Shkup, 27 gusht – Pas deklaratës të sotshme të Zëvendëskryeministrit të parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi i cili gjatë vizitës së tij në Tetovë, në vazhdimin e punimeve që po bëhen tek bulevardi “Bllagoja Toska” tha se e “E gjithë Qeveria e mbështet Teutën, sepse ajo i ka hije Tetovës”, vjen reagimi nga Ministri i Bujqësisë, njëherit Sekretar gjeneral i Lëvizjes Besa, Arjanit Hoxha.
Ai në një status në rrjetin social facebook ka shkruar.
“As vetë BDI nuk i beson fitores në Tetovë sepse e dinë se nuk i ka hije Tetovës që të udhëhiqet nga Teuta Arifi.
Pa hyrë shumë në polemika, si pjesëtar i Qeverisë e kam patjetër të them se Teuta Arifi ka mbështetjen vetëm të ministrave nga partia e vet (edhe aty nuk e di sa e ka mbështetjen por tek e fundit ajo është çështje e brendshme partiake e tyre).
Me një fjalë, partnerët e koalicionit qeveritar garojnë me kandidatët e vet në Tetovë dhe komunat e tjera, prandaj nuk është korrekte që të krijohet huti ashtu si dëshiron BDI.
Është e vërtetë se kjo qeveri ka ndihmuar shumë për Tetovën, po për fat të keq menaxhimi i Teuta Arifit edhe atë ndihmë nuk ka arritur që ta përdorë në shërbim të Tetovës dhe tetovarëve.”, shkruan Ministri Hoxha, transmeton Zhurnal.mk
Në vijim deklarata e plotë e Artan Grubit
“Njëkohësisht ashtu siç e thash dje në Shkup dua të potencoj edhe këtu sot, unë dhe gjithë kolegët e mi ministra dhe funksionarë të tjerë nga të gjithë eshalonet qëndrojmë prapa Teuta Arifit dhe komunës së Tetovës drejtë realizimit të të gjitha projekteve të parapara në programin e znj. Arifi për arsye se pa asnjë dyshim është një zonjë e hekurt e cila po i prinë Tetovës në ndryshimin që i ndodh në historinë e vet në këto 8 vitet e kaluara, por nuk dua të ndalem këtu por të vazhdojmë më tej, në këtë synim e ka mbështetjen apsolute të të gjithë neve pa asnjë hezitim dhe dëshmia më e madhe është vazhdimi i këtij projekti dhe nga sot do të na shihni më shpesh në Tetovë sepse Tetova do të shndërohet në një fushë ndërtimi në të gjitha anët në drejtim të realizimit të projekteve. Një zonjë si Teuta po vihet në ballë në betejën për tetovarët me Covid-in duke hapur qendra të reja të vaksnimit, duke siguruar vaksina, duke luftuar për nxënësit në shkolla dhe kjo është ajo që i duhet Tetovës. Tetovës i duhet Teuta Arifi sepse i ka hije Tetovës”, ka theksuar më tej Grubi gjatë vizitës në Tetovë.
.