Shkup, 4 shkurt – Paga minimale gjithsesi që duhet të rritet duke marrë për bazë shpenzimet e shumta që kanë arritur majat e shumë vështirë janë të përballueshme për një familje që varet nga një pagë minimale. Punëtorët në sektorin privat janë të rrezikuar shumë prej tyre punojnë pa qenë të siguruar, por edhe punëdhënësit e kanë të vështirë që t’i mbulojnë kontributet që janë tejet të larta. Prandaj, për tu zgjidhur ky problem në mes duhet të intervenojnë institucionet shtetërore. Në veçanti për gazetarët që janë në shërbim pa ndalë duhet të jenë të liruar nga pagesa e kontributeve, shkruan Zhurnal.
Paga minimale mund të rritet por nevojitet përkrahje e pushtetit –
E mundur është që të arrihet pagë edhe më e lartë se 450 euro nëse Qeveria ndihmon përmes të ardhurave sociale, thonë punëdhënësit. Ata sot, para seancës së Këshillit ekonomiko-social (KES), deklaruan se çdo rritje që ndajnë në shumë prej 1.000 deri në 9.000 denarë duhet të përkrahet brenda një viti nga Qeveria përmes kontributeve sociale, ndërsa më tutje, me forcimin e ekonomisë, ka mundësi që të shlyhet plotësisht prej tyre.
Paga minimale nuk është pika nga rendi i ditës në seancën e KES-it, por, siç theksuan përfaqësuesit nga Lidhja e Sindikatës (LSM) dhe nga Konfederata e Sindikatave të Lira (KSL) do të kërkohet hapja edhe e kësaj çështje.
Sipas LSM-së, nëse punëdhënësit duan të rrisin pagat e të gjithë punonjësve në sektorin privat, duhet të gjendet zgjidhje me të cilën Qeveria do të subvencionoj një pjesë të të ardhurave. KSL, nga ana tjetër, do të propozojë një formulë sipas së cilës Qeveria do të subvencionojë një pjesë të pagave të më të varfërve.
“Propozimi jonë është për rritje nga 1,000 deri 9,000 denarë në mënyrë që shteti të na ndihmojë me kontribute. Çdo rritje që punëdhënësit e ndajnë prej 1.000 deri në 9.000 denarë duhet të përkrahet brenda një viti nga Qeveria përmes kontributeve sociale dhe më tej, shpresojmë se me forcimin e ekonomisë, do të ketë mundësi që ato të paguhen në tërësi. Nga 24.800 denarë që janë tani, presim që në muajin mars të kemi subvencione në kontribute sociale deri në 34.000 denarë. Janë rreth 9,000 denarë. Propozimi i sindikatave është 27.000 apo 450 euro, por ne kemi shansin që nëse mbështetemi nga Qeveria me kontribute sociale, të rriten ato paga që të arrijmë një pagë minimale pak më të lartë në rajon. Kjo do të thotë se paga minimale do të negociohej më tej përmes marrëveshjeve kolektive në secilin sektor, por baza për rritjen çdo vit në muajin mars do të ishte në përputhje me metodologjinë e vendosur, ndërsa me marrëveshje të posaçme kolektive me sindikatat, duhet të ketë një rritje plus. Këto janë disa zgjidhje që ne propozojmë, sindikatat kanë diçka të ngjashme, por më e rëndësishmja është që numri i kompanive dhe i punonjësve të mbetet i njëjtë”, sqaroi Mile Boshkov nga Konfederata e bizneseve të Maqedonisë
Ulja e kontributeve për gazetarët mundëson punë sa më objektive –
Nevoja financiare shpesh herë çon në çalim të punës profesionale që bëhet, e kjo asesi nuk duhet lejuar që të ndodhë me sektorin mediatik, posaçërisht me gazetarët. Mediat janë pasqyra reale e pushtetit, ura lidhëse mes publikut dhe pushtetit. Nëse mediat raportojnë në mënyrë objektive edhe vlerësimi i qytetarëve do të jetë i tillë si për shpërblim ngjashëm edhe për ndëshkim.
Një hulumtim i Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatikë (SPGPM) tregon se 55 për qind e 3.146 pozitave të punës në media kanë paga nën mesataren. Nga numri i përgjithshëm, 53 për qind janë gra në këtë profesion. Një e pesta gjegjësisht mbi 600 punojnë në mediat onllajn ku, sipas të dhënave, është edhe përqindja më e madhe (mbi 70) e punonjësve mediatikë që marrin paga nën mesataren shtetërore.
“Në mediat onllajn 39,1 për qind gëzojnë të drejtat nga Ligji për Marrëdhëniet e Punës, gjegjësisht janë të punësuar me orar të plotë. Ajo që kishim frikë dhe të dhënat fillestare dolën të ishin realitet i ashpër – punonjësit e mediave të punësuar në edicionet onllajn janë vetëm një e pesta e numrit të përgjithshëm të vendeve të punës, gjegjësisht mbi 600 punonjës. Fatkeqësisht, vetëm një nga tre të punësuar është i regjistruar rregullisht për punë me orar të plotë, ndërsa pagat janë nën mesataren shtetërore”, tha kryetari i SPGPM-së, Pavle Belovski, duke i bërë të ditura rezultatet e hulumtimit që Sindikata i bën në kuadër të projektit “Të drejtat e punëtorëve për gazetari të pavarur”në partneritet me Institutin RESIS dhe me mbështetjen e Bashkimit Evropian.
Nga kjo kuptohet që 60% e punëtorëve mediatik nuk gëzojnë të drejtat themelore si punëtorë, pra përpos që nuk janë të regjistruar me orar të plotë, atyre nuk u paguhen kontributet. Dhe, kjo është shkelje e rëndë e të drejtave të punëtorëve, e ndaj kësaj shkelje organet e shtetit qëndrojnë të heshtur dhe nuk marrin kurrfarë masa për ta zbutur këtë krizë drejt rregullimit në tërësi të kësaj problematike.
E kjo mund të arrihet vetëm nëse punëdhënësit apo pronarët e shtëpive mediatike lirohen nga pagesa e kontributeve për gazetarët dhe punëtorët tjerë mediatik. Meqë, sulmi ndaj gazetarëve dhe punëtorëve mediatik kategorizohet si sulm ndaj personit zyrtar. Në ndryshimet e Kodit Penal të miratuara në Kuvend vitin që lamë pas, ligji garanton një siguri më të madhe ndaj punëtorëve mediatik gjatë kohës kur ata janë në krye të detyrës. Në ndryshim plotësimet e bëra në Kodin Penal parashikohen dënime më të rrepta për veprat vrasje, parandalim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës, rrezikimi i sigurisë dhe Detyrimi.
Kjo është gjëja më e duhur që është bërë deri tani për të ndihmuar mediat, siguria nuk do mend që është bazë për kryerjen e punës. Por, meqë pjesa e sigurisë është e garantuar tani gazetarët kanë nevojë për paga më të dinjitetshme. E kjo mund të arrihet gradualisht vetëm nëse shteti liron nga kontributet dhe me automatizëm rriten pagat e gazetarëve.
Paga të dinjitetshme mundësojnë kryerjen e punës me profesionalizëm dhe objektivitet të lartë, prandaj duhet fokus i veçantë. Pagesa e kontributeve është jashtëzakonisht e lartë, për të gjithë punëtorët duhet të ulet gjithsesi, por do të kishte qenë e rrugës që për gazetarët dhe punëtorët mediatik të lirohen tërësisht. /Zhurnal.mk