Shkup, 8 nëntor – Sipas raportit vjetor të Konfederatës Ndërkombëtare të Sindikatave për të drejtat e punës në botë, situata në Maqedoni është alarmante. Studiuesi Branimir Jovanoviq nga Institutit i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare thekson se vendi renditet si një prej vendeve ku të drejtat e punës shkelen sistematikisht. Për punëtorët flitet shpesh, por rrallë herë flitet për “armën” mbrojtëse të punëtorëve që është ligji për marrëdhënie të punës. Në fakt, ekziston ky ligj por pak më respektohet, e më keq se kaq edhe ligji ashtu si është nuk është i përshtatshëm mjaftueshëm për punëtorët. Prandaj, edhe duhen reforma të thella në këtë ligj në mënyrë që punëtorët të jenë të mbrojtur, të përfaqësuar dhe të mos shtypen, shkruan Zhurnal.
Siguria në punë duhet të jetë primare –
Siguria në vendin e punës është një temë që duhet t’i jepet shumë rëndësi për shkak se ndodhin aksidente të shumta të cilat ndonjëherë përfundojnë me fatalitet, tha dje në emisionin Ftesë në Studio në Alsat, Arbër Xhihani, auditues social i licencuar ndërkombëtarisht.
I ftuar për të biseduar rreth standardeve dhe kulturës që duhet të krijohen për të pasur siguri në vendin e punës, Xhihani theksoi se ka ligje të shumta që e rregullojnë standardin e sigurisë në vendet e punës, por këto ligje shpesh neglizhohen nga punëdhënësit.
“Pikë së pari duhet të zbathet kërkesat ligjore që ligjet mbi sigurinë dhe shëndetin në punë që secili vend ka. Duhet thënë që ligji rregullon mirë të gjitha detyrat dhe kërkesat që çdo punonjës duhet të implementojë në ambient e punës por më tutje varet prej dëshirës dhe vullnetit të punëdhënësit për t’ju përmbajtur ktyre ligjeve”, tha Arbër Xhihani, auditues social.
Xhihani theksoi se përveç se neglizhohet siguria në vendin e punës, gjithashtu mungojnë edhe raportimet për aksidentet në punë. Punëdhënësit shpesh mundohen ti shmangen raportimeve, sepse më pas vijnë përgjegjësitë që ata duhet të mbajnë. Ai këshillon që edhe punonjësit të jenë më të ndërgjegjshëm për sigurinë shëndetësore në vendet ku punojnë.
Vetëm nga sektori i ndërtimtarisë janë larguar rreth 12 mijë punëtorë gjatë vitit të kaluar, e ky fakt është shqetësues thonë nga sindikata e ndërtimtarisë. Kryetari i kësaj sindikate Ivan Peshevski thotë se punëtorët ende nuk janë në pozitën që duhet, ndonëse në vitin që lamë pas arritën një sukses duke nënshkruar marrëveshjen kolektive për të punësuarit në sektorin publik.
Më 17 nëntor të vitit të kaluar, gjatë gërmimit për ndërtimin e një objekti, në rrugën “Pirinska” në Shkup ka humbur jetën një punëtor i cili drejtonte ekskavatorin. Pas hetimit të bërë nga Inspektorati i punës doli se gropa e ndërtimit nuk ishte i siguruar siç duhej dhe nuk janë ndërmarrë kushte të sigurta për punëtorët. Ky është rasti i fundit i vdekjes së një punëtori në vendin e punës, në fakt vetëm një nga 16 rastet të cilët ka evidentuar Inspektorati i punës për vitin 2023, ndërkaq numri i personave të lënduar për vitin që lamë pas gjatë kryerjes së punës është 2005.
Kjo flet që punëtorët në sektorin e ndërtimtarisë trajtohen sikur robër që përpos që nuk u paguhet mundi i tyre fizik nuk arrijnë dot të krijojnë kushte të sigurta pune. Pra, një punëtori në ndërtimtari i duhet të marr parasysh edhe rrezikun që mund t’i cenohet çdo ditë pune e drejta për të vazhduar për të jetuar.
Çfarë rregullon ligji për marrëdhënie të punës?
Qëllimi i ligjit është përfshirja e punëtorëve në procesin e punës si dhe sigurimi i zhvillimit të harmonizuar të këtij procesi, me çrast respektohet e drejta e punëtorëve për lirinë e punës, dinjitetin dhe mbrojtjen e interesave të punëtorëve në marrëdhënien e punës.
Në dispozitën e përgjithshme të këtij ligji në nenin 1 thuhet: Me këtë ligj rregullohen marrëdhëniet e punës ndërmjet punëtorëve dhe punëdhënësve, që themelohen me lidhjen e marrëveshjes për punësim. Marrëdhënia e punës rregullohet me këtë dhe me ligj tjetër, me marrëveshjen kolektive dhe marrëveshjen për punësim.
Ndërkaq, rregullimi i marrëdhënieve të punës përcaktohet me nenin 3 të këtij ligji i cili thotë: (1) Ky ligj i rregullon edhe marrëdhëniet e punës të punëtorëve të punësuar në organet e pushtetit shtetëror, organet e njësive të vetadministrimit lokal, institucionet, ndërmarrjet publike, entet, fondet, organizatat dhe të personave të tjerë fizikë e juridikë të cilët punësojnë punëtorë, nëse me ligj tjetër nuk është rregulluar ndryshe. (2) Marrëdhënia e punës mund të shuhet vetëm në mënyrë dhe kushte të përcaktuara me ligj dhe me marrëveshje kolektive. (3) Në marrëdhënien e punës secila palë obligohet ti plotësojë të drejtat, obligimet dhe përgjegjësitë e përcaktuara dhe të kontraktuara.
Megjithatë, siguria dhe shëndeti gjatë punës (SSHP) paraqet një prej rregullave themelore të punëtorëve, që është përcaktuar si e tillë në kuadër të konventave të Organizatës ndërkombëtare të punës, në legjislaturën e Bashkimit Evropian, Deklaratën sociale Evropiane të Këshillit të Evropës, kurse e njëjta është garantuar si e drejtë edhe me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Sfera e sigurisë dhe shëndetit gjatë punës, si e jashtëzakonshme dhe komplekse dhe para se gjithash edhe sferë multi-sektoriale dhe multi disiplinore, është e rregulluar me një numër të madh të akteve ligjore dhe nënligjore, kurse për zbatimin dhe implementimin e tyre është e domosdoshme të ketë koordinim, komunikim dhe bashkëpunim ndërmjet institucioneve dhe organeve të ndryshme, partnerëve social si dhe subjekte tjera relevante. Kështu thuhet në Ministrinë për punë dhe politikë sociale, që në fakt praktika nuk përputhet në tërësi me këtë që thuhet në teori dhe në letër. /Zhurnal.mk