Agjencia Zhurnal.mk
Maqedoni

Pendarovski: Pamjet e fundjavës nga Serbia nuk duhet të përsëriten

Shkup, 30 mars – Këshilli i Sigurimit i kërkon shtetit të përdorë të gjitha burimet e disponueshme për të siguruar kujdes përkatës shëndetësor për të sëmurët nga KOVID-19, si dhe të bëjë gjithçka që është e mundur për të zbatuar proces masiv të imunizimit të popullatës.

“Ajo që pamë në fundjavë në Serbi, ku qytetarët tanë u vaksinuan, është një turp për vendin dhe nuk duhet të përsëritet”, tha presidenti Stevo Pendarovski pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, ku u diskutua për situatën pandemike dhe në të cilën mori pjesë edhe ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Anëtarët e Këshillit, theksoi Presidenti, kërkuan shfrytëzimin e të gjitha burimeve në dispozicion në mënyrë që çdo qytetar të mund të marrë kujdesin e domosdoshëm shëndetësor.

“Shteti nuk duhet të lejojë asnjë qytetar të mos pranohet për kurim spitalor. Ministri Filipçe na siguroi se një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri më tani dhe nuk do të ndodhë në të ardhmen”, tha Pendarovski.

Lidhur me imunizimin që duhet të fillojë nesër, Pendarovski kërkoi nga kompetentët që të organizojnë procesin në rendin më të mirë dhe, siç u shpreh, ky operacioni i madh të vazhdojë deri në imunizimin e plotë të popullatës. Nuk duhet të ketë ndërprerje, theksoi ai.

“Unë nuk jam i vetmi që e kërkon atë, unë përcjell ndjesinë e shumë qytetarëve maqedonas të cilët nuk janë të kënaqur me atë që jemi duke e bërë deri tani. Pamjet që i pamë fundjavën e kaluar në Serbi e ilustrojnë më së miri këtë. Pamje të tilla thjesht nuk duhet të përsëriten. Falënderim Serbisë, por, ky ishte një turp për vendin tonë. Shteti duhet të gjejë një mënyrë për të vaksinuar qytetarët e saj këtu”, theksoi Pendarovski.

Lidhur me situatën me mekanizmin Kovaks dhe nëse ka ndonjë informacion shtesë, u shpreh se ai informacionet i merr nga Ministria e Shëndetësisë.

“Dhe dihet saktësisht se në cilën ditë dhe në çfarë sasie do të mbërrijnë, por unë me vetëdije do të ndalem këtu, sepse deri më tani na kanë djegur shumë me paralajmërime, të cilat nuk kishin asnjë lidhje me politikanët tanë. Si shembull, edhe vendet më të pasura në Evropë deri më tani nuk kanë as pesë për qind të popullsisë plotësisht të imunizuar”, tha Pendarovski.

Armata nuk do të përfshihet në procesin e imunizimit. Pendarovski sqaroi se sipas planit të paraqitur nga Ministri i Shëndetësisë, në këtë moment as ushtria dhe as policia nuk kanë nevojë të përfshihen.

Ai e shfrytëzoi këtë rast për të bërë thirrje personale deri te institucionet private shëndetësore për të shqyrtuar mundësinë e heqjes dorë nga fitimi në mënyrë që t’i bëjnë shërbimet e tyre më të kapshme për qytetarët që vuajnë nga KOVID-19 dhe nëse ka nevojë ta dërgojnë edhe personelin e tyre në objektet publike shëndetësore.

“Jam i bindur se në kohë të vuajtjeve të mëdha kolektive nuk duhet të shfrytëzojmë fatkeqësi dhe tragjedi familjare të askujt për përfitime të dikujt dhe shpërndarje të dividendëve”, tha Pendarovski.

Pas mbledhjes së Këshillit, ai njoftoi se të gjithë politikanët dhe zyrtarët ranë dakord të aplikojnë për vaksinim si çdo qytetar tjetër.

“Për të mos ardhur deri te keqpërdorimi i pozitës së funksionarit të lartë, kemi rënë dakord në ditët në vijim të aplikojmë për vaksinim si çdo qytetar. Ne jemi të njëjtë me të gjithë qytetarët, dhe mendova se duhet të aplikojmë si çdo qytetar i këtij vendi dhe të vaksinohemi kur të marrim termin, respektivisht kur të krijohen kushte për këtë”, tha Pendarovski.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë rekomandimet dhe të jenë të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm, por, siç theksoi ai, politikanët duke respektuar masat dhe ligjet do të kenë fytyrë të kërkojnë të njëjtën gjë nga qytetarët.

Lidhur me mundësinë e futjes së masave më kufizuese, Pendarovski tha se as ai dhe as anëtarët e KS-së nuk janë kompetentë për të treguar. Ai shtoi se që nga viti i kaluar, që nga marsi, kur filluan masat kufizuese, ata kanë ndjekur rekomandimet e Komisionit për sëmundje ngjitëse. Kreu i shtetit theksoi se rekomandimet e tyre këto ditë janë se duhet mbetur me të njëjtën set të masave, dhe se nuk do të ketë efekt më të mirë nëse mbyllemi.

Postime të ngjashme

Shkupi i hutuar, njëkohësisht është optimist por edhe pesimist për zgjidhje me Bullgarinë

Bekim Laçi

Hapet zyrtarisht ambasada e Maqedonisë së Veriut në Bratislavë

Zekirija Haxhiu

Taksë ekologjike për derivatet dhe zvogëlim të TVSH-së për energjinë elektrik

Zekirija Haxhiu

Peloni: Duam marrëdhënie të mira me vendin fqinj

Zekirija Haxhiu

Stefoska: Kemi dërguar një letër interesi për programin e ri të BE-së për kulturë

Zekirija Haxhiu

Përsëri asnjë viktimë nga Covid në Maqedoni, shënon 29 raste të reja

Zekirija Haxhiu

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...