Agjencia Zhurnal.mk
Shqipëri

Përballimi i pandemisë/ Basha: Çdo pensionist të përfitojë një çek mujor prej 2 mijë lekë të rinj në muaj

Një ditë para se të hynte në fuqi akti normativ për mbajtjen e maskës edhe në ambientet e hapura, kryedemokrati Lulzim Basha përmes konferencës së radhës, akuzoi Kryeministrin Edi Rama se nuk mori masat për menaxhimin e krizës së pandemisë.

Sipas kreut të opozitës në Shqipëri po fshihen të dhënat e sakta për numrin e të infektuarve, ndërkohë sipas tij, urdhri për të mbajtur maskë kudo bëhet për të fshehur të vërtetën.  “Nuk ka masa reale siç marrin vendet e tjera të rajonit, siç po merr Maqedonia, siç po merr Kosova për t’u përballur qoftë me aspektin shëndetësor, qoftë me aspektin ekonomik të pandemisë. Edi Rama, mosmarrjen e masave mundohet ta fshijë pas maskave.

Nuk ka shqiptar që nuk e kupton tashmë se arsyeja pse Edi Rama nuk merr masa për t’i ndihmuar, arsyeja pse gënjen se gjoja nuk e di planin tonë me 5 pika, është sepse paratë e buxhetit të shtetit po vazhdojnë të rrjedhin në mënyrë marramendëse në drejtim të aferave korruptive. Dhe kjo është arsyeja që Edi Rama nuk merr asnjë masë reale për të ndihmuar shëndetësinë në kolaps, për të ndihmuar ekonominë në krizë të thellë”, tha kryedemokrati Basha.

Më tej, Basha shtoi se vendi ynë nuk krahasohet as me Maqedoninë e Veriut sa i përket masave për përballimin shëndetësor dhe ekonomik të pandemisë, e jo më me perëndimin.

“Shikoni Maqedoninë, sot mediat shqiptare kanë raportuar një fakt që ne e kemi denoncuar prej kohësh, pothuajse dyfish më shumë shpenzime buxhetore për shëndetësinë. Pothuajse dyfishi i shpenzimeve buxhetore për shëndetësinë.

Kjo pa llogaritur masat shtesë, sa i përket shërbimit ambulator, spitaleve, ndihmës ndaj njerëzve që nuk kanë mundësi të paguajnë as për masa mbrojtëse, kurimin nga COVID-i. Vetëm paratë e përcaktuara në buxhetin e shtetit nga vendi fqinj, janë dyfishi i atyre që janë përcaktuar për shëndetësinë shqiptare dhe në buxhetin e shëndetësisë shqiptare mos harroni janë edhe koncesionet famëkeqe.

Nuk ka asnjë alibi, ka vetëm keqqeverisje. Ka vetëm vjedhje dhe shpërdorim të pushtetit, abuzim të pushtetit dhe shpërdorim të detyrës në kuptimin politik të fjalës, është absolutisht shpërdorim i detyrës në kuptimin penal të fjalës për një vend që do të kishte mundësinë minimale të angazhimit të drejtësisë, e cila sot duhet të kishte filluar hetimet për mos veprimet e Edi Ramës, të ministres së Shëndetësisë dhe të të gjithë të tjerëve përgjegjës”, vijoi Basha.

PLANI ME 5 PIKA

Për të 3-ën ditë radhazi, kryedemokrati Basha i bëri thirrje Kryeministrit Rama që të vërë në zbatim planin me 5 pika të PD-së për të rimëkëmbur ekonominë. Basha e paralajmëroi kreun e qeverisë se nëse nuk merr masa për menaxhimin e krizës përveçse do të mbajë përgjegjësi politike, do të përgjigjet edhe penalisht.

Ndërsa sa i përket premtimeve elektorale të Kryeministrit për heqjen e akcizës së naftës, Basha tha se ky është një premtim i 2013-ës dhe kur se bëri për 7 vite nuk ka vullnet ta bëjë tashmë në ikje.

“Besoj se siç keni parë këto premtime të përsëriten prej 8 vitesh, keni parë edhe përgjigjen që ka marrë dhe shpresoj ta keni transmetuar. Se këto janë premtime të bëra që në 2013-ën. E dini apo jo?! Premtimi për heqjen e akcizës është premtim i bërë në 2013-ën dhe gjithçka tjetër tregon një dhe vetëm një gjë, panikun total që e bën të premtonte sot se ‘gomari fluturon’. I vetmi ‘gomar që fluturon’ me paratë e oligarkëve dhe nuk ndihmon njerëzit, ju e dini fare mirë se kush është.

Shqiptarët nuk besojnë se ‘gomari fluturon’. Shqiptarët kanë nevojë për ndihmë sot. Pyetja është: Çfarë masash ke marrë sot për shëndetësinë? Jo prit gomar të mbijë bar. Pyetja është: Çfarë masash ke marrë sot për premtimin e dhënë që në mars mjekëve për 1000 euro bonus dhe infermierëve për 500 euro bonus. Pyetja është: Ku e ke paketën e tretë që e ke premtuar që në qershor”, tha kryedemokrati Basha.

ZGJEDHJET

Teksa i kërkoi Kryeministrit Edi Rama që të mbajë përgjegjësi edhe për këto 6 muaj qeverisje deri në zgjedhjet e ardhshme, kreu i PD-së nuk i shpëtoi pyetjes se cila është formula që do zbatojë opozita për koalicionet në zgjedhjet e ardhshme. Por përgjigja e tij ishte shumë e shkurtër, me arsyen e mos devijimit të vëmendjes nga situata ekonomike.

“Një gjë ju them, asnjë formulë nuk e shpëton dot këtë njeri dhe bandën e tij nga ndëshkimi popullor që e pret dhe më pas ndëshkimi nga drejtësia që e pret. Por sot e gjithë vëmendja ime, e të gjithë Partisë Demokratike, e koalicionit tonë opozitar është te një dramë që po shpaloset ditë për ditë përpara syve. Te rëndimi i përditshëm i situatës shëndetësore, te thellimi i përditshëm i krizës ekonomike dhe te pamundësia ulëritëse e qindra mijëra familjeve shqiptare për t’u përballur me kostot e jetës, për të siguruar ushqimet bazë”, përfundoi Basha.

1. Mbështetje dhe përgatitje e sistemit shëndetësor: Përgatitja për një shpërthim tjetër të infeksionit të COVID-19, duke:

a) Rritur numrin e testimeve për COVID-19 në 2500 testime në ditë.

b) Rimbursim i plotë për marrjen e mjekimit ambulator kundër COVID-19.

c) Sigurimin e pajisjeve mbrojtëse për të gjithë personelin shëndetësor dhe rritjen e kapaciteteve spitalore.

d) Bonus 1000 Euro për çdo mjek dhe 500 euro për çdo infermier për 6 muajt e ardhshëm.

2. Fëmijët tanë të arsimohen të sigurt: Të garantojmë që fëmijët dhe mësuesit në shkollë të jenë të sigurt, duke:

3. Asnjë shqiptar të mos lihet pas dore:

a) Të mbështesim ata që kanë humbur vendin e punës. Çdo individ që ka humbur vendin e punës nga pandemia gjatë këtij viti, të përfitojë një çek mujor prej 16 mijë lekë të reja në muaj, përveç pagesës ligjore për papunësinë, për një periudhë prej 6 muajsh.

b) Krijimi i një fondi të punësimi për të mbështetur bizneset për të rimarrë në punë të larguarit gjatë pandemisë, duke i alokuar çdo punëdhënësi që rimerr në punë një individ që ka humbur vendin e punës prej pandemisë, një shumë mujore prej 20 mijë lekë të reja në muaj për një periudhë prej 6-muajsh.

c) Dyfishimi i ndihmës ekonomike për çdo familje që trajtohet me ndihmë ekonomike.

d) Çdo pensionist të përfitojë një çek mujor prej 2 mijë lekë të rinj në muaj për përballimin e kostove shtesë të pandemisë, për 6 muaj.

4. Ndihmë për biznesin e vogël: Mbështetje e drejtpërdrejtë për të gjitha bizneset e vogla të prekura nga pandemia. Çek prej 1000 euro për çdo biznes të vogël aktiv.

5. Mbështetje për biznesin prodhues dhe punëdhënësit e mëdhenj:

a) Për 6 muajt e ardhshëm, subvencionim i 50% i qirasë për ambientet e punës ose heqje e taksës së pronës për bizneset pronare të ambienteve të punës.

b) Shtrirja në kohë dhe rikonceptimi i kritereve të përfitimit nga të dy skemat e garancisë sovrane, për ta bërë më të aksesueshme dhe të përballueshme kredimarrjen nga biznesi. Përcaktimi i një tavani prej 2% të normës së interesit për biznesin, duke subvencionuar çdo përqindje mbi këtë vlerë në kredimarrjen për investime dhe shpenzime operative, për të hapur urgjentisht Covid 3 dhe për të bërë gati dhe spitalet rajonale të qyteteve të mëdha të përballen me të infektuarit me Covid-19. Dhe mbajtjen e premtimit për bonus 1000 euro për çdo mjek dhe 500 euro për çdo infermier për 6 muajt e ardhshëm./Panorama/

Postime të ngjashme

Berisha: Ndalni tërbimin e policisë kundër protestuesve paqësorë shqiptarë në Shkup

T E

Greqia kufizon më shumë lëvizjet në Kakavijë në periudhën 1-15 Mars

T E

Manastirliu: Të hënën dërgesa e radhës nga Pfizer, brenda 10 ditëshit të parë të marsit vijnë vaksinat e para nga Covax

S.B.

“Urgjent të rimbursohen ilaçet për COVID”/ Meta-Ramës: Lëri dokrrat, trego planin e vaksinimit

S.B.

Berat/ Rama flet për Bashën e Kryemadhin: Është kukull në duart e ‘gogolit’, me ‘mamadhinë’ tek dera, nuk është alternativë

S.B.

Basha takim me të rinjtë: Do të fitojmë për një të ardhme më të mirë

S.B.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...