Shkup, 13 tetor, zhurnal.mk – Si do të zhvillohet puna në Kuvend pas zbulimit në opinion se dy deputetë janë pozitivë me Kovid-19 dhe duke pasur parasysh se partitë në pushtet me mungesën e tyre në mbledhjet plenare nuk kanë shumicë, sipas të gjitha gjasave do të dihet pas takimit të sotëm koordinues me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi dhe me fillimin e mbledhjes së caktuar për në mesditë.
Nga Kabineti i Xhaferit nuk ka informata se si do të veprojë ai, duke e pasur parasysh qëndrimin e VMRO-DPMNE-së opozitare se nuk do t’i bëjnë kuorum pushtetit, dhe çështjen nëse në Kuvend do të jenë deputetët nga Aleanca e shqiptarëve dhe Alternativa.
Nga ana tjetër, burime pranë Kuvendit brifojnë se spikeri nuk do ta anulojë mbledhjen, as cilën do tjetër në të ardhmen, gjithnjë derisa mund të mblidhet numër i mjaftueshëm i deputetëve për punën e Kuvendit, përkatësisht kuorum apo së paku 61 deputetë, pa dallim nëse ata janë nga pushteti apo nga opozita. Nga atje potencojnë se opozita duhet të ketë parasysh se këto janë kushte specifike për punë dhe se duhet të ndërmarrë përgjegjësi dhe të kontribuojë për funksionalitetin e institucionit. Lidhur me votimin për pikat e rendit të ditës, thonë se është demokratike që secili të deklarohet ashtu siç mendon, por se në këtë rast deputetët e opozitës, edhe nga blloku maqedonas, edhe nga ai shqiptar duhet të marrin pjesë në punën e Kuvendit.
Pasqyra e parë më e qartë për atë se si di të zhvillohet puna në Kuvend duhet të japë epilog nga takimi i koordinuesve të grupeve të deputetëve me kryetarin e Kuvendit Xhaferi, ndërkaq në të cilin pritet të marrë pjesë edhe koordinuesi i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski.
Koordinuesi i grupit të deputetëve të LSDM-së, Jovan Mitreski për MIA-n deklaroi se mbledhja nuk është anuluar dhe se si do të funksionojë Parlamenti do të dihet pas takimit koordinues me spikerin.
Nga VMRO-DPMNE theksojnë se grupi i deputetëve nesër do të ketë koordinim pas çka edhe zyrtarisht do të dihet nëse do të marrin pjesë në mbledhje, Qëndrimi i tyre i treguar paraprakisht, ishte se nuk do t’i bëjnë kuorum shumicës në Parlament.
Pozitivë me Kovid-19 janë deputetët Llaze Tanevski nga LSDM dhe Ismail Jahoski nga BDI. Tanevski u testua sepse ka dashur të udhëtojë jashtë vendit, ndërsa Jahoski ka pasur simptome të Kovid-19 dhe u hospitalizua. Pas anketave të kryera epidemiologjike, nga Qendra për shëndet publik informuan se nuk ka nevojë për izolim të deputetëve të tjerë, sepse masat në Kuvend janë respektuar.
Shumica pushtetit në Kuvend numëron 62 deputetë nga LSDM, BDI, Besa dhe partnerët e koalicionit, ndërsa opozita 58 deputetë nga VMRO-DPMNE dhe koalicioni i Aleancës së shqiptarëve dhe Aletternativës.
Kuvendi në Republikën e Maqedonisë së Veriut sot duhet ta mbajë vazhdimin e mbledhjes së 15-të, ku në rend dite janë Propozim-ligji për detyrim të RMV-së me kredi tek Banka ndërkombëtare për ripërtëritje dhe zhvillim – Banka botërore sipas Marrëveshjes për kredi për financim të Projektit për përballje urgjente me COVID-19 në Maqedoni të Veriut, me procedurë të shkurtuar, si dhe ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për mbrojtje të informatorëve, të Ligjit për tatimet gjyqësore, Ligjit për autokampet dhe Ligjit për ski qendrat, të gjithë në lexim të parë.
Mbledhje duhet të mbajë edhe Komisioni ligjdhënës-juridik, ku në rend dite është Propozim ligji për detyrim të RMV-së me kredi tek Banka ndërkombëtare për ripërtëritje dhe zhvillim – Banka botërore sipas Marrëveshjes për kredi për financim të Projektit për përballje urgjente me Covid-19 në Maqedoni të Veriut, me procedurë të shkurtuar.
Këtë javë, përkatësisht më 15 tetor, të mërkurën, në Kuvend duhet të fillojë edhe debati për ribalancin e Buxhetit.