Paranojat rreth SPAK dhe pritshmëria ndaj tij

Nga Mero Baze

 

SPAK ka krijuar frikë dhe paranoja. Frikën e ka krijuar nga rastësia me të cilën ka zgjedhur rastet e deritanishme. Ashtu siç mund të konstatohet lehtë, të gjitha rastet e derisotme, nuk janë iniciativa të SPAK, por dosje të rastësishme, denoncuar nga të tretë.

Kjo politikë e shqyrtimit së dosjeve të rastësishme tregon një gjë të mire, që SPAK nuk ka një politikë penale për ndëshkimin e korrupsionit, por po kap ata që i dalin para. Tani të presim Gjykatën Speciale për të parë sa efektive kanë qenë hetimet.

Efekti i parë pozitiv është se zyrtarët publik janë trembur dhe secili po shikon se si të mbrojë veten dhe letrat e tij, nëse përballet me ligjin. Kjo është pozitive.

Efekti i dytë është paranoja. Kjo ka kapur dhe qeverinë, dhe opozitën. Ideja që SPAK ka një radhë pune të diktuar ose nga SHBA, ose nga qeveria, mbizotëron.

Shumë bashkëpunëtorë të Edi Ramës dyshojnë se ai po i eliminon përmes SPAK, ndërsa të tjerë mendojnë se SHBA erret e gdhihet duke vrarë mendjen kush do të dënohet në Shqipëri.

Në fakt, asnjëri nuk ka lidhje me asgjë. As Edi Rama, as SHBA. Të dy janë duke pritur çdo ditë lajme dhe duke përshëndetur veprimin e SPAK, i pari si detyrim ndaj distancës që duhet të mbajë ndaj korrupsionit, ndërsa SHBA si fitore të reformës në drejtësi.

Nëse Edi Rama do të kishte ndikim në SPAK, ai natyrisht që do ta niste me Berishën dhe historitë e tij kriminale. Ai nuk ka ndonjë ngërç politik brenda parties, që i duhet SPAK për të eliminuar njerëz pa shumë peshë në llogaritë e tij politike, siç po bien në rrjetë.

Po ashtu, nëse SHBA do të kishte ndikim dhe do të diktonte ndonjë radhë pune, do ta niste siç e kanë praktikë ata, me biznesmenë oligarkë apo politikanë që tentojnë të kapin drejtësinë përmes shantazheve apo blerjeve, dhe të përfundonte tek zyrtarë të korruptuar.

Asnjë nga këto nuk po ndodh. Dhe ky është dhe shkaku i konfuzionit rreth SPAK. Ai vjen për shkak të pritshmërisë politike që qytetarët kanë ndaj tij.

Pritshmëria e qytetarëve është që SPAK të ketë një listë prioritetesh, që bazohen mbi rastet e mëdha të historisë politike të këtyre viteve.

Qytetarët presin që të hapen çështje të tilla si Gërdeci apo 21 Janari, ashtu siç presin të gjykohen dhe të mësojnë të vërtetën mbi akuzat ndaj disa PPP-ve, apo akuzave të opozitës ndaj qeverisë pas vitit 2013.

Kjo pritshmëri që është ushqyer nga retorika politike, bie ndesh me rastet që SPAK po shqyrton dhe që në disa raste janë ngjarje të parëndësishme për shoqërinë politike shqiptare, por që bëhen interesante ngaqë SPAK po ia hedh shtypit detajet si ushqim për turmat.

Por kjo nuk do të thotë se SPAK po gabon. SPAK po shfleton dosjet që ka mbi tavolinë dhe jo ato që kemi ne në mëndje. Ato që kemi ne në mëndje janë produkte të betejave politike, kurse ato që ka SPAK mbi tavolinë janë denoncime konkrete.

Tani e vetmja gjë që duhet të bëjmë është të mësohemi me lajme të tilla, që na tregojnë se sistemi funksionon.

Kur Gjykata Speciale të japë ndëshkimet e para, do të kuptojmë dhe më mirë sa efektive ka qenë puna e SPAK. Por së paku klimë kundër korrupsionit ka krijuar. Dhe panik gjithashtu.

Related posts

“Trojet shqiptare në Maqedoni, nuk i ka pushtuar Maqedonia, por Serbia”

D V

Aleati më i madh i korrupsionit është mbipushteti politik

D V

‘Ata që nuk mendojnë-paragjykojnë’

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More