PL përgënjeshtron Carlo Bollinon: Pagesat për fushatën janë bërë sipas ligjit, kontributi ynë transparent

nga L. M

Partia e Lirisë ka reaguar me një sqarim publik lidhur me pagesën e detyrimeve financiare në kuadër të koalicionit “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, duke përgënjeshtruar raportimet e publikuara në “Report TV” për gjoja shkelje ligjore.

Në reagim thuhet se, në zbatim të marrëveshjes së datës 16 prill 2025, Partia e Lirisë ishte angazhuar të kontribuojë me një shumë totale prej 15 milionë lekësh për shpenzimet e përbashkëta të fushatës zgjedhore. Kjo shumë, sipas deklaratës, është paguar në dy këste: 7 milionë lekë më 8 maj 2025, përmes Bankës Credins nga fondet e fushatës zgjedhore, dhe 8 milionë lekë të tjera më 26 gusht 2025, të mbuluara nga fondet vjetore të partisë.

Sipas Partisë së Lirisë, të gjitha pagesat janë kryer me transfertë bankare, nga burime të ligjshme dhe janë tërësisht të verifikueshme në sistemin bankar dhe në dokumentacionin zyrtar të koalicionit. Po ashtu, raportet financiare si ai zgjedhor, ashtu edhe ai vjetor – janë të auditueshëm nga auditues ligjor, në përputhje me ligjin.

“Partia e Lirisë nuk ka kryer asnjë shkelje ligjore. Çdo pretendim ndryshe është dashakeq, tendencioz dhe i qëllimshëm”, thuhet në deklaratë, e cila e cilëson lajmin e publikuar nga “Report TV” si shenjë të mungesës së respektit ndaj parimeve të gazetarisë së pavarur dhe objektive.

Në përmbyllje, Partia e Lirisë shpreh mbështetjen e saj për lirinë e fjalës dhe u bën thirrje gazetarëve të pavarur të ruajnë integritetin profesional, pavarësisht presioneve që vijnë nga “një regjim armik i fjalës së lirë”.

Partia e Lirisë:

Sqarim publik i Partisë së Lirisë mbi pagesën e detyrimeve financiare në kuadër të koalicionit “Partia Demokratike – Aleanca Për Shqipërinë Madhështore” dhe përgënjeshtrim për disa të pavërteta të publikuara në “Report TV”

Në zbatim të marrëveshjes së datës 16.04.2025 (Nr. prot. 339), të nënshkruar ndërmjet partive të koalicionit “Partia Demokratike – Aleanca Për Shqipërinë Madhështore”, Partia e Lirisë është angazhuar të përballojë shumën totale prej 15.000.000 lekësh si kontribut për shpenzimet e përbashkëta të fushatës zgjedhore.

Për shkak të pamundësive financiare gjatë periudhës zgjedhore, pagesa është kryer në dy këste:

7.000.000 lekë të likuiduara më 08.05.2025, përmes Bankës Credins, nga fondet e fushatës zgjedhore, dhe të pasqyruara në raportin financiar të zgjedhjeve.

8.000.000 lekë të likuiduara më 26.08.2025, sipas detyrimit të përcaktuar në marrëveshjen e koalicionit shume e cila eshte marrë nga fondet e vitit te partise dhe e cila raportohet në raportin financiar vjetor të Partisë së Lirisë, ku deklarohet edhe ai zgjedhor, në përputhje me ligjin.

Në raportin vjetor, që përkon me vit zgjedhor raportohen edhe shpenzimet e fushates, të dyja pasqyra të auditueshme me auditues ligjor.

Theksojmë se Partia e Lirisë nuk ka kryer asnjë shkelje ligjore dhe çdo pretendim tjetër është dashakeq, tendecioz dhe i qëllimshëm, ose shenjë e mosrespektimit të parimeve të një gazetarie të pavarur dhe objektive.

Të gjitha pagesat (fonde me burime të ligjshme) janë realizuar me transfertë bankare dhe janë plotësisht të verifikueshme në sistemin bankar dhe në dokumentacionin zyrtar të koalicionit.

Partia e Lirisë, mbështetëse e palëkundur e lirisë së fjalës, inkurajon të gjithë gazetarët e pavarur t’u qëndrojnë besnik vlerave dhe parimeve profesionale të gazetarisë dhe të ruajnë integritetin e tyre dhe të misionit që kanë, pavarësisht se e ushtrojnë profesionin në kushte shumë të vështira presioni nga një regjim armik i fjalës së lirë.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More