Anëtarja e Kryesisë në Partinë e Lirisë, Anisa Ibraj u bëri sot thirrje qytetarëve që të votojnë “PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, ndërsa prezantoi edhe disa nga pikat kryesore që përmban programi në aspektin ekonomik.
Ibraj tha se “kemi nevojë për një reformë të thellë në sistemin tatimor që të jetë inkurajues për sipërmarrjen, duhet të luftojmë realisht korrupsionin, të thjeshtojmë procedurat dhe të ofrojmë më shumë mbështetje për idetë e reja, sidomos për ato që sjellin vlera të shtuara për ekonominë”.
“Prandaj, më 11 maj, qytetarët shqiptarë do të kenë në dorë një vendim me peshë të madhe për të ardhmen e vendit tonë. Zgjedhja është e qartë: Ose vazhdojmë me një ekonomi që favorizon një grusht oligarkësh e klientësh të qeverisë, ose votojmë Ndryshimin, votojmë Numrin 1 – Partinë Demokratike – Aleancën për Shqipërinë Madhështore, që i jep frymë punës, ekonomisë dhe garanton një vizion të ri ekonomik për vitet që vijnë – një vizion që vendos në qendër punën, prodhimin vendas, si dhe fuqizimin e rinisë dhe grave sipërmarrëse”, u shpreh Ibraj.
Sipas saj është “koha ta kthejmë prodhimin “Made in Albania” në një simbol krenarie kombëtare dhe një motor zhvillimi ekonomik për të gjithë shqiptarët”.
Duke u ndalur te propozimet e programit, Ibraj tha se synohet “krijimi i Bankës Shqiptare të Zhvillimit – një bankë me kapital shtetëror dhe garanci nga donatorë ndërkombëtarë që do të financojë projektet prioritare të zhvillimit, sidomos për startup-e, të rinjtë, gratë dhe emigrantët që kthehen në atdhe”.
“Revolucion fiskal i pashembullt – sistemi më i lehtë tatimor në rajon: Tatim i sheshtë 10% mbi fitimin dhe kapitalin; Zero tatim mbi pagat deri në 50 mijë lekë në muaj; Tatim 10% mbi të ardhurat nga puna dhe profesionet e lira; Tatimfitim zero për biznesin e vogël deri në 18 milionë lekë xhiro vjetore”, u shpreh Ibraj.
Më tej Ibraj nënvizoi se “për të rinjtë nën 30 vjeç: Zero sigurime shoqërore për vitin e parë të punës; Përjashtim nga tatimi mbi të ardhurat deri në moshën 25 vjeç; Mbështetje financiare për deri në 50 studentë dhe kredi të lehtësuara për nisma të reja biznesi”.
“Për gratë sipërmarrëse: Zero tatim për vitin e parë të biznesit; Subvencionim i sigurimeve shoqërore për muajt e parë; Kredi të buta dhe një fond i dedikuar për mbështetjen e grave në biznes.
“Ulja e TVSH-së në 15%, shfuqizimi i taksës 3% për strehimin social, taksa të ulura për infrastrukturën, energjinë elektrike dhe karburantet – për të ulur koston e jetesës dhe për të rritur konkurrueshmërinë e prodhuesve vendas.
“Rimbursim në kohë i TVSH-së, mbyllje e sistemit të gjobave arbitrare dhe krijimi i një fondi për mbrojtjen e eksportuesve shqiptarë”, tha Ibraj.
“Ky është një program për ata që duan të punojnë ndershmërisht. Për ata që duan një shtet që mbështet, jo që pengon. Për ata që kanë një ide, një ëndërr, një nismë, por nuk kanë pasur kurrë një shans real”, u shpreh Ibraj.