Shkup, 4 prill – Pensionistët në Maqedoninë e Veriut pak kohë kalojnë në shtëpitë e tyre, pasi pjesa më e madhe e kohës në spitale për tu trajtuar dhe pjesa tjetër në rrugë për të kërkuar pensione më të larta. Jo që kanë nevojë për të bërë jetë luksi por për t’i mbuluar shpenzimet obligative për të siguruar bukën e gojës dhe barnat, kaq nuk duan e nuk kanë nevojë për më shumë. Në anën tjetër pensionistët janë target grup i partive politike sepse janë të vetëdijshëm që gjykime më të sakta vijnë pikërisht nga kjo kategori e qytetarëve dhe ditën e votimit janë këta që dinë të shpërblejnë por dinë dhe munden të ndëshkojnë. Por, i gjithë interesimi i partive politike për pensionistët po përfundon vetëm me fjalë boshe sepse në parim pensionistët po vazhdojnë të jetojnë me vështirësitë e njëjta, shkruan Zhurnal.
Rritja e pensioneve është e domosdoshme nëse synojnë mbështetjen e tyre –
Bazuar në metodologjinë e re për rritjen e pensioneve, dy herë në vit, në mars dhe në shtator, mbi 337 mijë pensionistë të Maqedonisë së Veriut, në prill kanë marrë pensionet me një rritje prej 5.3 për qind të vlerës aktuale, apo 10 deri në 65 euro, varësisht shumës së pensioneve që u takon. Pjesa më e madhe, apo 40 për qind e pensionistëve që marrin pensione nga 12.500 deri në 16.000 mijë denarë (200 – 250 euro), në llogaritë e tyre kanë hyrë deri në 10 euro më shumë.
“Rritje të pensionimit këtë muaj kemi prej 500 deri 600 denarë [8-10 euro]. Me këtë rritje mund të blejmë 10-15 bukë, varësisht se çfarë lloji konsumojmë. Kjo më shumë është një rritje provokuese sesa një ndihmë për zbutjen e gjendjes së rëndë ekonomike, në veçanti për ne pensionistët. Çmimet aq shumë janë rritur saqë ne nuk po mund ta sigurojmë as bukën”, thotë pensionisti Nikolla për REL.
“Kjo rritje nuk është asgjë, thjesht është sikur një pikë ujë në det. Kjo është tallje me pensionistët, të cilët kanë punuar një jetë të tërë dhe në fund kanë përfunduar si raste sociale, të mos mund të bëjnë një jetë sado normale. Ata janë kategoria më e rrezikuar. Me pensionet që marrim nuk mund të sigurojmë as ilaçet dhe bukën e gojës”, thotë Veselin Ristevski, pensionist.
Pensionistët e grupit më të lartë, të cilët marrin pensione mbi 54 mijë denarë, apo rreth 900 euro, kanë marrë rritje prej gati 3.000 denarësh apo rreth 50 euro. Për ta tejkaluar hendekun mes pensioneve më të larta dhe atyre më të ulëta, pensionistët kërkojnë që të rikthehet rritja lineare, pra të gjitha pensionet të rriten me të njëjtën masë. Rritje lineare kërkojnë edhe pensionistë të tjerë, të cilët mendojnë se do të ishte mënyra më e mirë për zbutjen e gjendjes ekonomike të kësaj kategorie të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.
“Për rritjen e pensioneve duhet të bëhen ndryshime ligjore me qëllim që të ketë një harmonizim të pensioneve. Kështu mund të realizohet kërkesa për rritjen lineare. Me ligjin aktual rritja e pensioneve bëhet vetëm me përqindje”, thotë një pensionist.
Kërkesa për rritje lineare të pensioneve për rreth 80 euro është mbështetur nga partia opozitare, VMRO-DPMNE, e cila bëri të ditur se pas zgjedhjeve më 8 maj, në rast të ndërrimit të pushtetit, kjo kërkesë do të realizohet, ashtu siç kishte rritje të tilla edhe para vitit 2017 kur kjo parti qeveriste me Maqedoninë e Veriut.
“Rritje lineare të pensioneve prej 5.000 denarësh do të ketë jo vetëm këtë vit, por edhe vitin e ardhshëm. E kaluara ekonomike ka dëshmuar se për të qenë relativisht të kënaqur pensionistët, pensioni mesatar duhet të jetë rreth 60 për qind e pagës mesatare”, thonë nga VMRO DPMNE-ja.
Ata që duhet t’i përfillin pensionistët për vete kanë paga mbi 2 mijë euro –
Ndryshe, kur punëtorët shëndetësorë, arsimor, pensionistët e të tjerë kanë nevojë të patjetërsueshme për rritje të pagave për të mbijetuar këtë duhet ta bëjnë përmes formave të ndryshme, bojkot, grevë, e duke dalë në rrugë. Por, tani zyrtarëve u rritet paga vetëm me anë të ndryshimit të një ligji, madje as pa kërkuar. Këtu shihet qartë diferencimi nga të qenurit qytetarë dhe punëtorë në RMV dhe të qenurit zyrtar, kjo është fyerje dhe ofendim për klasën punëtore. Nuk duheshe të rriten pagat e zyrtarëve duke marrë parasysh gjendjen e rënduar ekonomike në vend, është gabim skandaloz dhe pasqyrim real se sa zyrtarët brengosen për qytetarët.
Rritja e pagave prej 78% është veprim skandaloz dhe i i papranueshëm për qytetarët, sepse me automatizëm është nënvlerësim i punëtorëve tjerë. Shërbyesit e popullit të quajtur në teori të paguhen me paga marramendëse e shumë të larta, shumëfish më të larta se pagat mesatare në vend, tregon qartazi se zyrtarët nuk e kanë hallin e qytetarëve, por se si të pasurohen më shpejt e më shumë.
Sipas këtij vendimi, presidenti Stevo Pendarovski, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi dhe kryeministri Dimitar Kovaçevski kanë pasur rritje të pagave prej rreth 70 mijë denarë. Përderisa ishin në këto pozicione, pasi aktualisht Talat Xhaferi është kryeministër teknik dhe Kovaçevski vetëm kryetar partie deri në zgjedhje. Deri më tani kanë marrë rreth 90 mijë, e tash e tutje rreth 160 mijë denarë, apo rreth 2.610 euro në muaj. Gjithashtu edhe, Artan Grubi, Oliver Spasovski, Sllavica Gerkovska, Fatmir Bytyqi, Sllavjanka Petrovska, dhe Bojan Mariçiq, do të marrin paga me vlerë mbi 2.000 euro. /Zhurnal.mk