Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, njëherësh Përfaqësues i Posaçëm i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, ka thënë se Uashingtoni është shumë i kënaqur me procesin e negociatave midis Prishtinës dhe Beogradit.
“Shtetet e Bashkuara janë me të vërtetë shumë të lumtura për bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë dhe Uashingtoni është shumë i kënaqur me rezultatet e atyre bisedimeve dhe marrëveshjeve që janë arritur”, ka thënë Palmer të enjten, gjatë një vizite në Mostar, në Bosnjë e Hercegovinë.
Palmer nuk është përgjigjur në pyetjen lidhur me dallimet në pikëpamjet e autoriteteve të Bosnjës e Hercegovinës lidhur me marrëveshjen Kosovë-Serbi të nënshkruar në Uashington.
Ai nuk ka dashur të komentojë as dy propozimet e anëtarëve të presidencës treanëtarëshe të Bosnjës e Hercegovinës: kërkesën për zhvendosjen e ambasadës së këtij shteti në Jerusalem dhe atë për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Sot, unë jam në Mostar për të diskutuar se çfarë po ndodh këtu”, është shprehur Palmer.
Të mërkurën, zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, ka deklaruar se çështja e Kosovës dhe çështja e Republikës Serbe të Bosnjës e Hrcegovinës janë krejtësisht të ndryshme, prandaj ato nuk mund të krahasohen me njëra-tjetrën.
Ky koment erdhi si reagim ndaj deklaratave të liderëve politikë serbë të Republikës Serbe, të cilët e mbështesin idenë për shkëputje nga Bosnja e Hercegovina.