Paraburgim një mujor ndaj dy zyrtarëve të komunës së Vitisë

Gjykata Themelore në Gjilan sot ka informuar se ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditë të pandehurve F. A. Dhe F. R. për veprën penale “keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar” .

 

“I pandehuri F. A. në cilësinë e personit zyrtar si menaxher i prokurimit në Komunën e Vitisë ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetin me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, ashtu që dyshohet se me dashje ka tejkaluar kompetencat dhe detyrat e tija ligjore të përcaktuara me ligj, në atë mënyrë që gjatë dhënies së tenderit me numër të prokurimit 657 – 19 – 3001 – 521, të datës 18.07.2017, për projektin “Asfaltimi i Rrugëve Rurale për Lot I” ku përfshirën edhe rruga “Lavdia e UÇK-së”, në fshatin Tërpezë të Komunës së Vitisë ka bërë urdhërpagesë për shtrimin e rrugës me asfalt duke paguar 11.100,75 Euro dhe pastaj me datë 08.04.2020 për të njëjtën rrugë sërish ka nënshkruar urdhërpagesë për shtrim me zhavorr në vlerë 6.870 Euro, pra pas shtrimit me asfalt ka bërë pagesë për shtrimin e rrugës së njëjtë me zhavorr. Po ashtu për rrugën “Berjanët” në fshatin Pozhoran të Komunës së Vitisë ka lëshuar urdhërpagesë me datë 08.04.2020 për shtrimin e kësaj rruge me asfalt në shumën 18.890 Euro, por që pas shtrimit me asfalt i njëjti sërish lëshon urdhërpagesë në shumën prej 2.877 Euro, për shtrimin e kësaj rruge me zhavorr.”, ka bërë të ditur gjykata.

I pandehuri F. R., në cilësinë e zyrtarit si menaxher i projektit të Komunës së Vitisë, sipas gjykatës, ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar me qëllim të përftimit të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, ashtu që dyshohet me dashje ka tejkaluar kompetencat e tij të përcaktuara me ligj, në atë mënyrë që kishte ofruar dokumentacione të rrejshme se kinse punimet ishin përfunduar në këto dy projekte.

“Gjyqtari e procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, ka caktuar masën e paraburgimit, pasi që ka vlerësuar se këto rrethana janë të mjaftueshme se po që se të njëjtit lihen në liri dhe kthehen në vendin e punës, mund të përsërisin veprën penale apo të kryejnë edhe ndonjë vepër tjetër penale me pasoja më të rënda.”, është bërë e ditur tutje në komunikatë./21Media

Related posts

Osmani takon kryeministrin holandez, i kërkon liberalizimin e vizave për Kosovën

D V

Bie bora e parë në Kosovë, zbardhen malet e Rugovës

D V

Sulmuan njëri-tjetrin me mjete të forta, arrestohen dy pejanët

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More