Sot shënohen 26 vjet nga rënia e dëshmorit të kombit, Fadil Zenel Bojaj nga Kerrnica. Në nderim të sakrificës dhe kontributit të tij për lirinë e Kosovës, u zhvilluan homazhe pranë varrit të tij, ku u vendosën kurora lulesh.
Në këtë ceremoni përkujtimore morën pjesë kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, komandanti i Policisë në Klinë, Ragip Bytyqi, përfaqësues të komunës, familjarë dhe qytetarë, të cilët nderuan jetën dhe veprën e tij.
Fadil Bojaj dha jetën për lirinë që sot gëzojmë. Gjaku i tij dhe i dëshmorëve të kombit u bë themel i lirisë dhe pavarësisë së Republikës së Kosovës. Sot, i biri i tij, Floriani, ndjek rrugën e sakrificës dhe shërben në Policinë e Kosovës, duke u kujdesur për sigurinë e qytetarëve.