Gostivar, 19 gusht – Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski sot ka qenë për vizitë pune në komunën e Vrapçishtit dhe është njohur me realizimin e deritanishëm të projektit “Mbrojtja ndërkufitare nga zjarri – Fireshield” financuar nga programi i BE-së për bashkëpunim ndërkufitar ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë, bartës i së cilit janë dy komunat e Maqedonisë së Veriut si dhe komuna shqiptare e Çerikut dhe OJQ Karitas nga Shqipëria.
Ministri Perinski ka mbikëqyrë edhe objektin e ri të ndërtuar enkas për stacionin territorial kundër zjarreve për komunën e Vrapçishtit dhe Bogovinës ku theksoi se është një nga disa projekte që janë në fazën përfundimtare dhe në realizimin e të cilit ministria ka pjesë partneriteti. Përveç realizimit të deritanishëm të projektit, Perinski me nikoqirët diskutoi mundësitë për ndihmë të mundshme në trajtimin aktual të zjarreve në të gjithë vendin.
“Tani, kur në të gjithë vendin dominojnë stuhitë e zjarrit, nuk ka dyshim se projekti në thelb do të funksionojë për të mbrojtur rajonin në çdo aspekt. Ndërkohë, ne tashmë mund t’i vëmë në funksion këto kapacitete për shuarjen e zjarreve aty ku ka nevojë për mbështetje logjistike”, tha Perinski.
Ai tha se ky projekt garanton sigurinë e mbi 65.000 të popullsisë vendase në pronat e tyre si dhe të 8.000 hektarë terren malor dhe brez pyjor në rajonin ndërkufitar.
Sipas ministrit Perinski përveç qëllimit kryesor për stacionin territorial kundër zjarreve për komunat Vrapçishtë dhe Bogovinë, projekti është një rëndësi e madhe edhe për Parkun kombëtar Mali Sharr i cili kufizohet me dy komunat.
Vlera e përgjithshme e projektit është 860.000 euro. Komuna e Vrapçishtit dhe Bogovinës participojnë me 545.000 euro, Ministria e ndihmon projektin me 81.750 euro, ndërsa pjesa tjetër sigurohet përmes Programit të BE-së për bashkëpunim ndërkufitar ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë. Është parashikuar që projekti të finalizohet në fund të nëntorit.