PD: Dënojmë kërcënimet online dhe fizike të gazetarëve, janë me prapavijë politike

nga D V

Partia Demokratike ka denoncuar kërcënimet online dhe fizike të gazetarëve.

Në një deklaratë për mediet nga selia blu, zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo tha se “patronazhistët e partisë, fizikisht ose si trolle online, janë lëshuar kundër çdo zëri të pavarur që denoncon korrupsionin dhe jetën e luksit të qeveritarëve, arritur me vjedhje të taksave të shqiptarëve”.

“Viktimë e sulmeve me maska interneti është bërë gazetarja Glidona Daci e Klan News, e cila ka marrë kërcënime në rrjetet sociale, me gjuhë denigruese, nga një profil me emrin Nesti Angoni”, tha Garo.

Sipas Garos “”Nesti i partisë” që sulmon si të vetët, edhe kundërshtarët, në varësi të direktivave që merr, sulmon gazetaren e kronikës në punë të vet, vetëm pse raporton fakte që nuk u pëlqejnë të korruptuarve të oborrit të bashkisë dhe qeverisë”.

“Partia Demokratike dënon me ashpërsi sulmin ndaj Glidona Dacit dhe çdo gazetari, në krye të detyrës apo në faqet e tyre private online, dhe sheh pas tyre fytyrën linçuese dhe të murrëtyer të Edi Ramës, Erion Veliajt dhe bashibozukëve të tyre me maska dhe emra falsë”, u shpreh Garo.

Garo tha më tej se “në vazhdën e intimidimeve kundër gazetarëve, një patronazhist i partisë, që kalon sa nga një prehër në tjetrin, edhe ai vegël qorre e Veliajt dhe Ramës, ka kërcënuar në një studio televizive gazetarin e njohur Enton Abilekaj”.

“Është e qartë se guximi i Angonatëve të Rilindjes dhe sharlatanëve të saj, linçues me pagesë, ka prapavijë politike. Regjia është në selinë e qeverisë dhe në zyrat e bashkisë ku strehohet sektori i censurës dhe programi i dhunimit të fjalës së lirë”, u shpreh Garo.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More