Shkup, 24 dhjetor – Vendimi i Komisionit Evropian për të pezulluar shpërndarjen e fondeve IPARD III për sektorin bujqësor të Maqedonisë së Veriut nuk është thjesht një masë teknike apo procedurale pasi përfaqëson një sinjal të fortë politik dhe institucional se korrupsioni vazhdon të mbetet një nga pengesat kryesore në rrugën evropiane të vendit, shkruan Zhurnal.
Pezullimi është shenjë e pengimit të procesit integrues –
Rasti i ryshfetit që çoi në arrestimin e pesë personave, përfshirë një drejtor të një agjencie publike, ka mjaftuar që Brukseli të aktivizojë mekanizmat mbrojtës për fondet e taksapaguesve evropianë. Edhe pse Komisioni Evropian e quan pezullimin një masë standarde parandaluese, mesazhi është i qartë mungesa e integritetit institucional ka pasoja konkrete dhe të menjëhershme.
Kujtojmë që, Fondet IPARD nuk janë thjesht ndihmë financiare pasi ato janë instrument politik i besimit. Me 97 milionë euro të dedikuara për periudhën 2021–2027, BE-ja synon të modernizojë bujqësinë, të forcojë zonat rurale dhe të rrisë konkurrueshmërinë e sektorit agro-ushqimor në Maqedoninë e Veriut. Pezullimi i këtyre fondeve dëmton drejtpërdrejt fermerët pra ata që nuk kanë asnjë lidhje me aferat korruptive dhe njëkohësisht minon besimin e qytetarëve te institucionet shtetërore.
Fakti që Ministria e Financave ka pezulluar edhe pagesa të tjera në këtë sektor tregon se problemi nuk perceptohet si incident i izoluar, por si rrezik sistemik. Kjo e zhvendos çështjen nga një skandal individual në një krizë qeverisjeje, ku përgjegjësia politike dhe administrative bëhet e pashmangshme.
Në një kontekst më të gjerë rajonal, rasti i Maqedonisë së Veriut nuk është i vetmuar. Pezullimi i 112 milionë eurove për Shqipërinë për shkak të keqpërdorimit të fondeve IPARD II dëshmon se BE-ja po ndjek një qasje më të rreptë dhe më pak tolerante ndaj abuzimeve në vendet që aspirojnë anëtarësimin në BE. Kjo qasje tregon se procesi i integrimit nuk do të ecë përpara vetëm me retorikë pro-evropiane, por me rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit.
Nëse vendi dëshiron që mbështetja evropiane të rikthehet nuk mjafton bashkëpunimi formal me hetimet. Nevojiten reforma reale, transparencë e plotë në menaxhimin e fondeve dhe ndëshkim i qartë i përgjegjësve, pavarësisht pozitës së tyre. Përndryshe, rreziku është që Maqedonia e Veriut të humbë jo vetëm miliona euro, por edhe kredibilitetin si partner serioz në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Në këtë drejtim, kjo çështje shtron një pyetje të rëndësishme se a do të vazhdojë shteti të paguajë çmimin e korrupsionit institucional, apo do ta shfrytëzojë këtë krizë si pikë kthese për ndërtimin e një sistemi që meriton besimin evropian? Përgjigjja do të përcaktojë të ardhmen e vendit, prandaj, udhëheqësit e vendit duhet të jenë vigjilent në veprim. /Zhurnal.mk
