Agjencia Zhurnal.mk

Pandemia, sfidë për shëndetin mental të qytetarëve

Shkup, 21 prill, zhurnal.mk – Frika, izolimi, por edhe kriza e ardhshme ekonomike e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit janë faktorë të rrezikshëm për shëndetin mental të qytetarëve. Psikologët apelojnë që të përgatitemi për sfidat e ardhëshme. Kriza me pandeminë do të shkakton edhe krizë me shëndetin mental të qytetarëve. Frika nga infektimi, por edhe frika e transmetimit të sëmundjes të më afërmve, kufizimi i kontakteve sociale, izolimi, por edhe brengosja për ekzistencën për shkak të krizës së ardhshme ekonomike e shkaktuar nga pandemia janë faktorë të rrezikshëm që mund ta cënojnë shëndetin mental.

Sipas psikologes, Edlira Destani qëndrimi në shtëpi dhe situata komplekse e pandemisë së Covid 19 kanë ngritur sinjalet e alarmit për një ndryshim të mundshëm në situatën e shëndetit mental të popullsisë. Ajo për Zhurnal thotë se ky ndryshim është i pritshëm pasi shëndeti mental nënkupton mes të tjerash mirëqënie në aspektin fizik, mental dhe social, që në këtë situatë pandemie janë të cënuara në përgjithësi.

“Duke mbërritur në momentin e kapërcimit të muajit të parë të izolimit, distancimit paraqiten edhe dilema të shtuara për kohëzgjatjen, pasojat në të gjitha sferat e jetës të shoqëruara me doza të ndryshuara ankthi dhe depresioni. Efektet e izolimit social dhe stresit sjellin pasoja, por jo të gjithë e përballojnë njësoj situatën, konkretisht kur flasim për shëndetin mental. Personat që veçse edhe më herët kanë patur probleme të ankthit, depresionit, vetmis, abuzime të lëndëve, sëmundje kronike, ata veçse e përjetojnë më rëndë këtë situatë dhe janë më të prekshëm për ndryshime të mëtejshme në shëndetin mental”, shprehet psikologja Destani.

Kujtojmë që Klinika për Psikiatri në Shkup para 10 ditëvce ka hapur edhe linja telefonike për mbështetje psikologjike të qytetarëve dhe grupet e cënuara që janë prekur nga koronavirusi.

Edhe sociologu Ali Pajaziti është i mendimit se pandemia e krijuar ka ndikimin e vet edhe në shëndetin mental të njerëzve.

Ai thotë se kjo gjendje shkakton edhe turbulenca shpirtërore e deri në depresion nga droja se mund të jenë të infektuarit e rradhës.

“Pandemia si një furtunë shumëdimensionale ka ndikimin e vet edhe në shëndetin mental apo në botën psikologjike të individëve. Ajo shkakton turbulenca shpirtërore, stres, fobi të ndryshme, ndjenjë të viktimizimit, klaustrofobi, agresivitet, violencë brendafamiljare dhe më gjerë, deri te afrimi gjendjes depresive, madje kalimi në një fazë të “çmendurisë”. Frikërat lidhur me sëmundjen në fjalë, droja “mos unë jam i radhës”, bisedat permanente në TV, në vaktet e ushqimit, në kafen e mesditës, në ndejat familjare prishin balancin mental të njerëzve, që s’janë mësuar me një ritëm të këtillë të panatyrshëm të jetës, që s’mund të përballen me këtë krizë të paparë, të veçantë, nga e cila s’është imun askush, pa marrë parasysh moshën, vendbanimin, etnicitetin, racën, fenë, statusin shoqëror, nivelin akademik, shtetin në të cilin jeton. Shkurt, këtyre ditëve, po shëndoshemi në aspektin fizik dhe po “humbim peshë në aspektin mendor”, po dërrmohemi mendërisht”, ka deklaruar për Zhurnal, Ali Pajaziti, Sociolog.

Situatë tjetër delikate është për fëmijët dhe adoleshentët për të cilët rekomandimet janë të njëjta si për të gjithë por duke vënë theksin më shumë tek aktivitetet dhe komunikimi virtual, thotë Edlira Destani.

“Gjithashtu familjet që kanë persona në mesin e tyre me probleme shëndetësore të çdo aspekti, familjet në nevojë kanë situatë të rënduar të një kënvështrimi ndryshe.Gjithshka që po përpiqemi të ndërtojmë se si do të jetë e nesërmja në kuadër të shëndetit mental të popullsisë nuk mund të jetë tërësisht e qartë dhe e saktë, sepse faktorët janë shumë kompleks. Por një gjë dihet me siguri që kemi vëmendje më të madhe që të kujdesemi për mirëqënien shpirtërore në kushte izolimi edhe pse në situata të tjera me shtrirje lokale, kjo do të ngjante pothuajse e pamundur. Jemi në të njëjtën varkë dhe po lundrojmë në ujra të panjohur”, përfundon për Zhurnal, Edlira Destani, psikologe.

Asocijacioni Europian për shëndetin mental dha disa propozime për ruajtjen e shëndetit mental gjatë pandemisë së koronavirusit. Ato rekomandojnë qytetarët që të mos lexojnë shumë lajme për koronavirusin, edhe ato lajme ti marrin nga organizata relevante ndërkombëtare, të kujdesen për veten, të mbajnë rutinën ditore, të bëjnë punë që i mbushin dhe të mbesin në kontakt me më të afërmit në mënyrë telefonike apo përmes video-lidhjeve.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

XH.I

Lajmet e fundit

Loading...