Shkup, 9 maj – Zgjedhjet lokale pritet të mbahen në muajin tetor, por partitë politike kanë filluar t’i bëjnë vlerësimet e kandidatëve të mundshëm për kryetar dhe listën e këshilltarëve. Edhe pse duket që përçarja është shumë e thellë, të gjithë partitë duhet mbi të gjitha të kenë parasysh interesin e qytetarëve dhe të përzgjedhin emrat më të mirë që do të punojnë për të zgjidhur problemet reale të qytetarëve, shkruan zhurnal.mk.
Ndryshe nga zgjedhjet parlamentare kur politika kryesisht merret me tema të politikës ekonomike, politikës së jashtme, sigurisë, mbrojtjes të drejtave kombëtare e të ngjashme, në zgjedhjet lokale kandidatët dhe partitë duhet të fokusohen me problemet me të cilat qytetarët ballafaqohen çdo ditë. Një qytetari i intereson të ketë transport të mirëfilltë publik, orar të rregullt të autobusëve, të ketë pastërti në rrugë dhe në vende publike, të ketë siguri gjatë shkuarjes në punë ose gjatë ghkuarjes në shkollë. Qentë endacak janë bërë rrezik kryesor për fëmijiët dhe qytetarët në moshë, e kjo duhet të jetë temë inteëresi për kandidatët për kryetar komune. Një kryetar komune konsiderohet “baba i asaj komune” dhe pikërisht me këtë përgjegjësi duhet ta marrë detyrën që të rregullojë gjelbërimin në lagjet e banorëve, të mbyllë gropat, të kujdeset për trafikun nëpër qytet dhe të kujdeset për problemet ditore.
Një kandidat për kryetar komune që nuk ka kohë të dëgjojë hallet e qytetarëve dhe të merret me problemet ditore të tyre nuk duhet të kandidohet për këtë pozitë.
Nga e kaluara kemi raste të shumta kur edhe pse një politikan është i suksesshëm në sferat tjera të jetës dhe të politikës, ai/ajo nuk kanë mundur të dalin në pah gjatë menaxhimit të tyre me komunat. Kjo, pikërisht për faktin që këto punë dhe përgjegjësi janë shumë specifike dhe menaxhimi me nivelin lokal të politikave dhe me atë qendror dallon shumë.
Rast më i freskët është edhe mbështetja për kryetare e komunës që iu dha Danella Arsovskës, si kandidate e pavarur në atë kohë, por ajo gjatë mandatit të saj i zhgënjeu të gjithë. Kryeqyteti u ballafaqua me problemet më elementare dhe u shkaktua kaos i vërtetë. Shkupi ishte qyteti më i pistë, me më shumë mbeturina, me autobusë që protestonin, me rrugë të bllokuara, me rrugë me gropa dhe pa asnjë vizion të qartë për zgjidhjen e këtyre problemeve. Kjo dëshmoi edhe njëherë se individi ka shumë rëndësi në menaxhimin e një qyteti.
Partitë shqiptare duket se herët filluan kalkulimet për zgjedhjet lokale, e sidomos ato të koalicionit VLEN. Arben Taravari nga ASH-ja, gjeti si pretekst largimin nga koalicioni qeverisës mospërputhjen me modelin e përfaqësimit të tyre në zgjedhjet lokale. Nëse VLEN kërkonte që në zgjedhjet lokale edhe për kandidatët për kryetar, por edhe për listat e këshilltarëve të garojnë të bashkuar, Tasravari insistonte që në listat për këshilltarë komunalë të shkojnë të ndarë. Kjo sipas tij do të kontribuonte që të kishte më shumë angazhim dhe defakto të dihej se cila parti brenda koalicionit ka më shumë votues. Por, partitë tjera të koalicionit konsideronin se kjo formë do të sjellte përçarje dhe do të “çonte ujin në mulli të BDI-së”.
Sidoqoftë, epilogi i kësaj storje me VLENI-n është i qartë. Taravari nuk është më pjesë e këtij koalcioni dhe pritet të mos jetë as pjesë e qeverisë, ndërkaq tre liderët e partive LD, BESA dhe Alternativa, u bashkuan nën një ombrellë dhe vendosën që të formojnë një parti politike dhe të bashkuar të shkojnë në zgjedhjet lokale.
Nga ana tjetër BDI ende nuk flet për kandidatët e kryetarëve të zgjedhjeve lokale. Ata kanë halle të mëdha me kalkulimet se kush ku mund të jetë më i përshtatshëm. Ende në opinion nuk kanë nxjerr asnjë emër, e kjo duket se brenda partisë së tyre po bëhen kalkulime të thellë, ku duhet të dalin të vetëm, ku duhet ta mbështesin Taravarin dhe ku duhet ta mbështesin ndonjë parti tjetër. Në këtë mendësi politike të BDI-së, mund të ndodhë që BDI mos të fitojë asnjë kandidat të vetin për kryetar, sepse atyre më shumë do t’iu interesojë që të mposhtin VLEN-in se sa të dalin triumfues kandidatët e tyre. Kjo nënkupton se më shumë ka gjasa që ta mbështesin Taravarin e Selën se sa të nxjerrin kandidatë të tyre. Bastionet e forta të BDI-së në Çair e në Saraj, duket se janë zbehur pasi nga aty u shkëput Izet Mexhiti, prandaj Ahmeti ka probleme me listën dhe emrat që mund t’i nxjerr si kandidatë të mundshëm.
Fakt i rëndësishëm është edhe bashkëpunimi që do bëhet midis partive shqiptare dhe maqedonase. Në shumë komuna ky bashkëpunim është i domosdoshëm dhe kjo në të kaluarën ka treguar se cilin kandidat e kanë përkrahur partitë maqedonase, ai kandidat ka fituar.
Si do që të jenë kalkulimet politike dhe pazaret e ndryshme, partitë me rëndësi është që të gjejnë indidvidët e duhur dhe kandidatët më adekuat që do të punojnë për qytetarët dhe jo t’ua mbyllin derën atyre pasi të vijnë në pozitë.//zhurnal.mk