Pandov: Situata në burgje është shqetësuese, mungojnë policia e burgjeve dhe duhen investime infrastrukturore

nga D V

Shkup, 7 shtator – Drejtori i Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve Aleksandar Pandov e vlerëson situatën në burgjet në të gjithë shtetin si shqetësuese. Në intervistën e AIM-s, ai zbuloi se mungojnë rreth 300 deri në 400 persona në të gjithë sistemin e burgjeve. Ai shpreson në aprovimin e vendeve të reja të punës dhe paralajmëron më shumë reforma, si infrastrukturore ashtu edhe sistemore. Paralajmëron përmirësimin e mundësive të probacionit dhe arsimimit në sistemin ndëshkues-përmirësues.

– Kur e them këtë, do të thotë se para së gjithash dhe mbi të gjitha, policët e burgjeve, por edhe njerëzit në risocializim, në financa, në burimet njerëzore, në pjesën juridike në administratat që janë në burgjet. Shpresoj që ato punësime të aprovohen në vitin e ardhshëm 2025″, shprehet Pandovi.

Një nga arsyet e mungesës së policisë së burgjeve, sipas Pandovit, është se policët i kanë braktisur vendet e tyre të punës për arsye sigurie, diçka që, shprehet ai, nuk do të ndodhë në të ardhmen.

“Ata njerëz mendonin se disa të burgosur kishin mbështetje të tillë nga disa prej drejtorëve ose nga jashtë disa nga politikanëve të caktuar të fuqishëm, se askush nuk mund t’u bënte asgjë brenda dhe se si i trajtonin poliët e burgjeve, kjo tashmë është një histori e harruar dhe të burgosurit që sillen në këtë mënyrë do të sanksionohen më ashpër brenda ligjeve pozitive që kemi, ndërsa ne kemi mjaft prej tyre që të mund të merren me ta tani”, bën të ditur Pandovi.

Në fund të muajit, pritet të jetë funksionale njësia e ndërhyrjes në burgje .

Pandovi e ndau situatën në burgjet e Maqedonisë në dy pjesë – infrastrukturë, respektivisht si duken burgjet, dhe së dyti – cilat janë kushtet, respektivisht si është punuar në to. Si burgje me infrastrukturë të mirë, ai veçon burgun e Kumanovës, Qendrën edukative-përmirësuese – Tetovë dhe repartin e hapur dhe të mbyllur në Idrizovë, të cilat ai thekson se janë ndërtuar gjatë qeverisjes së mëparshme të OBRM-PDUKM-së.

Ka burgje, shprehet Pandovi, në të cilat është i domosdoshëm një investim infrastrukturor.

“Për fat të keq, ekziston një numër i caktuar i burgjeve në të cilat duhet të investohet në aspektin infrastrukturor dhe kjo sigurisht që do të bëhet në të ardhmen. Kur flas në aspektin infrastrukturor, është gjithashtu problem i madh që, për fat të keq në “Idrozovë” ka përfunduar vetëm faza e parë e ndërtimit të saj. Që nga viti 2010, Republika e Maqedonisë ka marrë kredi nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës për ndërtimin e një burgu super të ri në Idrizovë dhe ka përfunduar vetëm faza e parë. Në shtatë vitet e fundit, asgjë nuk është bërë, e me këtë rast, nëse do të përfundonte faza e dytë, do të bëhej një repart i mbyllur super i ri dhe modern. Ajo që është shumë e rëndësishme për mua është reparti i paraburgimit. Do të kishte gjithashtu kuzhinë të re, ambulancë të re për të burgosurit, nëse do të bëhej kjo”, shprehet Pandovi.

Ai sqaron se një pjesë e parave të huazuara janë shpenzuar në repartin e hapur dhe gjysmë të hapur, ndërsa pjesa tjetër është nën moratorium sepse, siç informon ai, gjatë kontrolleve të Komitetit për parandalimin e torturës, ka pasur vërejtje të mëdha për burgjet e Maqedonisë.

“Nga Komiteti duhet të vijnë në Maqedoni nga 7 deri më 10 tetor, do të kemi një takim, por ata gjithashtu do të kenë takim me ministrin e Drejtësisë Igor Fillkov dhe kryeministrin e Republikës së Maqedonisë, Hristijan Mickoski. Unë dhe të ftuarit do të bëjmë çmos për t’i siguruar ata se do të bëjmë çmos për të përmirësuar vërejtjet që kemi prej tyre në mënyrë që të mund të fillojmë. Shpresoj që vitin e ardhshëm të fillojmë, të shpallim tenderin dhe të fillojmë fazën e dytë”, shton Pandovi.

Si qëllime kryesore janë ndërtimi i fazës së dytë dhe vënia në përdorim të sallës së gjykatës në burgun “Idrizovë”.

Ajo që e shqetëson, siç thotë ai, është mënyra e mbajtjes së personave të burgosur. Sipas informacioneve fillestare, të dënuarit në burgje të caktuara dilnin dhe hynin kur të donin.

“Nuk them se kjo ka ndodhur në të gjitha burgjet, por kemi dëshmi dhe tashmë është informuar edhe Ministria e Brendshme dhe Prokuroria se udhëheqës të caktuar, respektivisht drejtorë të burgjeve, janë sjellë thjeshtë në stilin e Luit të 16-të – “shteti, jam unë” “, shprehet Pandovi.

Ai informon se gjendja e trashëguar e të burgosurve të evidentuar në arrati është rreth 200, ndërsa në lidhje me pyetjen nëse ka garanci se të burgosurit të cilëve u është aprovuar ndërprerje e vuajtjes së dënimit, duke përfshirë edhe të dënuarit nga “27 prilli”, do të kthehen, ai thotë se nuk ka garanci ashtu siç ka garanci për të burgosurit që lirohen për fundjavë.

“Shumica e tyre tashmë kanë përfunduar ndërprerjet e tyre dhe janë kthyer në burgje. Ndërkohë, një pjese e vogël e tyre kanë kërkuar nga gjykatat që të bëjnë ndërprerje më të gjata. Emri më i përfolur për të cilin kishte ndërprerje është ish-ministri i Brendshëm Mitko Çavkov.  Ndërkohë, me sa jam informuar nga burgu, z. Çavkov ka marrë ndërprerje tremujore që i përfundon në nëntor. Jo pak nga personat e tjerë të dënuar për 27 prill kanë marrë sërish ndërprerje nga gjykatat, disa për një muaj, disa për dy. Nuk ka asnjë garanci, pasi për këdo që me ligj do të dërgohet në 30-45 ose 60 ditë, kur ta lirojmë në fundjavë, nëse nuk kthehet, do të thotë se është në arrati, menjëherë njoftojmë Ministrinë e Brendshme dhe ai i dënuar llogaritet si i arratisur”, sqaron Pandovi.

Problemi i mbipopullimit të burgjeve, sipas Pandovit, mund të zgjidhet kryesisht me Ligjin për probacion.

“Ka dy mënyra për ta zgjidhur këtë. Njëra është më e ngadaltë, mirëpo në masë të madhe do t’i zgjidhë gjërat. Kjo është ajo që po thosha – le të përvjelim mëngët dhe sa më shpejt të jetë e mundur të fillojmë ndërtimin e fazës së dytë të burgut “Idrizovë”, sepse do të fitohen mbi një mijë shtretër me përfunduimin e fazës së dytë. Mirëpo, ka edhe një gjë që dua të theksoj, e ky është Ligji për probacion, me të cilin të dënuarit kanë të drejtë për lirim me kusht”, thekson Pandovi.

Informon se krahas 11 zyrave të probacionit në shtet, pritet të hapen edhe tre të tjera.

“Ato funksionojnë tashmë 4-5 vite. Mirëpo, ajo që bie në sy është se nga 650 njerëz që janë në lirim me kusht, 450 persona janë në Shkup. Shkupi është qyteti më i madh, ka numrin më të madh të të dënuarve që janë nga Shkupi, por nuk është kështu raporti. 200 të tjerët janë nga komunat e tjera në Maqedoni. Kemi për qëllim, mendoj, se disa takime me gjykatës të caktuar janë planifikuar tashmë këtë muaj dhe më vonë për të nxitur të gjithë sistemin gjyqësor, për t’i inkurajuar ata të përdorin këto masa”, shprehet Pandovi.

Një nga temat që MIA ka ndjekur për një kohë të gjatë është arsimi në Qendrën edukative-përmirësuese- Tetovë, i cili ka munguar për tre vjet. Pikërisht për këtë biseduam me drejtorin Pandov, i cili konfirmoi se fëmijët në SHEP-Tetovë nuk u ulën në bangat e shkollës dhe premtoi të bisedonte me ministren e Arsimit Vesna Janevska për zgjidhjen e problemit.

“Të mos justifikohem, por kjo situatë mua më është trashëguar. Do të bëj gjithçka që mundem për ta ndryshuar këtë. Ajo që jam informuar është se ky proces ka filluar, megjithatë, tani është ndalur përsëri. Unë do të bëj një përpjekje me ministren e re të Arsimit për t’u mundësuar fëmijëve në Vollkovijë dhe kudo në të gjitha institucionet ndëshkuese të kenë arsimim”, thekson Pandovi.

Lidhur me problemin me hapësirat për vajzat e dërguara në institucionin përmirësues, për të cilin paralajmërimi i fundit ishte se SHEP-Tetovë do të përshtatet në mënyrë që ata të mund të akomodojnë banuesit atje, Pandov shprehet se adaptimi i tyre nuk ka filluar.

“Zgjidhja më e shpejtë është ridizajnimi i njërës nga tre ndërtesat në Vollkovi dhe rrethimi i saj nga dy ndërtesat e tjera ku strehohen fëmijët meshkuj. Do të bëhet në periudhën e ardhshme, dhe ne do të shqyrtojmë nëse është një zgjidhje e përhershme, ndoshta nuk është, nuk pretendoj se është, megjithatë, është mënyra e vetme për ta zgjidhur atë. Adaptimi nuk ka filluar ende, e nëse ndërkohë një vajzë është udhëzuar në SHEP,  do të mendojmë për këtë kur do të vjen deri te kjoi”, thekson Pandovi.

Sipas Drejtorit të Drejtorisë së Zbatimit të Sanksioneve, angazhimi në punë është mënyra më e mirë për të risocializuar të burgosurit. Ai thotë se do të përpiqet të ndërhyjë ligjërisht në fushën e angazhimit në punë të të burgosurve në mënyrë që ta përdorë atë më shpesh.

“Kam vërejtje për ligjin e fundit, të bërë tani në prill. Planifikoj të kërkoj ndryshime në pika të caktuara në periudhën e ardhshme, ose vendosjen e të rejave. Vërejtje është ajo se në vendin tonë, nëse themi se kemi 2.400 të burgosur, mendoj se rreth 100 janë vetëm të angazhuar në punë. Udhëzimet e mia për drejtorët e burgjeve janë të përpiqen të arrijnë marrëveshje me kryetarët e komunave, me firma të tjera, sa më shumë të burgosur që të angazhohen në punë”, shprehet Pandovi.

Ai informon se vetëm në një numër të vogël të burgjeve ka ferma ku një numër i caktuar të burgosurish janë të angazhuar, dhe shumica e tokave mbeten të pashfrytëzuara.

Është e rëndësishme, shprehet Pandovi, që të burgosurit të aftësohen gjatë vuajtjes së dënimit në mënyrë që të jenë në gjendje të adaptohen pasi të dalin nga burgu.

“Nuk e kuptoj pse nuk u mësojmë disa zanate që kur të dalin të jenë në gjendje të mbijetojnë. I tillë është sistemi ynë që kur një person del nga burgu, ne thjesht nuk e kemi dënuar atë, megjithatë, ne e kemi aftësuar atë të mund të funksionojë jashtë burgut dhe kjo është ndoshta arsyeja kryesore pse jo një pjesë e vogël e tyre kthehen në burgje”, shprehet Pandovi.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More