Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se ditën e enjte territori i Shqipërisë do të vijojë të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.
Moti parashikohet me alternime kthjellimesh dhe vranësira mesatare e të dendura. Prezencë e reshjeve të shiut me intensitet të ulët në formën e shtrëngatave afatshkurtra që në orët e para të ditës në zonën veriperëndimore si dhe përgjatë vijës bregdetare.
Nga orët e mesditës reshjet pritet të prekin pjesën më të madhe të territorit. Në zonën veriperëndimore dhe jugperëndimore reshjet pritet të jenë me intensitet mesatar e hera-herë deri të lartë në formën e rrebesheve të shpejta dhe stuhive afatshkurtra shoqëruar me shkarkesa elektrike.
Temperaturat parashikohen nga 7 në 30 gradë Celsius.