Shkup, 20 shkurt – Trendi i mbylljes së klasave në shkollat fillore dhe të mesme në Tetovë nuk po ndalet. Statistikat e këtij viti shkollor janë më të errëta. Krahasuar me vitin e kaluar, këtë vit në shkollat fillore dhe të mesme janë regjistruar 1300 nxënës më pak. Shifra alarmante dhe shumë shqetësuese, këto shifra janë përgjigje e shtypjes së vazhdueshme që i është bërë qytetarëve brenda vendit, në veçanti atyre shqiptarë. Derisa për nxënësit shqiptarë të Çashkës po zhvillohet beteja që ata të mësojnë në gjuhën e tyre amtare, në shkollat tjera ku kjo e drejt ekziston vendet e nxënësve po ngelin të thata pas ikjes masive dhe të hovshme që po ndodhë nga qytetarët e gjithë vendit, sidomos atyre shqiptarë pa dallim gjinie e profesioni, shkruan Zhurnal.
Vazhdon eksodi në Tetovë, këtë vit ka 1300 nxënës më pak në shkollat fillore dhe të mesme –
Trendi i mbylljes së klasave në shkollat fillore dhe të mesme në Tetovë nuk po ndalet. Statistikat e këtij viti shkollor janë më të errëta. Krahasuar me vitin e kaluar, këtë vit në shkollat fillore dhe të mesme janë regjistruar 1300 nxënës më pak. Prindërit janë ende në kërkim të fletshpërnguljeve për fëmijët e tyre dhe shkak, siç theksojnë në sqarimet e tyre, është migrimi në vendet e Evropës Perëndimore.
“Për fat të keq, trendi i rënies së numrit të nxënësve nuk e tejkalon as Komunën e Tetovës. Vitet e fundit, ka pasur më pak nxënës të regjistruar çdo vit shkollor. Për shembull, këtë vit shkollor në shkollat e mesme janë regjistruar 500 nxënës më pak, në shkollat fillore rreth 800. Në Komunën e Tetovës gjatë gjashtëmujorit të parë janë tërhequr 160 nxënës nga shkollat , ndërsa deri në fund të këtij viti shkollor ky numër pritet të rritet në 250. Rënia e numrit të nxënësve krijon problem edhe për stafin mësimdhënës, një numër i madh mësuesish përballen me humbjen e vendit të punës për shkak të mbylljes së paraleleve. Arsyeja kryesore për gjithë këtë është emigrimi në vendet e huaja”, tha për “Sloboden Peçat”, Milena Vuçevska, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
Nga ana tjetër, rrethi i miqve të tetovarëve po ngushtohet nga muaji në muaj. Nuk ka asnjë banor të qytetit, që të mos ketë të afërmi apo mik që nuk është shpërngulur jashtë shtetit me familjen e tij. Nëse më herët largoheshin vetëm për arsye ekonomike, tani arsyet e largimit nga Tetova, por edhe për mbarë vendin janë të shumëanshme, thonë qytetarët.
Për eksodin masiv në Tetovë flet edhe imazhi i stacionit të autobusëve në Tetovë, ku linja më e rregullt është Tetovë – Berlin dhe Tetovë-Zurih, nga ku tetovarët kohën fundit janë duke blerë bileta vetëm për një drejtim.
Shkollat po zbrazen qytetarët në kërkim të një jete më të mirë –
Vetëm për tre muaj nga 10 shkolla fillore të Gostivarit, 60 nxënës kanë kërkuar fletëshpërngulje për t’u larguar nga vendi, ndërsa 40 nxënës të shkollave të mesme, kanë marrë fletëshpërngulje për arsye të bashkimit familjar jashtë vendit, 95 % e nxënësve janë larguar në Gjermani, ndërsa një pjesë tjetër edhe në shtete tjera.
Përveç shkollave të Gostivarit edhe shkollat e komunës së Tetovës përballën me rënie të numrit të nxënësve shkaku i bashkimit familjarë në shtetet Evropiane.
Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, nga 12 shkollat fillore të Tetovës, fletëshpërngulje kanë marrë 128 nxënës dhe nga pesë shkolla të mesme të kësaj komune 31 nxënës janë shpërngulur jashtë shtetit. Për vetëm tre muaj nga katër shkolla fillore në Tetovë, 99 nxënës janë çregjistruar shkaku i shpërnguljes jashtë vendit.
Përveç dy shkollave fillore në Tetovë në të gjitha shkollat tjera ka çregjistrim të nxënësve shkaku i largimit jashtë vendit. Përveç shkollave në komunat më të madhe edhe ato të komunave më të vogla po zbrazen gradualisht. Nga 7 shkolla fillore dhe 4 të mesme të Komunës së Velesit nga fillimi i vitit shkollor e deri tani janë çregjistruar 41 nxënës, kërkesat kryesisht kanë qenë për bashkim familjar jashtë vendit në shtete të ndryshme.
Në komunën e Zhelinës, nga gjashtë shkollat qendrore dhe 11 shkolla periferike vetëm në këtë tremujor janë çregjistruar 47 nxënës të cilët kryesisht kanë bërë bashkim familjar në Gjermani, Zvicër, Itali dhe një në shtetin e Norvegjisë. Numri total i nxënësve në Komunën e Zhelinës është ulur ndjeshëm dhe tani më kanë mbetur 2407 nxënës, ka raportuar televizioni Alsat.
Kujtojmë që, sipas të dhënave të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave, në fillim të vitit shkollor 2022/2023, numri i nxënësve në të gjitha shkollat fillore të vendit ishte 185.099, që paraqet një rënie prej 0.8% krahasuar me vitin shkollor paraprak 2021-2022.
Shkollat shqiptare po bashoadisen gjithandej, kryesisht në numër më të madh dhe shqetësues, nga Tetova, Kumanova, Likova, Gostivar, Kërçovë, Dollnen, Veles, si dhe nga kryeqyteti Shkup. Në një deklaratë për KlanM profesori universitar Fati Iseni ka sjellë disa shifra konkrete të cilat tregojnë në mënyrë të qartë numrin e nxënësve që sot mungojnë.
“Nëse në vitin 2006-2007 në nivel shtetëror kishim 228.207 nxënës në vitin 2020-2021 kemi 185.925 nxënës. Do të thotë në nivel shtetëror kemi rënie për 44 mijë e 282 nxënës. Kjo do të thotë se një qytet i tërë na mungon në shkolla fillore apo 18,5% jashtëzakonisht shifër e lartë” ka thënë Fati Iseni, profesor universitar.
Pasiguri e madhe, besimi i ulët në gjyqësi, institucionet e papërgjegjshme që nuk janë fare në shërbim të qytetarëve, mungesa e meritokacisë, papunësia, zhvillimi i dobët ekonomik, krizë gjithandej, këto janë shkaqet kryesore që të rinjtë dëshpërohen deri në palcë dhe vendosin që këtë dëshpërim ta ngushëllojnë me largim nga vendi. Sepse, në të kundërtën nuk kanë fuqi t’ia dalin dot me këtë sistem të vjetruar që nuk prodhon perspektivë dhe kushte normale për jetesë. /Zhurnal.mk