Shkup, 15 prill – Partitë politike në vendin tonë në çdo kohë rrahin gjoks për transparencë, llogaridhënie, e çka tjetër. Por, kur vie puna të dëshmohet në praktikë kjo transparencë e deklaruar gjërat ndryshojnë. Këtë e dëshmon edhe kërkesa e Entit Shtetëror për Revizion të cilët u kanë bërë kërkesë të fundit partive politike që nuk kanë dorëzuar raportin financiar që ta dorëzojnë urgjentisht në të kundërtën do të veprohet ligjërisht me çka do t’i ndalet financimi nga buxheti i shtetit, shkruan Zhurnal.
Edhe transparente edhe të fshehtë –
Enti Shtetëror i Revizionit (ESHR) sot përmes kumtesës informoi se partitë politike që ende nuk i kanë dorëzuar të gjitha ose disa nga raportet e tyre financiare për vitin 2024 deri më 30 mars 2025, urgjentisht t’i dorëzojnë.
“Në interes të sigurimit të ligjshmërisë, transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut për shpenzimin e mjeteve të parapara nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut për financimin e aktiviteteve të funksionimit të rregullt të partive politike të regjistruara në vend, theksojmë nevojën për përmbushjen në kohë të detyrimeve për raportim të rregullt financiar vjetor nga të gjitha partitë politike, përkatësisht: Në përputhje me nenin 27-b nga Ligji për financim të partive politike (“Gazeta zyrtare e Republikës së Maqedonisë” nr. 76/04, 86/08, 161/08, 96/09, 148/11, 142/12, 23/13 dhe 140/18 dhe “Gazeta zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut” nr. 294/20), Ministri i Drejtësisë, me propozim të Entit Shtetëror për Revizion, miraton Vendim për ndërprerjen (pezullimin) e pagesës së mjeteve për financim të rregullt vjetor nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut për partitë politike që nuk kanë dorëzuar raporte financiare brenda afateve të përcaktuara me ligj, përkatësisht në këtë rast, nuk kanë dorëzuar raport nga Regjistri i donacioneve të pranuara, llogari vjetore dhe/ose raport vjetor financiar sipas dispozitave nga nenin 25, neni 26 dhe neni 27 i të njëjti Ligj, në këtë rast, për vitin raportues 2024, thuhet në kumtesën.
Duke konstatuar gjendjen faktike të raportimit financiar për vitin raportues 2024, ESHR vë në dukje nevojën për veprim urgjent të partive politike që deri më 30 mars 2025 nuk i kanë dorëzuar ende të gjitha ose disa nga raportet financiare të lartpërmendura, apelon që ato të dorëzohen urgjentisht.
Ndryshe, siç theksojnë, dhe në përputhje me kompetencat e veta ligjore, ESHR-ja do t’i dorëzojë Ministrit të Drejtësisë propozim për miratimin e Vendimit për ndalimin e pagesës së mjeteve për financim të rregullt vjetor nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2025 për partitë politike që nuk do të dorëzojnë raporte financiare për vitin 2024.
Ata theksojnë se mosdorëzimi i raporteve financiare ndikon negativisht në nivelin e llogaridhënies dhe transparencës në shpenzimin e mjeteve publike të siguruara nga Buxheti nga partitë politike dhe dëmton reputacionin e Republikës së Maqedonisë së Veriut para organeve monitoruese të Bashkimit Evropian dhe bashkësisë ndërkombëtare në tërësi.
Transparenca është vlerë e pakontestueshme –
Transparenca i shërben edhe partive politike edhe qytetarëve, për tu dëshmuar e vërteta reale që ka peshë të rëndësishme se kush realizon më shumë donacione dhe në cilat parti politike. Pasi përmes kësaj i mund të detektohen edhe lidhjet e bizneseve me partitë politike, përmes kësaj rrënohen ose vërtetohen dyshimet që parti politike brenda vendit financohen nga Turqia, Irani, Rusia e të tjera.
Pasi shumë prej politikanëve tanë këto akuza i kanë në maje të gjuhës duke pretenduar se rrënohet kundërshtari nëse “shpifim” për sa i përket anës financiare. Ta zëmë se një shtet i huaj po financon dhe ka krijuar një parti politike, tani është momenti adekuat që këta financues të rregullt të partive politike të bëjnë donacione.
Gjatë fushatave partitë kanë nevojë për shifra të lartë të financave për shkak të koordinimit të fushatës për të depërtuar në shtëpinë e secilit qytetarët. Për të organizuar fushatë mbresëlënëse dhe evropiane nuk do mend që duhen financa të larta. Tani se kush prej kandidatëve apo partive bënë fushatën më të mirë kuptohet edhe nga fakti se sa investojnë në fushata. Për të investuar shumë duhet që pas këtyre partive të ekzistojnë donacione të fuqishme e kjo do të kuptohet pasi të publikohen raportet në tërësi. /Zhurnal.mk