Palestinezët kërkojnë që Izraeli të largohet nga Gaza dhe Bregu Perëndimor brenda 6 muajsh

nga Xh M

Palestinezët, përmes një draft-rezolute që po e qarkullojnë në Kombet e Bashkuara, po kërkojnë që Izraeli t’i japë fund “pranisë së paligjshme” në Gazë dhe Bregun e pushtuar Perëndimor brenda gjashtë muajsh.

Rezoluta e propozuar në Asamblenë e Përgjithshme, të cilën e ka siguruar Associated Press, pason një vendim të gjykatës kryesore të Kombeve të Bashkuara në korrik, që tha se prania e Izraelit në territoret palestineze është e paligjshme dhe duhet të marrë fund.

Duke dënuar sundimin e Izraelit mbi këto territore që i pushtoi 57 vjet më parë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë tha se Izraeli nuk ka të drejtë të sovranitetit mbi territoret dhe se po shkel ligjet ndërkombëtare kundër marrjes me forcë të tokave. GJND-ja tha po ashtu se ndërtimi i vendbanimeve izraelite duhet të ndalet.

Ambasadori izraelit në OKB, Danny Danon, dënoi rezolutën e propozuar dhe e përshkroi atë si “shpërblim për terrorizëm”. Tha se rezoluta duhet të refuzohet.

“Më lejoni të jem i qartë: Asgjë nuk do ta ndalë apo pengojë Izraelin nga misioni i tij për të sjellë në shtëpi pengjet dhe për eliminuar Hamasin”, tha ai, duke iu referuar grupit palestinez, të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Draft-rezoluta vjen pasi ofensiva e ushtrisë izraelite në Gazë hyn në muajin e 11-të. Lufta në Gazë u nxit pasi Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor dhe që atëherë, edhe dhuna në Bregun Perëndimor është rritur.

Rezoluta e propozuar edhe nëse miratohet nga 193 anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme nuk do të jetë dokument ligjërisht i detyrueshëm. Në Asamble nuk ka fuqi të vetos, sikurse në Këshillin e Sigurimit prej 15 anëtarësh.

Një diplomat tha se palestinezët duan që kjo rezolutë të votohet para se udhëheqësit e Asamblesë të nisin takimet e tyre vjetore më 22 shtator.

Në propozim kërkohet që Izraeli të respektojë ligjin ndërkombëtar, përfshirë tërheqjen e menjëhershme të të gjitha forcave ushtarake nga territoret palestineze.

Po ashtu, aty kërkohet që t’i jepet fund ndërtimit të vendbanimeve të reja, por edhe evakuimit të të gjithë kolonëve dhe shkatërrimin e barrierës ndarëse që Izraeli ka ndërtuar në Bregun Perëndimor.

Draft-rezoluta po ashtu bën thirrje që të gjithë palestinezët e zhvendosur gjatë okupimit të Izraelit të lejohen që të kthehen “në vendbanimet e tyre origjinale”, duke shtuar se Izraeli duhet të paguajë “për dëmet e shkaktuara”.

Ambasadori palestinez në OKB, Riyad Mansour, muajin e kaluar tha para Këshillit të Sigurimit se ai planifikon t’i paraqesë Asamblesë së Përgjithshme në shtator një rezolutë në bazë të vendimit të GJND-së.

Izraeli ka pushtuar Bregun Perëndimor, së bashku me Gazën dhe Jerusalemin Lindor gjatë Luftës të Lindjes së Mesme më 1967. Palestinezët duan që këto tri territore të jenë pjesë e shtetit të tyre në të ardhmen. Tre milionë palestinezë në Bregun Perëndimor jetojnë nën sundimin ushtarak izraelit, ndërkaq Autoriteti Palestinez, që mbështetet nga Perëndimi, ka kontroll të kufizuar në qendrat e populluara.

Më shumë se 500.000 kolonë hebre, që jetojnë në vendbanime të ndërtuara në mbarë territorin të cilat konsiderohen nga shumica e komunitetit ndërkombëtar si të paligjshme, kanë shtetësi izraelite.

Izraeli thotë se e ardhmja e Bregut Perëndimor duhet të vendoset në negociata. Ndërkaq, më 2005 Izraeli ishte tërhequr nga Gaza, por ka mbajtur një bllokadë në territor pasi Hamasi mori pushtetin më 2007.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More