Agjencia Zhurnal.mk

Patrullimet e KFOR me ushtrinë serbe brenda Kosovës nxisin kritika të ashpra

Në Prishtinë pati reagime të ashpra kur u panë disa ushtarë serbë në një fshat të Kosovës afër kufirit me Serbinë. KFOR-i, përgjegjës për kufirin e Kosovës, flet për patrullim të sinkronizuar, por kritikat vazhdojnë.

Nga Deutsche Welle

Gjatë dy ditëve të shkuara në Kosovë pati reagime, kundër reagime dhe debate ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve, partive politike dhe vetë forcave paqeruajtëse të KFOR-it, rreth një patrullimi të xhandarmërisë serbe në vijën kufitare me Kosovën. Mediet në Kosovë publikuan pamje dhe raportuan për hyrjen e xhandarmërisë serbe në fshatin Karaçevë të Kosovës në komunën e Kamenicës. Për këtë ngjarje dhe filmimet që u panë, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se organet e shtetit janë duke hartuar një raport të detajuar për të parë së çfarë ka ndodhur. Veprimet e institucioneve “do të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, si dhe të koordinuara me të gjithë mekanizmat e sigurisë në vend”, u shpreh Hoti.

Reagimi i KFOR-it

Vetë misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, në një komunikatë për medie tha se “në Komunën e Kamenicës kanë zhvilluar një patrullë të sinkronizuar me forcat e armatosura serbe, përgjatë vijës kufitare administrative, në afërsi të fshatit Hodonoc”. Një mision rutinë, sipas paqeruajtësve. “Që nga viti 2008, patrullimet e sinkronizuara zhvillohen në mënyrë rutinore së bashku nga KFOR-i dhe Forcat e Armatosura serbe përgjatë vijës kufitare administrative për të ofruar siguri dhe për t’u siguruar që nuk ka aksidente. Në këtë drejtim, KFOR-i gjithashtu zhvillon patrulla të përbashkëta me Organizatat e Sigurisë së Kosovës në afërsi të vijës kufitare administrative”, thuhej në një njoftim të KFOR-it. Sipas forcave paqeruajtëse, KFOR-i në mënyrë rutinore kryen patrullime të tilla përgjatë vijës kufitare që shtrihet, siç thuhet në njoftim, rreth 350 kilometra. KFOR-i thotë se “kjo vijë nuk është e shenjuar dhe e përcaktuar mirë”.

“Vija kufitare administrative shtrihet rreth 350 kilometra dhe nuk është e shenjuar qartë apo e përcaktuar nga elemente të terrenit natyror dhe të identifikueshëm, siç janë lumenjtë ose vargmalet, por është shënuar vetëm në harta. Ndërsa kryejnë aktivitetet e tyre, patrullimet e sinkronizuara duhet t’i përshtatin itineraret e tyre në kufizimet e terrenit. Kjo nënkupton që patrullat e sinkronizuara të KFOR-it dhe Forcave të Armatosura serbe lëvizin përgjatë vijës kufitare administrative me një shkallë përshtatjeje të imponuar nga terreni. Sidoqoftë, në asnjë moment elementet e Forcave të Armatosura Serbe të një patrulle të sinkronizuar nuk ndahen nga anëtarët e KFOR-it dhe ky ishte rasti edhe këtë herë”, thuhej në sqarimin e KFOR-it.

Patrullimi i policisë së Kosovës

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i policisë së Kosovës, ndonëse këta të fundit thanë se nuk kanë hasur në polic apo ushtar serb në teritorin e Kosovës. “Njësitet policore kufitare pas raportimit të një informacioni nga Karaçeva e Kamenicës, kanë reaguar menjëherë duke shkuar dhe patrulluar te vendi ku është raportuar rasti. Njësitet policore nuk kanë hasur në atë lokacion ndonjë njësi apo siç është informuar për ushtri të Serbisë”, tha policia e Kosovës.

Ministria e Jashtme e Kosovës: Kritika ndaj patrullimit të sinkronizuar

Megjithë shpjegimin e forcave paqeruajtëse për patrullime të sinkronizuara ndërmjet KFOR-it dhe ushtrisë së Serbisë, ministrja e Jashtme e Kosovës, Melisa Haradinaj-Stubllai duket nuk ka qenë e kënaqur. Ajo vazhdon të besojë, se njësite të ushtrisë së Serbisë kanë shkelur në territorin e Kosovës. “Patrullimi i sinkronizuar nënkupton që secila forcë ushtarake vepron brenda territorit të vet dhe nuk e kalon kufirin. Palët dakordohen të lëvizin përgjatë vijës kufitare, dhe në kohë të caktuar e njoftojnë njëra tjetrën për atë se çka kanë hasur në terrenin e tyre gjatë patrullimit të sinkronizuar. Ngjarja e 7 gushtit në Karaçevë nuk rezulton të jetë patrullim i sinkronizuar, por patrullim i përbashkët me Serbinë, për të cilin nuk ka askush mandat e as autorizim. Popullit të shqetësuar duhet t’i sqarohet, se a e ka shkelur Serbia marrëveshjen me NATO-n që ka hyrë 300m brenda territorit të Kosovës, apo këtë e ka bërë me aprovimin paraprak”, shkroi në reagimin e saj ministrja e Jashtme e Kosovës.

Shefja e diplomacisë kosovare mendon se defilimi i forcave serbe me uniformë në një fshat kufitar të Kosovës është “terrorizim i banorëve, duke ua rikujtuar atyre plagët e luftës”. “Terrorizimi i popullit shqiptar të fshatit kufitar me Serbinë, përmes defilesë së uniformës serbe dhe rikujtimit të krimeve gjenocidale të Serbisë në Kosovë, nuk e ndihmon normalizimin e marrëdhënieve, pajtimin, e as vendosjen e paqes dhe stabilitetit në rajon. Uniforma ushtarake e policore serbe në territorin e Kosovës hap plagët e krimeve të pandëshkuara, dhe traumat e luftës së vitit 1999”, thotë në reagimin e saj Stublla. Ajo konstaton që mekanizmat kosovarë të sigurisë “nuk do të duhej të lejojnë, e aq më pak të lehtësojnë patrullime të tilla në territorin e Republikës së Kosovës, që shkaktojnë shqetësime dhe pasiguri tek qytetarët e asaj ane, trazojnë paqen, dhe provokojnë dhunë e vetëmbrojtje”, thotë Haradinaj Stublla, duke i bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare siç thotë “që të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”.

Plani i ri

Pas zhvillimeve të 7 gushtit dhe patrullimit të “sinkronizuar”, të një njësie të KFOR-it me një njësi të ushtrisë serbe në vijën kufitare Kosovë-Serbi, ministri i Rendit i Kosovës, Agim Veliu, ka bërë të ditur se janë dakorduar me forcat e KFOR-it, që policia e Kosovës dhe KFOR-it të rifillojnë patrullimet e përbashkëta. Sipas ministrit Veliu, pas një takimi që ai ka zhvilluar me komandantin e KFOR-it, gjeneral-majorin Michele Risi, ai është njoftuar se “hyrja e forcave te? xhandarmërise? serbe ne? territorin e Kosove?s ka qene? vete?m nje? patrullim i pe?rbashke?t i këtyre forcave me pjesëtarët e KFOR-it”.

Misioni i KFOR-it nga ana e tij thotë se, “në përputhje me mandatin që ka, do të vazhdojë të angazhohet me të gjitha palët për të forcuar bashkëpunimin, si me organet e sigurisë së Kosovës dhe po ashtu edhe me forcat e armatosura serbe.

Marrëveshja e Kumanovës

Me 9 qershor të vitit 1999, NATO dhe ushtria e Serbisë, patën nënshkruar marrëveshjen e njohur si marrëveshja e Kumanovës, ku Serbia detyrohej të tërhiqte të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova. Ndër të tjera në marrëveshje parashihej: që nga Kosova të largohen të gjithë personat dhe organizatat me aftësi militare duke përfshirë armatën e rregullt dhe forcat e marinës, civilë të armatosur, paramilitarë, forcat ajrore, garda kombëtare, policia kufitare, rezervistët, policia ushtarake, shërbimet informative, MUP-it, dhe policia lokale.

U caktua po ashtu një zonë sigurie ajrore 25 kilometra përtej kufirit të Kosovës, ndërsa, në një zonë tjetër prej 5 kilometrash përtej kufirit me Kosovën, ushtria serbe nuk lejohej të vendoste armatime të rënda, përveç ushtarëve kufitarë. Marrëveshja e Kumanovës u arrit pas fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, e cila ka zgjatur për 78 ditë.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

S.B.

Lajmet e fundit

Loading...