Peleshi: Votë historike e diasporës, njëçerek milioni bashkatdhetarë të diasporës po regjistrohen

nga D V

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi e cilësoi sot si një pikë historike faktin që njëçerek milioni bashkatdhetarë të diasporës po regjistrohen dhe do të votojnë.

Në fjalën e tij në seancën plenare në Kuvend ku po diskutohen dy aktet normative të Këshillit të Ministrave, të cilët synojnë shtyrjen e vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit të shtetasve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit deri në fund të muajit maj, Peleshi tha se, “akti normativ ka hyrë në fuqi, është në veprim. Regjistrimi madje nga dita 1 nuk është penguar edhe kur akti nuk ishte miratuar në qeveri. Pra lejohej regjistrimi por nuk lejohej votimi. Tani lejohet dhe votimi me hyrjen e aktit që sot ne po e miratojmë”.

Peleshi theksoi se, “vota e diasporës ka qenë një ambicie e PS-së që po jetësohet këtë herë në zgjedhjet e 11 majit. Është bërë realitet”.

Natyrisht, shtoi ai, “diaspora gjithmonë ka qenë në listat e votimit, por këtë herë diaspora voton nga vendi ku jeton dhe kjo është një arritje e madhe, një hapësirë e madhe”.

“Fakti që pothuajse njëçerek milioni bashkatdhetarë të diasporës po regjistrohen dhe do të votojnë është një pikë historike në zhvillimet e demokracisë së vendit tonë, ku vota, zgjedhjet, janë momenti më kulmor”, tha Peleshi.

Peleshi foli edhe për kthimin e diasporës në vendin tonë.

“Po hyjmë në një fazë shumë proaktive të kthimit të diasporës në vendin tonë, në shtëpinë  e tyre”, tha Peleshi, duke u shprehur se në fundjavë qeveria organizon një panair pune në Athinë, “ku dhjetëra dhe qindra vende pune të ofruara kryesisht nga sektorët e ndërtimit, turizmit dhe bujqësisë, ku standardi dhe niveli i pagave është bërë i krahasueshëm të paktën me vendin fqinj Greqinë, do të ekspozohen, do t’i ofrohen bashkatdhetarëve tanë si një mundësi për të gjithë ata që janë duke menduar kthimin dhe që ne i inkurajojmë të kthehen në vendin tyre”.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More