Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur sot mbledhjen e parë të Kryesisë pas zgjedhjeve të përgjithshme të 9 shkurtit, ku është vlerësuar pozitivisht fushata zgjedhore dhe është diskutuar për hapat e ardhshëm politikë të partisë.
Siç bëhet e ditur në njoftim, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka shprehur mirënjohje të thellë për angazhimin e jashtëzakonshëm të Kryesisë, kandidatit për kryeministër, Bedri Hamza, kandidatëve për deputetë, anëtarëve të partisë, strukturave dhe të gjithë mbështetësve që me punën dhe përkushtimin e tyre i kanë dhënë PDK-së rezultatin më të mirë ndër vite.
“Mbi 200 mijë qytetarë na kanë dhënë besimin e tyre, duke e konfirmuar Partinë Demokratike të Kosovës si forcë kryesore në skenën politike të vendit. Ky është një votëbesim i madh dhe një përgjegjësi që e marrim me seriozitet të plotë për të vazhduar misionin tonë për një Kosovë ma të mirë,” ka thënë kryetari Krasniqi.