Përse Bashës i duhen “letrat dhe vula e partisë”

Nga Mero Baze

 

Disa ditë para një Kuvendi formal të Partisë Demokratike, i cili do të miratojë dhe disa ndryshime në statutin e Partisë Demokratike, duket qartë se Lulzim Basha po kujdeset të ketë në dorë letrat dhe vulën e partisë.

Ndryshimet statutore të propozuara prej tij formalizojnë kthimin e partisë në një institucion burokratik, jo politik, që edhe teknikisht është në dorë të kryetarit. Ka detaje që dhe vula e partisë nuk mund të përdoret pa leje të tij.

Më tej akoma ka propozime që përfaqësuesit e PD në Këshill Kombëtar të jenë pjesë e Departamenteve të partisë, pra strukurave organizative teknike të saj.

Ndryshimet që forcojnë frymën jopolitike të PD, dhe e kthejnë atë në një repart të punësuarish nga Lulzim Basha, vijnë në një kohë kur PD ka shmangur debatet për përgjegjësinë politike të vendimeve të saj të mëdha, siç është bojkoti i zgjedhjeve lokale të vitit 2019 dhe djegia e mandateve të Parlamentit, për të mos thënë pastaj debati për humbjen e zgjedhjeve të 25 prillit.

Në këto kusht lind pyetja përse Lulzim Basha kërkon të mbajë në kasafortën e tij personale letrat dhe vulën e partisë?

Një lider legjitim nuk është fare i interesuar për gjëra të tilla, si vula e partisë, apo përfshirja e anëtarëve të Këshilit Kombëtar në Departamente teknike.

Fjala vjen Sali Berisha me siguri as e ka ditur kush e ka vulën në PD dhe kush e përdorte, se nuk i hynte në punë, pasi vendimet i vuloste me fuqinë e pushtetit të tij.

As nuk e ka ditur kë ka anëtar të Këshillit Kombëtar. Biles ndonjëherë i propozonte si prurje të reja, kur kishte nga dy mandate që i kishte anëtarë. Dukej që nuk kishte respekt për ta, por frikë jo e jo.

Kurse Lulzim Basha qyshkur ka ardhur në krye të PD, pak nga pak, ditë pas dite, kuvend pas kuvendi, humbje pas humbje, po bën të njëjtën gjë. Fut njerëz jo politik në parti, por të lidhur me të, fuqizon kompetenca personale teknike dhe formalizon një autoritet administrativ mbi strukturat vendimmarrëse të partisë.

Kjo është tipike për një njeri që sillet si ata që gdhihen me makthin se dikush do t’i marrë partinë dhe ky në finale të ketë vulat dhe letrën.

Dhe të gjithë këtë e bën në një kohë që ka shmangur debatin për përgjegjësinë e tij politike për vendimet që ka marrë personalisht duke shkatërruar PD.

Një kryetar partie është përgjegjës për aktet politike dhe jo për aktet administrative brenda PD. Lulzim Basha është përgjegjës se dogji mandatet e Parlamentit dhe lejoi Edi Ramën të bënte ç’të donte me Kodin Elektoral, dhe ligje të tjera.

Ai është përgjegjës se nxori PD-në nga sistemi, duke e kthyer në gjendjen e janarit të vitit 1991, kur s’kishte asnjë përfaqësim në pushtet.

Çdo kryetar partie në botë, pasi ky operacion radikal përfundon me dështim të thellë dhe mos pranim as nga shoqëria, as nga faktori ndërkombëtar të këtyre akteve, largohet, ose e largojnë.

Lulzim Basha as largohet, as e largojnë. Ndaj ai përditë merret me ndryshime rregulloresh, me ruajtje të vulës dhe zyrës, me punësimin e anëtarëve të Këshillit Kombëtar në Departamente e gjëra të tilla të vogla, që nëse dikush guxon e të përballet me të publikisht, ai të ketë të sigurta vulën dhe letrat.

Ai pak a shumë po e kthen PD-në si Armando Duka Federatën, që ka ndryshuar statutin dhe ata që e votojnë i ka të gjithë të punësuarit e vet.

Kështu që në çdo përballje me Lulzim Bashën të jeni të sigurtë se vulën dhe letrat i ka ai, pavarësisht si shkon puna.

Mund të bëjë përjashtim vetëm një përballje me Berishën, i cili mund të mos i marrë dot vulën, por mund t’i vërë vulën ndarjes së PD, duke e kthyer në parti të vulës dhe parti të vulëhumburit.

Related posts

Çështja shqiptare në Maqedoni – degradimi ekonomik

Z H

Përgjegjësia e NATO-s për të shpëtuar afganët

D V

“Muskujt” e Albin Kurtit dhe LVV-së do të testohen pas zgjedhjeve në Francë

R Zh

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More