Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka deklaruar se hapja e urës së Ibrit është në interes të të gjithë qytetarëve.
Kështu ka deklaruar pas takimit që ka pasur me komandantin e KFOR-it në Kosovë, Ozkan Ulutas, transmeton Telegrafi.
“Hapja e urës si akt normalizimi e integrimi është në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie. Suksesi afatgjatë e i qëndrueshëm arrihet gjithnjë bashkë me aleatë”, ka pohuar presidentja.
Para disa ditësh, komandanti i KFOR-it ishte në vizitë edhe te kryeministri Albin Kurti, ku kishin diskutuar për zhvillimet e fundit.
Ndryshe, hapja e urës së Ibrit është ndër temat më të diskutuara në vend.
Përkundër kundërshtimeve nga ndërkombëtarët për hapjen e kësaj ure, Qeveria e Kosovës mbetet e vendosur që ura duhet të hapet, dhe përgatitjet për hapjen e saj kanë nisur tash e disa ditë, ku tashmë ka përfunduar testimi për stabilitetin infrastrukturor të urës.
Ndonëse ndër vite u arritën marrëveshje e dakordime, u investua në infrastrukturën e saj si dhe u hap për qarkullim të këmbësorëve, ura e Ibrit vazhdon të jetë e bllokuar për automjete.
BE-ja ka kërkuar edhe një hap shtesë, një diskutim të ri në dialogun Kosovë-Serbi.