Agjencia Zhurnal.mk

Përgjimet/ Marku: Janë transkriptuar gjitha CD-të

Tiranë, 21 qershor – Gazeta gjermane “Bild” ka publikuar këtë të mërkurë 10 përgjime të reja ku dëgjohen ish-ministrat e PS-së, deputetët dhe shefat e policisë që flasin me emra të akuzuar nga opozita si pjesë e botës së krimit, për manipulimin e zgjedhjeve lokale të 25 shtatorit në Dibër. Por kjo nuk përbën provë për prokurorinë dhe Partinë Socialiste, të cilët i cilësuan ato thjesht “pallavra”. Në seancën e djeshme plenare, deputetë të mazhorancës nuk shprehën asnjë shqetësim për realitetin e këtyre audiove, përkundrazi vijojnë të palëkundur në rrugën e 30 qershorit.

Dosjet 339/184

Ditën e djeshme në Kuvend ka qenë e pranishme Kryeprokurorja, Arta Marku, e cila ka paraqitur “Raportin e Prokurorit të Përgjithshëm mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2018”. Pas prezantimit të raportit të organit të Akuzës për vitin 2018, prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku, iu është përgjigjur pyetjeve të ngritura nga disa deputetë të Kuvendit, kryesisht për dy dosjet e bujshme “339” dhe “184”. Lidhur me këto dy dosje, Marku ka deklaruar se iu ka kërkuar prokurorëve të dosjeve të nxjerrin sa më shpejt konkluzionet dhe të dërgojnë çështjet në gjykatë. “Dosjet 339 dhe 184 kanë hyrë në historinë ë drejtësisë dhe politikës shqiptare. Janë regjistruar më 2016 të dyja, të vetmet veprime deri në fund të 2018 ishin përgjimet, ka pas vetë transkripte. Pas prezantimit të raportit, ka ndërhyrë deputeti Myslim Murrizi i cili ka komentuar “Raportin e Prokurorit të Përgjithshëm mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2018” ku ka folur edhe për përgjimet e reja të publikuara nga Bild. Pas komenteve të Murrizit fjalën e ka marrë përsëri Arta Marku, e cila i është përgjigjur shkurt Murrizit . “Përgjimet nuk janë indicie por një mjet për kërkimin e provës, unë jam për të raportuar mbi punën e Prokurorisë”, ka thënë ajo.

“Janë regjistruar 74 persona nën hetim”

Prokurorja e Përgjithshme e përkohshme, Arta Marku gjatë fjalës së saj në Kuvend tha se janë transkriptuar pothuajse të gjitha CD-të. Ajo u shpreh se prokurorët tashmë do të duhet të dalin në konkluzione. “Ka pasur vetëm transkripte bisedash dhe numrash sporadikë. Në fund të shtatorit 2018, për të dyja çështjet janë caktuar prokurorë të tjerë ku iu është kushtuar gjithë rëndësia e duhur. Për “339” është caktuar një grup prej 3 prokurorësh dhe 11 oficerësh të policisë gjyqësore. 339 në momentin që është marrë nga prokurorët e tjerë ka pasur 704 CD të patranskriptura. Aktualisht pas 9 muajsh janë transkriptuar pothuajse të gjitha CD. Janë regjistruar 74 emra personash nën hetim janë dërguar për gjykim shumë prej tyre dhe 12 janë dërguar së fundmi. Jam dakord me të gjithë ata që mendojnë se këto çështje duhen zgjidhur. Ju ka ardhur momenti që të zgjidhen. Prokurorët që i kanë marrë në shtator 2018, e kanë marrë të gjithë kohën e nevojshme për të bërë hetimet dhe tashmë duhet të dalin në konkluzione. Unë i kam kërkuar vazhdimisht në çdo takim, për aq sa më lejohet brenda kompetencave që kam, apo në çdo dalje publike timen që t’ju japin zgjidhje këtyre çështjeve. Por janë prokurorët e çështjeve që do të duhet ta marrin këtë vendim”. Ndërsa theksoi se po hetohet për nxjerrjen e sekreteve, pas publikimit të përgjimeve nga Bild. “Për nxjerrjen e sekreteve po hetohet aktualisht nga prokuroria e krimeve të rënda në të njëjtën çështje me 339. Nisja e çështjes nuk është bërë pse dolën sekretet dhe përbënte problem nxjerrja e të dhënave, por u bë sepse nxjerrja e sekretit nga Prokurorët, oficerët e policisë gjyqësore përbën vepër penale dhe nuk mund të anashkalohet. Kjo duhet hetuar. Për sa u përket çështjeve në fjalë prokurorët do të duhet të dalin në konkluzione dhe ti drejtohen gjykatës si i vetmi institucion që do të vlerësojë vendimmarrjet e tyre”, tha Marku.

Tahiri: Ndjesë për fjalorin!

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri reagon ndaj përgjimeve të publikuara në gazetën gjermane BILD. Për të bisedën e regjistruar, Tahiri mjaftohet vetëm një ndjesë për fjalorin e përdorur dhe mohon faktin se biseda ka pasur qëllime për blerje votash në Dibër. “Ndjesë çdo qytetari për fjalorin aspak të përshtatshëm që u dëgjua në një bisedë private ku merrja pjesë. Shumë nga këta që bëjnë moral në politikë, media e portale, fjalorin e atillë e shumë më tepër se aq e kanë të shkruar në ballë në vendime qeverie, në akte publike a sjellje të përditshme. Por përsëri ç’u dëgjua prej meje nuk përputhet kërkund me vlerat që duhet të tregojmë, qoftë edhe në jetën a bisedat private. Përpos kësaj, biseda nuk ka lidhje aspak me vjedhjen e votave, blerjen e zgjedhjeve apo çdo lloj manipulim tjetër. E po kështu asnjë veprim i imi, në një fushatë si ajo e Dibrës ku nuk kam marrë pjesë asnjë ditë, në cilëndo mënyrë. Në audiopërgjimin e së mërukrës të publikuar nga media gjermane “Bild” ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri shprehet me një gjuhë vulgare në komunikim me shefin e policiisë Dibër. “Je i madh. Edhe mos e rruj k**** për atë që thonë ata (opozita) se…”-mësohet të ketë thënë Tahiri.

Xhemal Qefalia: Përgjimet e Bild “pallavra”!

Xhemal Qefalia i quan pallavra 10 përgjimet e publikuara nga BILD mbrëmjen e së mërkurës në të cilën janë konsumuar biseda më një gjuhë vulgare midis deputetëve të PS-së me shefin e policisë Dibër. “Palavra, Ishin biseda miqësore me shokun e fëmijërisë” është shprehur Qefalia në një prononcim të shkurtër për gazetarët. Përgjimi i BILD përfshin deputetin dhe anëtarin e Komisionit Parlamentar të Sigurisë, Xhemal Qefalia, teksa përgëzon punën e shefit të policisë së Dibrës, Robert Aga, dhe i premton të flasë me Kryeministrin për t’i caktuar një pozicion më të mirë. Aga i kërkon Qefalisë të transferohet në Bulqizë, një qytezë e pasur me krom e që kontrollohet nga krimi i organizuar. Por deputeti socialist i premton atij një pozicion më të lartë. Për punën e bërë gjatë zgjedhjeve Aga përgëzohet edhe nga ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. “Le të ruajnë më burrë, të të hajnë k, të plasi bytha. Flamuri (Flamur Noka) është i detyruar të bëjë politikë po do i themi nesër: Ti s’ke punë me e përmend më atë. Pse e mbylle, ja ta nxjerr pak ministrin, foli se mi çave b, foli. (Kthehet) Ej, foli cik këtij shokut tim nga komisariati”, mësohet të ketë thënë Qefalia në një bisedë më shefin e policisë Dibër.

Gjunkshi: BILD dëshmoi se zgjedhjet në Dibër u vodhën!

Ndërsa deputetët e demokrat i japin të drejtë vetës për të gjitha akuzat e ngritura për dosjet “339” dhe 184”, ku sipas tyre provohet qartësisht fenomenit të vjedhjes së votës nga maxhoranca. Ish-deputeti demokrat i qarkut Dibër, Xhemal Gjunkshi ka reaguar pas përgjimeve të reja të publikuara nga Bild, ku pretendohej se zgjedhjet në Dibër u vodhën dhe u blenë nga qeveria në bashkëpunim me krimin e organizuar. Me ironi Gjunkshi përdor edhe fjalët e përgjuara të Damian Gjiknurit teksa gëzohej për rezultatin e zgjedhjeve dominuese në Dibër. Më pas Gjunkshi ka thekson se përgjimet sipas tij tregojnë qartë se qeveria është jo legjitime. “U dëgjua regjisori Damjan Gjiknuri i cili me paratë e shqiptarëve dhe me grupin e gangsterëve kishte shkaktuar “tërmet”! U dëgjua Ulsi Manja, i cili pas atyre “vjedhjeve” u gradua Kryetar i Komisionit të Ligjeve, njeriu që do të bënte dhe po bën Reformën në Drejtësi, ose siç i themi ne nga Dibra “Me i var ujkut mëlçitë për qafe” U dëgjua Sajmir Tahiri i cili flet me shefat politik policor për vjedhje votash si dhe politizimin e kupolës se Policisë se Shtetit! Të shkarkohet dhe të merret nën hetim menjëherë Ulsi Manja nga Kryetar i Komisionit të Ligjeve, si njeri i pabesueshëm për të ndjekur reformën në drejtësi. Të arrestohet Damjan Gjiknuri si truri i vjedhjeve të votave në Dibër. I bej thirrje ushtar Lleshaj: Te distancohet nga kjo bande e organizuar kriminale”, tha Gjunkshi. Ndërsa ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka deklaruar përmes një statusi në “Facebook” se po rrëzohet sistemi i gjendjes civile. “Rrëzohet sistemi i gjendjes civile! Janë bërë me hije, frika ju ka hyrë në palcë. Nuk i mjaftojnë 1.2 milion karta identiteti jashtë afati, mijëra qytetarë me vendbanime të zhvendosura nga QV ku votojnë, çdo punonjës i administratës i kërcënuar për të bërë pëlqime të detyrueshme për Rilindjen”.

Basha: Asnjë zgjidhje politike pa dënimin e përgjegjësve!

Në një dalje për mediat, pasi e përditshmja Bild publikoi përgjime të tjera nga skema e blerjes së votës në Dibër, kryedemokrati Lulzim Basha u shpreh se praktikisht të gjitha zgjedhjet e organizuara nga PS janë vjedhur. Basha foli për aleancën krim-rilindje, që sikundër u shpreh ka përdorur çdo mjet të paligjshëm për vjedhjen e votave. “Praktikisht janë vjedhur të gjitha zgjedhjet që ka organizuar Rama në të gjithë vendin. Ky është përfundimi që i madh e i vogël nxjerr nga përgjimet e Bild. Na kanë dëshmuar në detaje skemën e metodat e kësaj vjedhje. Kupola e PS nuk ka bërë asnjë dallim. Kanë bashkëpunuar me trafikantë droge, me vrasës, grabitës. Kjo aleancë Krim-Rilindje ka përdorur çdo mjet të paligjshëm për të vjedhur votën. Kanë blerë vota me para në dorë, kanë ndëshkuar ata që nuk janë bindur çdo mjet është përdorur pa asnjë kufizim. Ajo që dëshmojnë përgjimet e Bild, është aleanca krim rilindje ka përdorur gjithë administratën për vjedhjen e zgjedhjeve, nga drejtues në punonjës. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një komunikim me mediat tha se nuk do të këtë marrëveshje pa arrestimin gjithë atyre që janë faktuar në krim zgjedhor. “Asnjë hap politik, asnjë zgjidhje politike në Shqipëri nuk do të bëhet pa patur në themel të saj ndëshkimin e të gjithë atyre që kanë vjedhur votat e shqiptarëve. Asnjë marrëveshje politike për daljen nga kriza nuk do mund të arrihet, nëse pika numër 1 e saj nuk është ndëshkimi i vjedhësve të votave. Kjo kupolë kriminale do të mbajë përgjegjësi për të gjitha vjedhjet dhe krimet që u ka bërë shqiptarëve. Të gjithë anëtarët e saj do të jenë para drejtësisë së pavarur. Ata që nuk e kuptojnë këtë janë naivë”,-tha Basha.

Rama: Biseda të tilla kam bërë me të gjitha shtabet, do i përsëris

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës në Kuvend, komentoi situatën dhe përgjimet e publikuara nga BILD. Rama thotë” “Përgjimet dalin për koka me një ekuivalencë zbrazësie të konsiderueshme si koka në fjalë që më drejtohet mua (e ka për Kujtim Gjuzin). U them të gjithë shqiptarëve, bëni një film në mendjen tuaj. Sikur gjithçka flisni në telefon ta shihni në TV çdo bisedë kur del nga konteksti tingullon ndryshe. Ato përgjime po e kryejnë funksionin e tyre ekzaktësisht për motivin që janë bërë. Në një betejë zgjedhore ku ka qenë e instaluar e gjithë PD, Lulzim Basha e grupe që ushtronin presion dhe dhunë dhe çuditërisht jemi në kushtet kur është vendosur antena në të gjithë shtabin zgjedhor të PS dhe jo në palën tjetër. Ok u bënë por pse nuk u hetuan, pse nuk u veprua dhe në fund pse shkuan tek PD dhe pse dolën në Gjermani dhe pse tani? Si shpjegohet që lajmet në Gjermani i pararend cim.net i Shqipërisë. Për këtë temë nuk dua të flas më. Besoj se çdo shqiptar e ka kuptuar që është një sallatë e madhe aspak e këndshme fjalësh por s’ka asgjë dhe përsa më përket jam në proces. 4 javë është afati për të ngritur padi dhe brenda 4 javësh do i kërkoj gjykatave gjermane të zbardhin tërësisht të vërtetën lidhur me gjithçka është thënë në adresën time . Në atë bisedë që është dëgjuar e kam bërë dhe do ta përsëris. Biseda të tilla e kam bërë me të gjitha shtabet pa asnjë problem. Ajo që vlen duhet ta kuptojnë se 97, gjakderdhja përplasja është e gjitha skemë propagandistike”, deklaroi Rama./shekulli

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

XH.I

Lajmet e fundit

Loading...