja e pacientëve”, tha Mirosllava Simonovska, gazetare e “Slloboden Peçat“

Parregullsitë në Klinikën e Onkologjisë në një intervistë për REL i vërtetoi edhe revizori kryesor shtetëror Maksim Acevski. Sipas tij, Klinika e Onkologjisë posedon akselerator për mjekim të pacientëve në Onkologij, por për shkak moskrijimit të kushteve, aparatet nuk janë vënë në funksion. Problem ka edhe në mënyrën si është udhëhequr dhënia e terapisë.

Në vendin ku skandalet janë të njëpasnjëshme gjithçka është e mundur, por që deri në këtë nivel nuk e kishte menduar askush. Në një institucion shëndetësor aty ku humanizmi duhet të jetë mbi nivel është bërë terror human dhe akti më çnjerëzor që mund të ndodhë. Vjedhje e ilaçeve, kërkim i ryshfetit “për zgjatje jete”, si dhe mos evidentim i personave të vdekur, krejt kjo për përfitime materiale. Njerëz me shpirt të varfër në kurriz të pacientëve hallexhinjë kanë tentuar që të pasurohen. Mbase, edhe janë pasuruar disa prej tyre por i gjithë ky “biznes” i tyre mori fund, bashkë me biznesin e tyre edhe vet ata.

Parandalimi i rasteve të tilla mund të ndodhë vetëm përmes një mënyre, duke hetuar pasurinë e secilit punonjës shëndetësor në mënyrë të detajuar, duke vendosur njerëz të përgjegjshëm e parasegjithash të ndërgjegjshëm në krye të Klinikave. Si dhe mënyra më efikase është që tani më kemi një mega skandal të zbuluar dhe kjo ngjallë dilema që skandale të kësaj natyre mund të kenë ndodhur edhe në Klinikat tjera. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More