Pekin: Miting madhështor për njëqindvjetorin e PKK-së

Në sheshin “Tiananmen” të Pekinit u organizua të enjten Kina një miting madhështor për të festuar njëqindvjetorin e themelimit të Partisë Komuniste të Kinës (PKK).

 

Ceremonia nisi me 100 të shtëna topi dhe me marshimin e Rojës së Nderit në sheshin “Tiananmen”.

Një skuadrilje aeroplanësh fluturoi mbi sheshin “Tiananmen” duke shoqëruar flamurin e PKK-së, e ndjekur nga 29 helikopterë “Z-10” e “Z-19” në një formacion që krijoi numrin “100”, dhe dhjetë avionë luftarakë “J-10” që formonin numrat 7 dhe 1, që do të thotë 100-vjetori i themelimit të PKK-së më 1 korrik.

Në emër të partive të ndryshme jokomuniste dhe personave pa parti, kryetari i Komitetit Qendror të Komitetit Revolucionar të Guomindanit Kinez Wan Exiang lexoi një mesazh urimi, ku u vlerësuan sukseset e mëdha të arritura nga Partia Komuniste e Kinës gjatë 100 vjetëve që prej krijimit.

Duke vënë në dukje se, nën udhëheqjen e fortë të PKK-së, Kina e sotme është më afër se kurrë realizimit të objektivit për rilindjen kombëtare, Wan tha se ata do të vazhdojnë të qëndrojnë e të punojnë së bashku me PKK-në.

Presidenti kinez Xi Jinping, gjithashtu sekretar i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, mbajti një fjalim të rëndësishëm në këtë ceremoni të madhe festive.

Z. Xi theksoi në fjalën e tij se Kina ka realizuar objektivin e njëqindvjetorit të parë: ndërtimin e një shoqërie relativisht të begatë në të gjitha aspektet.

“Kjo do të thotë që ne i kemi dhënë një zgjidhje historike problemit të varfërisë absolute në Kinë dhe tani po marshojmë me hapa të sigurt drejt objektivit të njëqindvjetorit të dytë, për kthimin e Kinës në një vend të fuqishëm modern socialist në të gjitha aspektet,” tha presidenti Xi.

Më tej ai shtoi se populli kinez nuk ka shtypur ose skllavëruar kurrë popujt e tjerë dhe nuk do ta bëjë këtë as në të ardhmen, por njëkohësisht nuk do të pranojë kurrë shtypjen ose skllavërinë e huaj.

Duke vënë në dukje se Kina ka punuar gjithmonë për të mbrojtur paqen botërore, për të kontribuuar në zhvillimin global dhe për të ruajtur rendin ndërkombëtar, kreu i shtetit kinez bëri thirrje për vazhdimin e përpjekjeve për ndërtimin e një bashkësie me të ardhme të përbashkët të njerëzimit.

Xi theksoi gjithashtu se duhet të sigurohet që qeveria qendrore të ushtrojë juridiksionin e gjithanshëm mbi rajonet e posaçme administrative të Hong-Kongut e Makaos. Sipas tij, zgjidhja e çështjes së Tajvanit dhe bashkimi i plotë i vendit është misioni historik e angazhimi i palëkundur i PKK-së dhe askush nuk duhet të nënvlerësojë vendosmërinë, vullnetin dhe aftësinë e popullit kinez për të mbrojtur sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial.

Presidenti Xi Jinping vuri në dukje gjithashtu se PKK-ja përfaqëson interesat e popullit dhe jo ndonjë grup a klasë të privilegjuar. Sipas tij, çdo përpjekje për ta ndarë PKK-në nga populli dhe për ta vënë PKK-në kundër popullit, do të dështojë.

Gjithsej 12 delegatë që përfaqësonin rreth 50 anëtarë të PKK-së nga mbarë vendi zhvilluan Kongresin e 1-rë Kombëtar të PKK-së në Shangai në fund të korrikut të vitit 1921. Tani PKK-ja është partia më e madhe në pushtet në botë, me mbi 95 milionë anëtarë.

Related posts

Protesta kundër qeverisë në Kubë

N E

CDC: Delta ka ndryshuar luftën ndaj koronavirusit

D V

Gjermania hedh poshtë kritikat ndaj alarmeve për përmbytje

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More