Agjencia Zhurnal.mk

Opozita shqiptare s’është kontaktuar nga Zaevi për ligjin për prokurorinë

Shkup, 21 janar, zhurnal.mk – Opozita shqiptare përgënjeshtron liderin e LSDM-së, Zoran Zaev se ka mbështetjen e tyre për miratimin e Ligjit për Prokurorinë Publike. Sipas tyre, Zaev nuk ka komunikuar me liderët opozitar, ndërsa tekstin e propozuar partitë shqiptare janë duke e shqyrtuar. Aleanca për Shqiptarët thonë se janë të gatshëm për të negociuar rreth propozimit.

“Votat e deputetëve të ASH-së i posedon vetë ASH-ja. Nuk ka bisedime të kësaj natyre dhe askush nuk i ka premtuar për miratimin e Ligjit për Prokurorinë. Ju e dini qëndrimin tonë. Kush nuk e di le t’i shohë amendamentet tona që kemi propozuar ndaj tekstit të dytë, amendamente të cilat synojnë ruajtjen e PSP-së dhe kryeprokuror nga BE-ja. Ne jemi të hapur për bisedime të cilat synojnë përmirësimin e ligjit nëse ky ligj është një nga kushtet për hapjen e negociatave për BE”, tha Syrija Rashidi, deputet i ASH-së.

Lëvizja Besa thonë se ndjehen të tradhtuar nga Zaev për shkak të mos respektimit të marrëveshjes për vendosjen e grafës së përkatësisë etnike në letërnjoftime. Sipas tyre, deri tani nuk ka pasur kontakte dhe se teksti i ligjit po shqyrtohet në hollësi.

“Kryetari i LSDM-së nuk mund të thirret në votat tona të cilat i kemi në Kuvend, por mund të thirret vetëm në votat e shumicës parlamentare. Kjo për një arsye shumë të thjeshtë: Ai nuk e mbajti fjalën dhe nuk respektoi marrëveshjen që e kishte me Lëvizjen Besa kur ishin ndryshimet kushtetuese”, pohoi Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes Besa.

BDI nuk ka dilema ndaj tekstit të ligjit. Sipas tyre, me rëndësi është që lëndët e Speciales janë siguruar, ndërsa miratimin e ligjit e shohin si të nevojshëm për datën e negociatave me BE-në. Edhe 8 deputetët e pavarur mohojnë se janë kontaktuar nga kreu i LSDM-së për të siguruar 80 votat e nevojshme për miratimin e ligjit. Nga grupi i pavarur parlamentar nga VMRO-DPMNE-ja thonë se akoma nuk e kanë shqyrtuar propozimin e pushtetit. Lëvizje nuk ka as nga grupet e punës, por përfaqësuesi i Qeverisë, Bojan Mariçiq dhe Timço Mucunski nga opozita do të takohen për të formuluar dinamikën e negociatave mes pushtetit dhe opozitës me qëllim harmonizimin e tekstit të ligjit. Pushteti kërkon që ligji të miratohet para shpërndarjes së Kuvendit dhe të shërbej si argument për vendet e BE-së me qëllim hapjen e negociatave, ndërsa opozita thonë se janë për negociata por mbi ligj Evropian dhe jo mbi dispozita të cilat sipas tyre amnistojnë strukturat e inkriminuara të LSDM-së.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

XH.I

Lajmet e fundit

Loading...