Agjencia Zhurnal.mk

Përplasje për ratifikimin e Protokollit në Shkup

Shkup, 8 janar, zhurnal.mk – Përfundimi i procesit të anëtarësimit të vendit në NATO përplas partitë politike. LSDM-ja është e bindur se Spanja do ta ratifikojë Protokollin përpara se Kuvendi i Shkupit të shpërbëhet. BDI thotë se ratifikimi i Marrëveshjes për anëtarësim në Kuvend është kusht për shpërbërjen e Kuvendit dhe rrjedhimisht edhe mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare.

“Është motivuese për ne që Spanja arriti të formojë Qeveri. Gjithsesi se tashmë anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO është çështje teknike. Me LSDM-në dhe koalicionin është realizuar ky qëllim strategjik. Pres se shumë shpejtë do ta ratifikojmë Marrëveshjen edhe në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Pres dhe ftoj në përgjegjësi të gjithë aktorët politik brenda në Kuvend”, tha Kostadin Kostadinov, LSDM.

“Erdhi dita më në fund që edhe vendi ynë të anëtarësohet brenda javëve në vijim. Shpresoj që ashtu si e përkrahu BDI, ashtu ta përkrahin edhe të gjitha partitë parlamentare ratifikimin e Protokollit për anëtarësim në NATO, i cili duhet të jetë vendimi i parafundit i kësaj përbërjeje të Kuvendit, për arsye se duhet ta miratojmë më 12 shkurt më së voni, para se të vetë-shpërbëhemi, në mënyrë që të mundësojmë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”, pohoi Artan Grubi, BDI.

Nga ana tjetër VMRO- DPMNE, Aleanca për Shqiptarët dhe Besa mbështesin ratifikimin e parakohshëm të Marrëveshjes për anëtarësim në Shkup.

“Në bazë të disa përvojave nga e kaluara, ratifikimi i një protokolli të tillë kërkon 3-5 muaj, sepse duhet të kalojë në Dhomën e poshtme, Dhomën e ulët, të nënshkruhet nga mbreti, që të kryhet ky ratifikim. Ne si VMRO DPMNE dorëzoi kërkesën për ratifikim të parakohshëm të Marrëveshjes për anëtarësim në NATO dhe mbetemi në qëndrimin se kur të vendoset në rend dite, të njëjtën do ta votojmë”, theksoi Nikolla Miceski, VMRO DPMNE.

“Kuvendi duhet ta ratifikojë Marrëveshjen para shpërbërjes, pavarësisht epilogut nga Spanja. Fakti që Spanja ka formuar qeverinë e re është për t’u përshëndetur, megjithatë ju e dini se Qeveria tashmë ka sjellë propozimin për ratifikimin e Protokollit dhe apelojmë deri tek Kryetari i Kuvendit që sa më parë ta vendosë në rend dite”, pohoi Syrija Rashidi, Aleanca për Shqiptarët.

“Nëse nuk ndodh që procedura e rregullt të zhvillohet në Kuvendin spanjoll, ne do ta përkrahnim edhe protokollin që e propozon Qeveria e vendit që sa më shpejtë të plotësohen gjitha kushtet që vendi ta ketë statusin e një vendi me anëtarësim të plotë në NATO”, tha Fadil Zendeli, Lëvizja Besa.

LSDM-ja dhe VMRO-ja u përplasën edhe për Ligjin për mbrojtje, për shkak se kjo e fundit nuk ka ndryshuar qëndrimin se nuk do ta pranojë ligjin e ri me të cilin parashikohet riemërtimi i ushtrisë, nga Ushtria e Maqedonisë në Ushtria e Maqedonisë së Veriut. Ligji në fjalë është i patjetërsueshëm për anëtarësim.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

XH.I

Lajmet e fundit

Loading...