Një incident që mund të kishte pasoja të rënda është regjistruar gjatë orëve të para të mëngjesit të së hënës në fshatin Malinat në bashkinë e Poliçanit.
Një automjet, foristradë tip Ford, në përpjekje për të kaluar lumin midis fshatit Mbrakull dhe Malinat, ka ngecur në ujë. Rrymat dhe rrjedha e lumit e kanë marrë fuoristradën përpara, duke e fundosur atë.
Pas sinjalizimit të marrë për ngjarjen në orën 02:30 të mëngjesit, në zonë kanë shkuar efektivë të shumtë të Repartit Zjarrëfikës të Beratit dhe efektivë të policisë, të cilët kanë bërë të mundur shpëtimin e banorëve të bllokuar në mes të rrjedhës së lumit Osum.
Gjatë aksionit për shpëtimin e dy shtetasve, një efektiv i zjarrëfikësve të Beratit ka rrezikuat seriozisht jetën, pasi rrymat e forta të lumit e kanë tërhequr drejt rrjedhës.