Agjencia Zhurnal.mk
Bota

Pasaportat COVID-19: Rrugë drejt normalitetit apo krijimit të problemeve të reja?

Qeveritë dhe zhvilluesit e teknologjive në mbarë botën po eksplorojnë mënyra të mundshme të përdorimit të “pasaportave të vaksinave”, si një mënyrë për të rihapur ekonominë, duke identifikuar personat që janë të mbrojtur ndaj coronavirusit.

Megjithatë, ata që zhvillojnë teknologjitë, thonë se mjete të tilla vijnë me pasoja, të tilla si përjashtimi potencial i grupeve të tëra nga pjesëmarrja në shoqëri, duke iu bërë thirrje ligjvënësve që ta mendojnë seriozisht se si do të përdoren këto pasaporta, shkruan agjencia e lajmeve Reuters.

Industritë e udhëtimit dhe argëtimit kanë pasur vështirësi të mëdha të operojnë me fitim, për shkak të masave të distancës sociale, janë veçanërisht të interesuar që të ketë një kontroll të shpejt se kush është i mbrojtur nga COVID-19.

Në mesin e atyre që prodhojnë pasaporta, janë kompania biometrike iProov dhe kompania për siguri kibernetike, Mvine, që kanë krijuar një pasaportë të vaksinës që po testohet në Shërbimin Kombëtar të Shëndetësisë së Britanisë, pasi mori fonde nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.

Themeluesi dhe njëherësh shefi ekzekutiv i kompanisë iProov, Andrew Bud beson se pasaportat e vaksinave duhet të përmbajnë vetëm dy informacione.

“Një është nëse ky person është vaksinuar dhe informacioni tjetër është se si duket ky person”, thotë ai.

Bud shton se gjithçka që duhet të bëhet me këtë pasaportë është që fotografia e një personi të vaksinuar dhe se nuk duhet ditur as identiteti i plotë i të vaksinuarit.

Konfirmimi i statusit të vaksinimit të njerëzve do të ndihmonte ekonominë e lokaleve të natës, ku vetëm në Mançester të Anglisë janë të punësuar rreth 420,000 persona, thonë ekspertët.

“Ne duhet të shikojmë mënyrat se si t’i kthehemi jetës normale”, thotë Sacha Lord, këshilltar i kësaj industrie dhe bashkëthemelues i festivalit të muzikës Parklife.

Përderisa ka pasur disa eksperimente, ku janë mbajtur koncerte dhe ngjarje të tjera vitin e kaluar, duke aplikuar distancën shoqërore, nga këto ngjarje të organizuara nuk ka pasur përfitime të mëdha, thotë Lord.

“Një ndejë nuk është një ndejë e vërtetë, një festival nuk është një festival i vërtetë, nëse nuk ke mundësi që të jesh krah për krah me miqtë e tu”, shprehet Lord.

“Nuk mendoj se duhet t’i detyrojmë njerëzit që të pajisjen me pasaporta të vaksinës. Kjo do të duhej të ishte një zgjedhje. Por, në hyrje (të festivaleve) nëse nuk ke këtë pasaportë ne do t’iu ofrojmë një mundësi tjetër”, thotë Lord, duke sugjeruar se mundësia tjetër mund të jetë konfirmimi se një person nuk është pozitiv me coronavirus përmes kryerjes së testeve të shpejta për COVID-19.

Ndërkaq, Andrew Bud thotë se certifikatat e vaksinave tashmë kanë nisur të shpërndahen në disa shtete, dhe në Shtetet e Bashkuara, disa leje shëndetësore, të lëshuara nga sektori privat, po përdoren për të lejuar njerëzit të marrin pjesë në ngjarje sportive.

“Mendoj se certifikatat e vaksinave përmbajnë më vete probleme të mëdha sociale dhe politike. Puna jonë është që t’iu ofrojmë teknologjinë e duhur për të bërë të mundshme pasaportat dhe certifikatat e vaksinave… Nuk është detyra jonë që të gjykojmë nëse këto pasaporta e certifikata janë një ide e mirë apo jo”, shton ai.

Probleme potenciale mund të paraqiten rreth diskriminimit, privilegjit dhe përjashtimit të brezit të ri, të cilët pritet të jenë të fundit që do të vaksinohen kundër coronavirusit, tha Bud, duke shtuar se ai beson se autoritetet britanike po i kushtojnë kujdes kësaj çështjeje. /REL/

Postime të ngjashme

BE përsërit thirrjen kundër mohimit të gjenocidit në Srebrenicë

D V

JP Morgan bëhet banka e parë e madhe amerikane që pranon transaksione me kriptomonedha

D V

Protestuesit ia mësyjnë parlamentit sllovak, policia hedh gazlotsjellës

D V

Hulumtimi: Dy doza Pfizer apo AstraZeneca, efikase kundër Deltës!

N E

Kina nuk do një inspektim të dytë nga OBSH-ja

N E

Shtetet e Bashkuara kanë kryer sulme ajrore në Afganistan kundër talebanëve

N E

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...