Bllacë, 10 prill – Vite më parë karriget e këtij treni u mbushën plot me shqiptarë të cilët me forcë dëboheshin nga tokat e tyre. Pos frikës e trishtimit sigurimi i një vendi brenda trenit ishte sfide tjetër.
25 vjet më parë pikërisht në të, një vend arriti ta zë, Sabit Jaha, i cili thotë se kujtimet e tmerrshme i kthehen së bashku me prillin.
“Kam hipur në Prishtinë në stacionin e trenit mezi kemi arritë me u kacavirr ne tren. Aty s’ka pas as këmba ku të vendoset, disa herë në ditë ka ardhë nga fushë Kosova Kaçaniku deri këtu. Ka pas njerëz që kanë pritur edhe dy ditë të plota po s’kanë pas mundësi me zënë një vend se me mijëra e mijëra njerëz kanë kërkuar që sa më herët të gjejnë një vend”, tha Jaha.
Në trenin që i çoi drejt Bllacës ishte edhe Ruzhdi Berisha në atë kohë vetëm 15 vjeçar, së bashku me nënën.
“Isha adoleshent kur na qitën me dhunë forcat serbe, deri në Fushë Kosovë kemi ardhë në kam e kemi hip në tren. Kemi pas shumë vështirësi sepse ne shumë vende u ndalke treni, e forcat serbe na thonin se kemi me iu vra”, tha Berisha.
Rrëfime si këto u përmblodhën të gjitha në librin e titulluar Bllaca 99, të shkruar nga Jahja Lluka.
“Ne po e shënojmë sikur vite rresht nga dita kur e kemi sjellë trenin këtu e kur e kemi kriju edhe murin e kujtesës. Sakrifica e nënës shqiptarët na ka mundësua që të jemi këtu e sakrifica e UÇK-së, na mundësoi që ta shijojmë lirinë”, tha Lluka.
Në kujtim të kësaj ngjarje i pranishëm ishte edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
“Një ngjarje e shënuar në historinë kombëtare shqiptare, dhe pa asnjë dyshim subjekt i hulumtimeve akademikë për qëndresën e shqiptarëve. Kjo është një ngjarje e cila duhet të vazhdohet të trajtohet me ndjen më të madh”, tha Tahiri.
25 vjet më parë rreth gjysmë milioni shqiptarë u dëbuan nga Kosova.
Gjatë luftës së viteve 98-99, ata u detyruan nga forcat serbe të shpërngulen gjetiu.
Përveç të shpërngulurve në Shqipëri dhe Maqedoni, mijëra shqiptarë kanë kaluar kufirin edhe me Malin e Zi, ndërsa qindra mijëra janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre për të gjetur strehim në malet e Kosovës.