Agjencia Zhurnal.mk

Opozita me vërejtje për pakon e katërt ekonomike: S’ka informacione për implikimet buxhetore

Shkup, 28 shtator, zhurnal.mk – 470 milion euro përmes 31 masave qeveritare duhet të përfundojnë te qytetarët dhe kompanitë me pakon e katërt të masave ekonomike për rimëkëmbjen e ekonomisë nga pasojat e virusit korona. Sipas vlerësimeve, me tre pakot e mëparshëme, ndihma do të kalojë shifrën prej 1 miliard euro, kështu dje e paralajmëroi pakon e katërt ekonomike kryeministri Zoran Zaev.

“Pakoja e re synon të sigurojë qëndrueshmërinë e veprimtarive të brendshme ekonomike dhe vendeve të punës, për rimëkëmbjen e disa veprimtarive, për të siguruar stabilitetin e transferimeve sociale”, tha Zoran Zaev- kryeministër.

Mbështetja për pagesën e rrogave do të jetë e vlefshme deri në fund të vitit. Do të përcaktohet gradualisht sipas rënies së të ardhurave të secilës kompani të interesuar veçmas. Për shkak të kësaj, ajo do të lëvizë nga 14,500 deri në 21,766 denarë për të punësuar. Por, kompanitë do të jenë në gjendje ta përdorin këtë ndihmë vetëm nëse nuk kanë larguar nga puna si rezultat i krizës së koronës deri më 1 korrik të kësaj vere.

Kartelë pagesore prej 6.000 denarëve do të marrin prindërit e vetëm, kërkuesit pasiv të punës, pensionistët që e kanë pensionin deri në 15,000 denarë, studentët, punonjësit kulturor dhe të filmit. Më shumë se 350,000 qytetarë do të kenë mundësinë për të blerë gjatë fundjavave pa TVSH. Bëhet fjalë për fundjavën e zgjatur nga 10 deri më 12 tetor.

Për opozitën shqiptare kjo masë është vetëm vazhdimësi e tri masave tjera. Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Elmi Aziri për Zhurnal thekson se kjo masë është afatshkurte, dhe nëse vazhdon pandemia edhe vitin e ardhshëm, ekonomija vështirë se do të ketë kapacitete për ta përballuar pandeminë vetëm me shpërndarje të mjeteve.

Sipas tij kësaj pakoje i mungojnë informacionet mbi implikimet buxhetore.

“Logjika e pakos së katërt ekonomike është e njejta me tri pakot e tjera. Në fakt është vazhdimësi e tri pakove të mëparshme. Fakti që kemi pako të katërt, nxitë dilema për efikasitetin e masave ekonomike për përballjen e krizës. Përvec mbështetjes së pagave dhe kartelave pagesore që së bashku janë 100 milion euro, pjesa tjetër e pakos është në formë të kredive që do të përkeqëson likuiditetin e kompanive edhe ashtu të vështirësuar. Shqetësuese është mungesa e planifikimit të një pakoje investive që do të mundësonte një ballafaqim më produktiv me krizën. Nuk mund të fitohen krizat vetëm me shpërndarje të mjeteve, por duhet investime që të angazhohet fuqi punëtore dhe me këtë edhe konsumi. E kuptoj që këto janë masa afatshkurtëra, por lind dilema, nëse edhe pandemia vazhdon edhe në vitin 2021 a do të kemi kapacitet ne si ekonomi ta përballojmë edhe vitin 2021 vetëm me shpërndarje të mjeteve. Kësaj pakoje i mungojnë dhe informacionet mbi implikimet buxhetore!”, ka deklaruar për Zhurnal, deputeti i ASH-së, Elmi Aziri.

Edhe VMRO-DPMNE-ja kritikon masat e reja ekonomike të propozuara nga Qeveria. Sipas liderit të saj, Hristijan Mickoski këto masa janë masa të një Qeverie mafioze e cila futet në borxh për të dal nga kriza.

Mickoski pakon e katërt e cilësoi si të vonuar dhe dëshmi për tre pakot e dështuara paraprakisht. Sipas tij, Qeveria për 3 muaj ka rritur borxhin publik për 1 miliard euro, ndërsa zhvillimi industrial, projektet kapitale dhe shkëmbimi ekonomik kanë shënuar rënie drastike.

“Pakoja e katërt ekonomike është thirrje për t’u shpërqendruar vëmendja nga problemet reale. Mafia do të bëhet më e pasur, ndërsa populli më i varfër. Tre pakot e deritanishme ishin keq të menaxhuara për të menaxhuar krizën ekonomike, ndërsa qëllimi i tyre ishte blerja e votuesve para zgjedhjeve. Dëshmi për këtë është që përjashtim kartelave pagesore të cilat u bënë për t’i blerë zgjedhjet, të gjitha masat tjera ekonomike mbetën të parealizuara.

Ndryshe, kjo masë parashikohet të bëjë një qarkullim total prej 170 milion euro ndërsa projektimet arrijnë në 250 milion, para që do të jenë një injeksion për ekonominë. Në të njëjtën kohë, qytetarët pritet të marrin të paktën 17 milion euro nga kthimi i TVSH-së.

Në mesin e masave të tjera janë të përfshira edhe grejs- periudha kredi pa interes, 100 milion euro kredi nga Banka Vendore për Zhvillim. Këtu përfshihet edhe aktiviteti i turizmit, respektivisht pagë për 150 ciceronë turistik të regjistruar deri në fund të vitit, kthim të taksës turistike për vitin 2019, grante për 500 agjenci turistike. Zaev gjithashtu paralajmëroi grante edhe për restorantet për dasma, por edhe ulje të shkallës së TVSH-së për këto aktivitete hotelierike, zgjatjen e licencave për funksionimin e diskove dhe klubeve. Grante do të jepen gjithashtu edhe për këndet e fëmijëve në shumën prej 1,000 deri në 5,000 euro. Ndërsa, sa u përket zejtarëve, do të kenë ulje të TVSH-së për shërbimet nga 18 në 5 për qind për konkurrencë më të madhe në treg. Masat ekonomike i përfshijnë edhe vreshtarët, kazinot, kontabilistët dhe kompanitë nga sektorë të ndryshëm.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

XH.I

Lajmet e fundit

Loading...