Sekretari Dixhital në Partinë e Lirisë, Hamëz Gjonaj deklaroi sot në një dalje për mediet se koalicioni “PD-Shqipëria Madhështore” ka program për mbrojtjen e të dhënave personale të shqiptarëve në zgjedhjet e 11 majit.
Sipas tij, gjatë katër viteve të fundit, qytetarët shqiptarë janë ekspozuar ndaj rrjedhjeve të njëpasnjëshme të të dhënave personale.
“Janë bërë publike paga, numra të kartave të identitetit, lëvizjet e qytetarëve përmes sistemit TIMS, të dhëna mbi automjetet, informacione bankare dhe të dhëna nga kompanitë e telekomunikacionit”, u shpreh Gjonaj.
Zyrtari i Partisë së Lirisë deklaroi se koalicioni “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, i angazhuar për një shtet të përgjegjshëm dhe të sigurt, paraqet plan konkret masash për të parandaluar rrjedhje të tilla dhe për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve.
“Kryerja e një auditi kombëtar në të gjitha sistemet digjitale shtetërore. Hartimi dhe miratimi i një ligji të ri për mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe krijimi i një Agjencie të Pavarur për Privatësinë. Forcimi i sigurisë teknologjike në sistemet kritike si TIMS, bankat dhe institucionet publike. Sanksione të rrepta ligjore për çdo zyrtar apo individ që shpërdoron apo abuzon me të dhënat e qytetarëve. Kompensim financiar për çdo qytetar të dëmtuar, sepse shteti është dhe duhet të jetë garantuesi i sigurisë. Mbështetje financiare për bizneset, me qëllim rritjen e kapaciteteve të tyre në sigurinë kibernetike”, u shpreh Gjonaj.
“Ne kemi një plan të qartë dhe vullnet për ta vënë në zbatim”, përfundoi Gjonaj.