“Open Balkan” që ua mbyllë rrugën shqiptarëve

Shkruan: Daut Dauti, Londër

 

Iniciativat rajonale gjithmonë bëhen për qëllime të zhvillimit ekonomik dhe kulturor. Bashkëpunimi ekonomik dhe kulturor i afron vendet edhe në aspektin politik. Kështu do të duhej të shikohej edhe “Open Balkan”, i cili organizim është ende në fazën e iniciativës politike. Edhe pse marrëveshja është nënshkruar në Shkup, ende nuk ka plan të hartuar në mënyrë të qartë që paraqet detajet e bashkëpunimit në të ardhmen. Kjo organizatë rajonale ende nuk ka buxhet e as administratë ose gjëra tjera të domosdoshme që e vënë në lëvizje ingranazhin e saj.

Natyrisht që “Open Ballkan” është lavdëruar nga palët nënshkruese, gjegjësisht nga administrata e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, së bashku me mediat që janë në shërbim të këtyre tri qeverive. Megjithatë, pothuaj se i tërë opinioni i pavarur, këtë marrëveshje e sheh si kontroverse.

Së pari “Open Balkan” është në kundërshtim me “Procesin e Berlinit”, një iniciativë diplomatike që ka të bëjë me zgjerimin e Bashkimit Europian, e cila nisi në Konferencën e Berlinit më 2014 nga kancelarja e Gjermanisë Angela Merker dhe që pasoi nga disa tubime të tjera të kësaj natyre dhe të këtij niveli. “Procesi i Berlinit” parasheh afrimin e tërë vendeve të Ballkanit (Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës) me Bashkimin Europian. Por, në Shkup, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina refuzuan pjesëmarrjen dhe nënshkrimin e marrëveshjes, e cila e ndërroi emrin nga “Mini Shengeni” në “Open Balkan”. Refuzimi i gjysmës së shteteve flet për përfshirjen gjysmake të territorit që përbëjnë tri shtetet refuzuese. Me pak fjalë, nga kjo pikëpamje “Open Balkan” është dështim.

Dështimi është zyrtarizuar edhe nga deklaratat e Edi Ramës, Alëksandër Vuçiqit dhe Zoran Zaevit, nënshkruesve në Shkup. Deklaratat e tyre bënin me dije se këto tri vende po e zgjerojnë bashkëpunimin rajonal në këtë mënyrë për shkak se nuk mund të pritnin zyrtarët e Bashkimit Europian të cilët janë duke e injoruar Ballkanin. Cila është domethënia e deklaratës së tyre se “Ballkani Perëndimor nuk mund të presë derisa Bashkimi Europian t’i zgjidhë problemet e brendshme në mënyrë që zgjerimi të shkoj para?”. Kjo mund të tingëllojë edhe si kërcënim që vjen nga fakti se këta tre liderë të injoruar më nuk mund të presin.

Ndoshta kjo deklaratë edhe është e saktë, por në veprimet diplomatike që kanë të bëjnë me bashkëpunime rajonale ekzistojnë disa rregulla që duhet të respektohen. Nëse dëshirohet hyrja e plotë në Bashkimin Europian, duhet të respektohen rregullat që ka vendosur kjo bashkësi për shtetet aspiruese ose kandidatët potencialë. Pra, ky rregull nuk u respektua në Shkup.

Tek e fundit në rajon ka ekzistuar CEFTA, organizatë e ngjashme me qëllimet e “Open Balkan”. Nëpërmes kësaj organizate (CEFTA), sipas shënimeve të fundit, Serbia ka shënuar një eksport të mallrave që kalojnë shifrën 3 miliardë euro, kurse importi i këtij vendi nuk e arrin shifrën 1 miliard. Ky trend do të vazhdojë me “Open Balkan”, që ka për qëllim ofrimin e “mundësisë së konkurrencës së lirë të tregut”, siç thuhet në tekstin e kësaj marrëveshjeje.

Nuk duhet analizuar shumë për të parë se me këtë marrëveshje përfiton vetëm Serbia. Prodhimi dhe plasimi në treg i mallrave të Serbisë është në avantazh të pakrahasueshëm me atë të Maqedonisë së Veriut e, sidomos, me atë të Shqipërisë. Deficiti tregtar i Shqipërisë me Serbinë është i madh dhe do të rritet edhe më shumë me zbatimin e “Open Balkan”. Shto faktin se zyra e implementimit të marrëveshjes me siguri do të hapet në Beograd dhe gjërat janë edhe më të qarta.

Në këso raste shtetet si Shqipëria do të duhej të mendonin për marrëveshje të këtilla vetëm pasi do ta forconin ekonominë. Vetëm ekonomitë përafërsisht të barabarta mund të hyjnë në konkurrencë, e cila edhe do të ndikonte në përparim. Por, në rastin e Shqipërisë me Serbinë nuk bëhet fjalë për konkurrencë. Shqipëria do të shndërrohet në treg ku plasohen mallrat serbe. Në këtë rast, nga lëvizja e lirë do të përfitonte vetëm turizmi në Shqipëri. Megjithatë, ky nuk do të ishte ndonjë përparim i mirëfilltë nëse tregu dominohet nga mallrat serbe. Në mënyrë të zhdrejtë, edhe turizmi do të varet nga konsumi serb.

Kur është fjala për këtë marrëveshje, asnjë analizë nuk flet në favor të tregtisë dhe ekonomisë së Shqipërisë.  Por, për hir të argumentit, ta marrim se “Open Balkan” do të përfundojë me sukses siç e dëshirojnë tri palët nënshkruese. Ky sukses nënkupton fuqizimin e mëtejmë të Serbisë dhe dobësimin e Shqipërisë. Tërë kjo situatë do të reflektohet në dëm të Kosovës, një shtet ky që ka arsye të fuqishme për refuzimin e kësaj marrëveshje. Njëkohësisht dobësohet edhe pozita negociuse e Kosovës në bisedime me Serbinë. Tërë kjo ndodhë kur nuk ka asnjë shenjë se gjendja politike në Serbi, nën udhëheqjen e Vuçiqit, do të ndryshojë në favor të zgjidhjes së problemit të njohjes së subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Vuçiqi pa ndërprerë proklamon dhe zbaton një politikë kundër Kosovës, e cila në esencë mbetet fashiste e bile, kohëve të fundit, është edhe në rritje. Madje, nuk ka shenja të krijimit të një klime të volitshme në Ballkan edhe nëse Vuçiqin do ta zëvendësonte eventualisht ndonjë lider tjetër serb. Në këtë situatë Serbia, me ekonominë e saj në rritje e sipër, do të forcohet edhe politikisht dhe gjasat për heqje dorë nga kjo politikë antishqiptare do të zvogëlohen edhe më shumë. Dhe, i tërë ky faktorizim i Serbisë do të bëhet me ndihmën e politikës që është duke u bërë në Tiranë.

Këto zhvillime do t’i rëndojnë edhe më tej marrëdhëniet e luhatura në mes Tiranës dhe Prishtinës, që momentalisht emërtohen Rama-Kurti. Pra, efekti negativ brendashqiptar do të marrë karakterin dhe pamjen ndarëse edhe zyrtarisht. Kjo gjendje nuk prodhon asnjë pasojë të dëshirueshme, pos divergjencave të thella politike e kulturore. Kjo gjendje ua mbyllë shqiptarëve rrugën e bashkëpunimit të nevojshëm me tyre, por edhe atë të depërtimit të jashtëm ekonomik dhe politik.

Në këto rrethana Ballkani do të bëhet arenë e ashpër e konkurrencës për dominim ndërmjet Rusisë dhe Turqisë. Natyrisht, me Serbinë në krah, Rusia ka gjasa më të mëdha për shtrirje të ndikimit. Kjo është diçka që shkon kundër qëllimit të Bashkimit Europian dhe qasjes ose angazhimit amerikan në Ballkan, posaçërisht në Shqipëri dhe Kosovë.

Sidoqoftë, vënia e nënshkrimit në Shkup nuk do të thotë se gjërat kanë përfunduar dhe se kjo marrëveshje mund të zbatohet. Gjatë të ardhmes Rama, Vuçiqi dhe Zaevi, do të duhej të kërkonin një zgjidhje tjetër, duke i lënë anash ambiciet e tyre populiste, të cilat nuk ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohen popujt në Ballkan. Në fakt, këto veprime vetëm se e injorojnë problemin e Kosovës, duke e defaktorizuar elementin shqiptar.

Në vend të këtij angazhimi jopozitiv dhe jofrytëdhënës, tre nënshkruesit e Shkupit duhet të përfshihen në veprime të tjera, të cilat do të çonin në përmbushjen e kritereve që do t’ua shpejtonin anëtarësimin e plotë në Bashkimi Europian. Vetëm brenda këtij unioni lëvizja e njerëzve dhe mallrave ka kuptim të plotë dhe është gjithëpërfshirëse europiane. Ky është synim i tërë popujve të Ballkanit dhe politikanët duhet ta dëgjojnë zërin e tyre.

Related posts

Çetniki numër (1) serb, Shesheli

D V

VAR-i poli(e)tik: Hapja e arkivave të UÇK-së dhe arkivimi i opozitës

D V

Historia e shkruar nga humbësit

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com