Agjencia Zhurnal.mk
Maqedoni

PDSH me Sadi Bexhetin synon fitoren në Tetovë

Shkup, 18 qershor – Sonte, më 18 qershor, u mbajt Kuvendi i Degës Tetovë ku u zgjodh kryetari i degës dhe anëtarësia e kryesisë së degës. Ndërsa, poashtu, në këtë kuvend u zyrtarizua edhe kandidatura e Prof. Sadi Bexheti për kreun e Komunës së Tetovës.

Ndërkaq, ngjarjen e ndoqi edhe kryetari i partisë z. Menduh Thaçi duke iu adresuar simpatizantëve me një fjalim rasti ku u shpreh për mbështetje të plotë të Sadi Bexhetit.

Fjalimi i plotë i Prof. Sadi Bexhetit:

“I nderuari kryetar i partisë zoti Thaçi,

Të nderuar kuvendarë,

Të nderuar tetovarë,

Ju përshëndes dhe ju falënderoj nga zemra për prezencën tuaj në këtë ditë të rëndësishme për mua, për PDSH-në dhe për gjithë Tetovën.

Siç e dini, në një të ardhme të afërt, së bashku me ju duhet të bëjmë edhe përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Komunës. Ky institucion padyshim është një organ me shumë kompetenca, në të cilin këta anëtarë do të jenë përfaqësuesit tuaj e bashkëpunëtorët të mi si kryetar i ardhshëm i Tetovës.

Propozimin e kryetarit Thaçi për t’i hyrë betejës për kryetar të Komunës së Tetovës e pranova, jo për motive personale. Unë, tashmë kam një karrierë të suksesshme në botën akademike dhe jo vetëm në të. Këtë sfidë e pranova vetëm dhe vetëm me një motiv: ashtu si të gjithë ju, dhe, ashtu si të gjithë tetovarët e tjerë, edhe unë nuk mund të rrija indiferent ndaj këtij mosinteresimi, ndaj kësaj nëpërkëmbjeje dhe ndaj gjithë këtij shkatërrimi që, tani e tetë vjet, në vazhdimësi i bëhet qytetit tonë nga kryetarja aktuale dhe ekipi i saj.

Të nderuar kuvendarë,

Të nderuar tetovarë,

Ju më njihni. Jam profesor universitar. Kam qenë edhe rektor i Universitetit të Tetovës. Por, kam qenë edhe kryetar komune i qytetit tonë, Tetovës.

Unë i njoh nga afër problemet me të cilat ballafaqohen bashkëqytetarët e mi tetovarë.

Unë e njoh Tetovën dhe frymën e saj. I njoh të gjitha lagjet dhe të gjitha fshatrat që gravitojnë në këtë komunë. I njoh pritjet e qytetarëve dhe e di mirë çfarë meritojnë qytetarët e Tetovës. Pa asnjë dyshim, tetovarët meritojnë kushte për jetë shumë më të mira nga këto që u ofrohen sot. Tetovarët meritojnë infrastrukturë moderne, rregull dhe higjienë në ambientet publike. Tetovarët meritojnë përkujdesje shëndetësore shumë më me dinjitet, arsim shumë më cilësor, organizim shumë të mirë të jetës kulturore. Tetovarët meritojnë transport publik real. Tetovarët meritojnë t’i shijojnë pasuritë natyrore me të cilat i ka bekuar Zoti. Të jetosh rrëzë Sharrit, kurse të vuash për ajër të pastër dhe për ujë të pijshëm është jashtë mendjes. Absurde është edhe vetë pamja e qytetit me potencial më të madh ekonomik, arsimor e kulturor për shqiptarët. Nga ta kthesh kokën sheh vetëm dekadencë. Nga menaxhimi i keq dhe korrupsioni, kemi vetëm rrënim, shkatërrim, mospërkujdesje.

Por kështu u katandis Tetova brenda tetë vjetëve nga kjo udhëheqësi aktuale e komunës sonë. Fatkeqësisht sot Tetovën e udhëheqin dhe për Tetovën vendosin ata që jetojnë jashtë Tetovës. Tetovën dhe tetovarët i shfrytëzojnë për të bërë karrierë politike pa u përkujdesur fare për ta. Madje herë-herë Tetova ballafaqohet me përbuzjen dhe arrogancën e tyre.

Unë dhe ekipi ynë kemi vetëm një prioritet dhe një qëllim:

T’ua kthejmë Tetovën tetovarëve!

Përfundimisht do t’i përvishemi punës dhe Tetovën do ta bëjmë ashtu si e duan tetovarët.

Sigurisht, me një rast tjetër, jo vetëm para jush kuvendarë të nderuar, por para të gjithë tetovarëve, në mënyrë të detajuar, do t’i prezantoj të gjitha vizionet e mia për Tetovën.

I nderuari kryetar,

Të nderuar kuvendarë,

Ju, e bashkë me ju edhe unë, jemi faqebardhë. Kemi ecur vetëm drejt dhe asnjëherë nuk kemi hequr dorë nga përcaktimet tona.

Jemi të përgatitur dhe kemi vullnet të pathyeshëm për t’i zgjidhur problemet me të cilat ballafaqohemi ne si tetovarë.

Ju betohem se do të përkujdesem maksimalisht që të ndjehemi krenarë duke i shërbyer Tetovës dhe tetovarëve! Përfundimisht ky qytet duhet të sigurojë perspektivë për të rinjtë!

Faleminderit dhe na priftë e mbara!”, tha Bexheti.

Postime të ngjashme

Xhaferi uron Ilindenin: Kemi një shtet të përbashkët dhe jemi përgjegjës ta ruajmë

R Zh

Dimitrov: Trashëgimi e ilindenasve dhe e delegatëve tanë të KAÇKM-së janë bashkëjetesa, barazia, shtetësia, drejtësia dhe liria

R Zh

Ganiu uron ditën e kryengritjes dhe Republikës së Krushevës

Z H

Shënimi i 118-vjetorit të Republikës së Krushevës dhe 77-vjetorit të Mbledhjes së parë të KAÇKM-së

Z H

Pendarovski: T’i tejkalojmë ndasitë dhe të bashkohemi rreth idealeve të Ilindenit

Z H

Osmani: Ilindeni, festë që do të na bashkojë

Z H

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...