Agjencia Zhurnal.mk

Për çfarë drejtësie flasin Deskovska e Jovevski?

  • Imperativi për të gjykuar gjithë ata që kanë shkelur ligjin me keqpërdorimin e detyrave zyrtare është i përhershëm, por as ata nuk mund të ndiqen duke dalë jashtë kornizave ligjore dhe parimeve të së drejtës.

Daut Dauti

Një këngë e vjetër maqedonase, nga fillet e rok-muzikës ndër ne, ka një varg shumë domethënës: “A të qaj, a të këndoj…” që shumë bukur do ta përshkruante këtë farsën e shuarjes së PSP-së. Prokuroria Speciale Publike, prej së cilës prisnin drejtësi, u shua me daljen në shesh të një serë skandalesh, kurse drejtësia që nisi ta zbatojë e që u shndërrua në përmasa farse, duhet dikush tjetër ta vazhdojë me stilin e saj!
Duhet të shprehim keqardhje (“të qajmë”, nëse përcjellim logjikën e këngës së sipërcituar) që u shua PSP-ja. Sepse me të u shua shpresa se këtu ndër ne mund të luftohen keqpërdorimet e pushtetit me paratë e popullit. E pati gjithë atë përkrahje në fillim, ia nisi me gjithë atë entuziazëm e elan, i kishte gjithë ato “dëshmi” që në kushte normale nuk do të duhej të shërbenin si të tilla(incizimet e përgjimeve të autorizuara nuk mund të përdoren në asnjë gjyq të një shteti normal), kishte edhe paraqitjet frymëzuese teatrore…Dhe çka fituam: një ish-kryeministër që përfundoi në ekzil për një vepër banale prej 600 mijë eurosh dhe ish-prokurorja speciale me shtatë vjet burg për zhvatje(për vepër të njëjtë çfarë ajo duhej t’i ndiqte bosët e mëdhenj të politikës)! Kur kryeprokurorja, sinonim i drejtësisë përfundon kështu, atëherë më mirë të “këndojmë”(sipas këngës së sipërcituar) që po shuhet organi i saj, sepse kur ai që ka qenë më i thirrur për drejtësi e shkel, s’na mbetet gjë tjetër pos këngës! Duhet të jetë një çlirim katarzor i gjithë neve nga super organi special i përndjekjes, me super buxhet dhe stërbesim të qytetarëve ndaj saj, me super-pozicion insitucional(të të pamerituar: jashtë kontrollit), i cili përdor si t’i teket paratë e buxhetit dhe për këtë nuk e ka ndjerë të nevojshme t’i japë raport as organit që e ka zgjedhur, Kuvendit. Komisioni i Antikorrupsionit zbulon paratë që i kanë ndarë super-prokuroret(ët), si beneficion për të siguruar materialin për nevojat hetimore, ndërkohë që ato përfundonin në tregjet e zeza si rasti “El Çeka” që plasonte bisedat private të mbrojtura me çdo konventë. (Për këtë nuk e dimë nëse burimi ishte prej PSP-së, apo PSP-në e vunë në tallje ata që i dispononin këto materiale(LSDM) që i shfrytëzoi për t’ia ulur namin BDI-së, kjo është një vepër e re që nuk bën të mbetet pa u hetuar!).
Në aspektin tjetër, përveç që PSP-ja pati grykësinë si dobësi njerëzore për ta keqpërdorur pozicionin “special”(sipas ligjit) për t’u pasuruar me shpërblime për të cilat askujt nuk i dhanë raport, por atë pozicion e keqpërdori edhe për të shkelur vetë ligjin! Në publik janë të njohura disa lëndë që Prokuroria Speciale i ka filluar, disa në faza të shtyra gjyqësore, e disa në fazën e hetimit paraprak, të cilat janë ngritur jashtë afatit ligjor prej 18 muajsh, që është shkelje e ligjit. Imperativi për të ndjekur dikë nuk mund të jetë më i fortë se sa ligji që duhet së pari ti ta respektosh. E PSP-ja hapi lëndë jashtë afatit ligjor. Për disa nga këto lëndë, me kërkesë të avokatëve, Gjykata Supreme e kishe shpallur PSP-në organ jo të autorizuar për t’i ngritur, por ato dikush mëton t’i vazhdojë…
Për shkak të këtyre që u thanë më lartë, më mirë të këndojmë për shuarjen e PSP-së, askush s’do të qajë për të!
Por, ata që vazhdojnë ku ka mbetur PSP-ja, prapë na kthejnë te vaji? Kjo drejtësia e stilit ping-pong, atë që e ka bërë PSP-ja e që s’është dashur, gjithë rrahagjoks e marrin përsipër Kreyeprokurori Jovevski dhe ministrja Renata Deskovska, se nëse PSP-ja është e vdekur, lëndët e saj janë të gjalla! Hajt, cilët lëndë, oj zonja ministreshë e zotëri kryeprokuror, dhe në emër të cilës drejtësi? Ju do të vazhdoni lëndët që janë hapur në mënyrë të paligjshme? Ato, natyrisht, janë të mbuluara me një ligj që u soll pas shumë zvarritjeve, por ai ligj shkeli të gjitha parimet e drejtësisë: u dha mundësia të vazhdohen lëndët që praktikisht nuk ekzistojnë. Më e drejta do të ishte ato të shuheshin bashkë me PSP-në dhe nëse ka indicie, të hapeshin hetime të reja nga prokuroritë ekzistuese(ajo e Jovevskit ose Ruskovskës), nga fillimi. E dyta, me ligjin e ri, praktikisht shkilet edhe një parim tjetër, varësisht se cila lëndë është në pyetje. Nëse ato janë hapur në kundërshtim me ligjin paraprak(atë të PSP-së), dhe ai praktikisht është në dobi të palëve, atëherë çdo ligj i ri nuk mund të jetë më i pafavorshëm për të dyshuarit, apo mos ka ndonjë logjikë tjetër të futur në ligjin që u soll para se të shpërbëhet parlamenti? Ndërkohë, edhe faktori kohë është kundër procesuimit të lëndëve(këtu nuk duhet publiku të mashtrohet me imperativin se kush duhej të ndiqet penalisht, por në respektimin e parimeve të shtetit juridik!), sepse veprat për të cilat akuzohen disa ish pushtetarë, me parimet e së drejtës janë bërë tashmë “vepra të vjetëruara”, me “meritën” e PSP-së.
As Deskovska e as Jovevski nuk duhet të rrahin gjoks me një drejtësi që shkel parimet e së drejtës! PSP-ja e ka humbur kredibilitetin nga çdo pikëpamje nga arsyet që u thanë më sipër, por t’i përsërisim se po i harrojmë: kryeprokurorja në hapsane, PSP-ja askujt s’i ka dhënë llogari për punën e vet, e siç u pa edhe ka keqpërdorime të detyrës zyrtare siç thotë Komisoni i Antikorrupsionit(ndarje beneficionesh përtej çdo logjike me dhjetëra mijë euro, e kryeprokurorja përtej 100 mijë!) dhe mund të thuhet se ajo që do të mbahet mend prej saj janë ato prezentimet e lëndëve me intonaciona teatral, garderoba, gjestikulimet e tre pik-damave të PSP-së…). Lëndët që duhet të vazhdojnë, nëse s’bëhet fjalë për presione politike, do të binin në çdo gjyq të një shteti normal. Në ndonjërën prej lëndëve, duke dashur të nxjerrin nga strofulla ndonjë arushë të madhe, kanë futur shumë lepuj që s’kanë lidhje me vepra që i ka bërë arusha!
Qesharake, por këto janë veprat e mbetura trashëgim nga PSP-ja.
Pra, pas PSP-së, sprova e drejtësisë nuk ka pushuar, por hapet një kapitull edhe për një fiasko ngjashëm me atë të gjykimeve selektive, ose më saktë, të amnistive selektive për 27 prillin. Kam shkruar sa herë( edhe ekspertët juridikë janë të atij mendimi), dhe tash vetëm pak dua ta rikthej vëmendjen në pasojat e asaj amnistie në rrënimin e shtetit jurdik: janë liruar nga ndjekja penale persona që e kanë hapur derën e parlamentit(pra, deputetët e VMRO-së që i duheshin qeverisë për të votuar ndryshimin e emrit), ndërkaq ata që nuk i duheshin, si psh. roja Feta Alimi, i cili iu gjet Zijadin Selës në çastet kritike, u dënua me 7 vjet burg! Më e ndershme dhe më parimore nga këndvështrimi i së drejtës të ishin liruar të gjithë , se sa ndonjë më pak i fajshëm të dënohet, e më të fajshmit, të lirohen. Deskovska, para se gjithash, nese mbetet ministre, duhet të betohet ta korrigjojë së pari këtë padrejtësi ndaj Feta Alimit të shkretë të mbetur në pamëshirën e qasjes selektive, e pastaj le të merret me lëndët e PSP-së, por për ta ndryshuar ligjin dhe për t’i shuar ato, të mos u adresohen edhe motivet politike për to.
Nga këndvështrimi i së drejtës, nuk duhet harruar pozitivja e qeverisjes së kaluar se me ndërrimin e strukturës së “svarovski gjykatës(e)ve” u bënë edhe do përpjekje për rigjykime(rasti “Monstra” kthehet në fillim, dhe të dyshuarit ndiqen në liri, por pa forcë vendimtare që të lirohen nga akuza, rasti i policit të njësisë Alfa (Agim Islamit, Rexhail Qerimi), por nga ana tjetër, pikërisht gjatë mandatit të Jovevskit ndodhi loja e madhe me rikualifikimin e veprës për vrasjen e Almirit të mitur nga Kumanova dhe mbrojtja në liri e vrasësit, që është një kthim prapa!
Prandaj, kryeprokurorja dhe ministrja e drejtësisë, në vend se të betohen se do t’i vazhdojnë veprat e gabuara të PSP-së(lëndët jashtë afatit ligjor), më së miri është të rishqyrtojnë nëse munden apo jo, më saktë, të rishikojnë nëse vazhdimi i tyre është në frymëne kushtetutës. Imperativi për të gjykuar gjithë ata që kanë shkelur ligjin me keqpërdorimin e detyrave zyrtare është i përhershëm, por as ata nuk mund të ndiqen duke dalë jashtë kornizave ligjore dhe parimeve të së drejtës.
Gjithë këtë, që te mos fitojmë një drejtësi si për te qarë, si për të kënduar, si për të qeshur!

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

R ZH

Lajmet e fundit

Loading...

Regjistrim Domain, Ueb Hosting, Uebfaqe për kompaninë tuaj, vetëm për    273 euro

error: Content is protected !!