Pas akuzave të Lëvizjes Besa dhe vështrimit analitik të Zhurnal-it, reagon Rustemi!

nga Redaksia

Shkup, 22 qershor – Pas kritikave të Lëvizjes Besa dhe disa shkrimeve analitike në formë vështruese nga Agjencia e lajmeve Zhurnal, vjen reagimi i parë i drejtorit të NP “Rrugët Shtetërore”, Ejup Rustemi, duke theksuar se, realiteti qenka se po ndërton infrastrukturë rrugore moderne për gjeneratat e ardhshme. Rustemi shkon edhe mëtej, duke kritikuar partitë opozitare dhe portalet e internetit, që paraqet njëhërit shkakun e reagimit të tij të sotëm, duke shtuar se Lëvizja Besa dhe portalet që kanë shkruar, kanë bërë vlerësime tendencioze dhe të pavërteta për manipulim të opinionit dhe të qytetarëve me qëllim që të shtrembërohet realiteti. “Aq më tepër, është jo njerëzore që të përdorësh rastet tragjike për pikë politike ditore”, është shprehur, Rustemi në një komunikat për media.

Por, i kujtojmë Rustemit që para se ta drejtojë realitetin e “shtrembëruar” sipas tij, është mirë të përfundojë projektet me fillim e pa mbarim, pasi qëllimi i ndërtimit të rrugëve është të lehtësohet qarkullimi dhe jeta e qytetarëve e jo të lihen në gjysmë e pastaj të bëhen edhe shkaktare për aksidente me pasoja fatale. Se kush është Ejup Rustemi është lehtë e verifikueshme të shihet gjendja e rrugëve në nivel shteti që janë për mjerim, rrugë katastrofale, e për keqardhje. Nëse kërkohet të përshkruhet me tre fjalë drejtori në fjalë ato do të ishin: projekte shumë, fjalë tepër, punë aspak, shkruan Zhurnal.

Rustemi në reagimin e tij demanton vetveten –

Ejup Rustemi në mungesë të fakteve konkrete përdor fjalët boshe sikurse punët në terren, ai përmes një reagimi duke tentuar t’i kundërpërgjigjet Lëvizjes Besa dhe shkrimeve reale e objektive të Agjencisë Zhurnal, ka demantzar vetveten duke përmend një sërë projektesh që kanë filluar por që ende nuk kanë përfunduar, e as që dihet kur do t’i vijë fundi.

“Me shumë vëmendje, por edhe me një dozë të madhe habie, ndoqa reagimin e partisë opozitare të publikuar në disa portale interneti, që paraqet njëherit shkakun e reagimit tim të sotëm. Shumë të pavërteta janë bërë në llogari time dhe të partisë që unë përfaqësoj. Megjithatë, nuk jam unë ai që duhet të përcaktoj se nga ka ardhur ajo nxitje apo motivi i një frustracioni dhe dezinformimi i tillë i plasuar në opinion nga ajo parti dhe disa qarqe tjera të caktuara. Por, dëshiroj të theksojë se bëhen vlerësime tendencioze dhe të pavërteta për manipulim të opinionit dhe të qytetarëve me qëllim që të shtrembërohet realiteti. Aq më tepër, është jo njerëzore që të përdorësh rastet tragjike për pikë politike ditore.”, është shprehur, Rustemi.

Zhurnal pyetje publike për Ejup Rustemin –

Agjencia e Lajmeve Zhurnal ka edhe pyetje publike për Rustemin, mbi atë që punët e filluar janë tejmase të vonuara, por dhe ato që bëhen mungon profesionalizmi, dhe sërish kalimtarët e rrugëve që po ndërtohen mbesin të pa mbrojtur përderisa shfrytëzojnë ato rrugë. Ku janë shenjat, ku i keni bankinat-përkohshme, mbrojtëset që duhet t’i veni gjatë punimeve?

A keni dalur ndonjëherë të vëzhgoni punimet e rrugës, Shkup-Bllacë? Nëse po përse nuk keni ndërmarr masa që përderisa kjo rrugë po rregullohet të siguroni kalimtarët që mos të ndodhë ajo që ndodhi në lumin Lepenc, aksidenti me pasojë vdekje. Apo po prisni edhe ndonjë aksident tjetër?

Presim përgjigje nga drejtori i cili pa përtesë ka reaguar duke folur për frustrim e qëllime tendecioze, por që harron se partitë opozitare qëllim kanë kritikën ku nuk shkojnë punët si duhet, e mediat dhe ato portalet onlajnë që nuk i ka për qejfi z. Rustemi kanë për funksion kritikën dhe vështrimin e punëve që duhet të bëhen e nuk bëhen, sepse përgjegjësi marrin ata drejtorë pasi të bëhen drejtorë janë të papërgjegjshëm.

Çfarë ndodhi me 12 kilometrat Shkup – Bllacë?

Autostrada prej 12 kilometrave Shkup – Bllacë ka mbetë në duar të fatit, projekt që fillimi i dihet por fundi asesi. Në janar të vitit 2020 autoritetet e Maqedonisë së Veriut firmosën marrëveshjen me një kompani ndërtimore për nisjen e pjesës së parë të punimeve, konkretisht për ndërtimin e dy, nga gjithsej 12 kilometra por po shkelet afati.

“Është fakt se realizimi i këtij projekti në bazë të marrëveshjes ka qenë deri në fund të këtij viti(2021), por duhet të potencojmë se për shkak të zhagitjeve deri në dhjetor të vitit 2020 nuk ishte bërë eksproprijimi në tërë trasenë, atëherë në atë kohë ne e bëmë dhe eksproprijimin, dhe filloi puna intensive, për atë arsye e kemi një vonesë pesë mujore“, deklaroi Ejup Rustemi, drejtor i NP “Rrugët Shtetërore”, për mediat.

Si rrjedhojë, autoritetet thonë se në vend që të përfundojë në dhjetor të vitit 2021, nëse nuk paraqiten probleme tjera, pjesa e parë do të përfundojë pas muajit prill të vitit 2022. Por, tani jemi tre vite më vonë që kur është nënshkruar marrëveshja dhe ende flitet për këtë autostradë të pa përfunduar, kemi të bëjmë vetëm me 12 kilometra.

Nga ana tjetër, Kosova në maj të vitit 2019 inauguroi autostradën “Arbër Xhaferi”. Autostradë prej 60 kilometrave që shtrihet nga Prishtina deri në Han të Elezit, kufirin me Maqedoninë e Veriut. Shtetasit e dy vendeve me vite presin që autoritetet e Maqedonisë së Veriut të përfundojnë pjesën tjetër, gjegjësisht autostradën Shkup-Bllacë, me çka pritet të lidhen kryeqendrat e dy shteteve, Prishtina dhe Shkupi.

Prandaj, kur para qytetarëve tani në mars është prezantuar projekti më i madh që pas pavarësisë së vendit, ndërtimi i korridorit 8 dhe 10D, ku për korridorin 8 u vendos edhe gurthemeli dje, bëhet fjalë për projekt që lidh tre shtetet Maqedoni e Veriut, Kosovë dhe Shqipëri që në total kap 110 kilometra. Urohet e shpresohet që ky projekt mos ta ndajë fatin e njëjtë me atë të autostradës Shkup – Bllacë që për arsye të ndryshme ende ka ngel pa përfunduar. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More